Rama për vete, Zoti për PS-në
Shkrimtari i madh, Leon Tolstoi thotë: “Njeriu është një thyesë, ku numëruesi tregon atë që është dhe emëruesi atë që beson se është. Sa më i madh të jetë emëruesi, aq më e vogël është thyesa”. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama e ka njohur këto ditë publikun me vendimin e tij për të mos kryesuar listën e kantidatëve për deputet të kësaj force politike, duke dëshmuar kështu, përveçse një “Guines” tjetër të marrëzive dhe çmendurive tipike në jetëë e tij, edhe një frikë të paparë për të garuar në rang kombëtar. Kësisoj, ai Edi i gjatë që çirret e trimërohet poshtë e lartë, është i tillë vetëm si “emërues i madh” i një “thyese të vogël” në realitet. Përballë këtij fakti, më shumë se sa përversitetet e tij të njohura në jetën private dhe në jetën publike, të bën përshtypje frika lepurore e akumuluar në thellësi të shpirtit të vet djallëzor. Gjithnjë Edi Rama ka dashur të bëhet “hero”, pa qënë “njeri”, por në këtë rast, për shkak të egocentrizimit që e karakterizon, ai do të sakrifikojë një parti të tërë për interesat e veta dhe të klanit që e rrethon. Kjo zgjedhje të kujton dërgimin në front të ushtrisë pa komandant, ndërkohë që e ka mëse të qartë humbjen. Sidoqoftë, qëllimi i vetëm i tij, në këtë rast, është t’ia bëjë të vështirë fitoren kundërshtarit, duke përdorur si “mish për top” militantët e vetë që “nuk duan as bukë, as ujë, as drita, as integrim”, vetëm të kenë në krye këtë “trim”. Në gjuhën e “kasketave” të majta, ky veprim është “dorëzim pa kushte” para “armikut” dhe “kthim i shpinës” ndaj “plumbit” të votës. Thellë në ndërgjegje, të majtët, kështu vazhdojnë ta konsiderojnë ende kundërshtarin politik, ndaj dhe tregohen mjaft të ashpër e aspak të drejtë në vlerësimin e punës së të tjerëve. Në të njëjtën mënyrë, edhe i frikësohen kundërshtarit; pra njëlloj sikur të kenë një armik real përballë. Por në rastin konkret, “armiqtë” e z. Rama janë miqtë më të mëdhenjë të gjithë shqiptarëve, për sa u përket arritjeve dhe punëve të realizuara, me synim përmirësimin e nivelit të përgjithshëm ekonomiko-shoqëror të qytetarëve tanë. Normalisht, rezultatet dhe e vërteta janë armiqtë real të kreut socialist, ndaj ai përpiqet të qëndrojë sa më larg tyre, në bunkerin e “politikës së re”, e cila në fakt është një “politikë e ve”, e ndarë nga qëllimi partiak i së majtës, madje dhe nga aktivizimi i bërthamës së politikanëve të njohur të Partisë Socialiste.
Siç dihet Rama u avit në krye të PS-së, për pak imunitet më shumë si kryebashkiak dhe për t’u bërë ndere miqve të tipit “G-15-20 %”. Hapi i parë në këtë drejtim ishte kooptimi i disa punonjësve bashkiak në forumet e larta drejtuese të Partisë Socialiste. Ndërsa hapi i dytë, kantidimi i tyre dhe i disa ndërtuesve në listën e deputetëve të PS-së, për zgjedhjet e 28 qershorit. Këto hapa janë hedhur duke mënjanuar nga strukturat drejtuese dhe lista e kantidimit një pjesë të mirë të atyre politikanëve, që kanë meritën e padiskutueshme të ruajtjes dhe forcimit të partisë, në momente të vëshitra, por që shpresojnë se, “Rama do të bëhet kryeministër”. Ky lloj ëndërrimi nuk duhet marrë si naivitet, por si perversitet, nëse ende ushqejnë iluzione, edhe pasi lideri i tyre ua bëri të qartë se, “nuk do të kantidojë si i pari i partisë në këto zgjedhje dhe do të vazhdojë të përmbushë kontratën me zgjedhësit e Tiranës, si kryebashkiak”. Meraku i tyre në këtë rast ishte, nëse e lejon Kushtetuta një gjë të tillë apo jo, ndaj iu drejtuan Abdiut si më profesionisti për këtë çështje. Nuk u besonin veshëve kur morën përgjigjen se, “s’ka asnjë kufizim kushtetues”, ndaj filluan prapë të ngrenë zërin nëpër mitingje duke u thënë njerëzve: “Qeveria e re me Ramën kryeministër do t’ju bëjë këtë e atë!?...”. Ndërsa ai vetë nxjerrë gjuhën në krahun tjetër, siç ka bërë tërë jetën me debilë të kësaj kategorie. Megjithatë s’kanë ç’të bëjnë, si viktima të “kultit të individit” që janë. Nga ana tjetër, është shumë vonë për të shkuar tek PSV-91 apo Lëvizja Socialiste për Integrim. Megjithatë, mund të përfitojnë nga “politika e qarkullimit të kuadrit” që ka filluar të aplikojë me kohë Rama, pasi janë hapur disa vende pune në Bashkinë e Tiranës dhe disa të tjerë në firmat e ndërtimit, si pasojë e kantidimit të tyre për deputet. Ndërkohë, Rama vazhdon i qetë si kryebashkiak, duke çuar në Kuvendin e ri një grup parlamentar të përbërë nga ish punonjës bashkie, ndërtues në kyeqytet dhe “shkatërrues” të tipit “G…”, duke e lënë Partinë Socialiste, që në fund të fundit është një pasuri kombëtare, në mëshirë të fatit. Synimi i tij i përhershëm ka qënë vënia nën kontroll e të gjithë partisë për interesa të bashkisë e jo të qeverisë, gjë që nuk është kuptuar si duhet nga “Garda e …” vjetër. Nëse do të listonte veten si kandidat për deputet të PS-së, z. Rama do të detyrohej sipas ligjit të sakrifikonte postin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, që është realisht një pushtet i konsiderueshëm personal, të cilin ai nuk e ndërron me asgjë, as me postin e kryeministrit të vendit.
Ky përfundim pritej, qysh kur Rama u zgjodh në krye të PS-së, pas dorëheqjes së Fatos Nanos. Megjithëse zgjedhja e tij në këtë post ishte plotë dyshime e sforcime, përsëri ajo u konsiderua si një mundësi e re për rinovimin e kësaj force politike, mbi shpatullat e së cilës tashmë, përveç mëkateve të së kaluarës komuniste rëndonin edhe makutaritë qeverisëse të periudhës ’97-’05. Sidoqoftë Rama u pranua si lider i PS-së, jo për shkak të vlerave politike, por për shkak të ruajtjes së unitet në parti, e cila është një veti e mbartur nga “dhjetë cilësitë e komunistit”. Në të shkuarën e tij pluraliste, Rama kishte treguar se e urrente dhe e përbuzte kontigjentin e “uturakëve” apo tipin e “njeriut të ri” të “socializmit të dytë” në Shqipëri. Por kjo, më shumë se sa shënjë modernizmi apo rinovimi ishte një ves individual i tij, i cili e kishte shtyrë fillimisht të denigronte familjen e vet biologjike. Njeriu që nuk do familjen e vet nuk do as atdheun, thotë Naim Frashëri. Këtë ves ai do ta dëshmonte ditë pas dite, jo në mënyrë të drejpërdrejtë, por duke bërë rolin e opozitarit të papërgjegjshëm edhe për ngjarje mjaft të rëndësishme kombëtare, që lidheshin me integrimin e vendit në strukturat euroatlantike. Me sa duket Rama vuan ngë sindromi enverist, që i konsideronte nacionalistët si armiq dhe idealet e tyre patriotike si veprimtari armiqësore. Ai do të ndjehej mjaft i lumtur, nëse qeveria “Berisha” do ta kishte mbajtur vendin edhe këto 4 vjetë larg NATO-s e Bashkimit Europian; nuk do të kishte investuar në infrastrukturë, energjitikë, arsim, bujqësi, turizëm; nuk do ta kishte nxjerrë vendin nga kthetrat e korrupsionit apo pushteti i bandave kriminale, etj., sikundër bënë paraardhësit e tij për 8 vjetë më radhë, në periudhën ’97-’05. Zhvillimi dhe progresi kombëtar, që vjen si rezultat i hapjes, integrimit dhe mbështetjes ndërkombëtare vazhdon të konsiderohet prej tij si i nxitur nga “armiqtë e jashtëm dhe të brendshëm”, pasi bie në kundërshtim me “idealet komuniste e partizane”. Ndaj ai ka të njëjtin standard kundërshtimi, si ndaj qeverisë “Berisha”, ashtu dhe ndaj institucioneve ndërkombëtare. Rama harron, se në këtë mënyrë dëmton dhe izolon veten.
Oscar Uilde në librin e tij “Shpirti i njeriut në socializëm”, midis të tjerash thotë se: “Askush dhe asgjë s’mund ta shkatërronte një njeri, përveçse vetja e vet. Gjithëçka që njeriu zotëron, ndodhet brenda tij; gjërat jashtë vetes nuk kanë asnjë vlerë.” Duke kaluar nga plani human në atë politik-shoqëror, mund të themi se, një politikan nuk mund ta shkatërronte asgjë tjetër, përveçse individualizmi. Siç dihet, një politikan përfaqëson interesat e një grupimi të caktuar shoqëror, kështu që më shumë se “vetvetja” ai duhet të jetë “gjithësecili”. Është për këtë arsye që politikanët e vërtetë numërohen me gishtat e dorës. Realiteti shqiptar i viteve të tranzicionit, për shëmbull, ka promovuar shumë politikanë, por shumë pak prej tyre e meritojnë plotësisht një status të tillë. Si kriter bazë për këtë vlerësim është raporti midis interesit të përgjithshëm dhe atij personal. Sa më i madh të jetë ky raport aq më efektiv rezulton aktiviteti politik në dobi të shoqërisë. Natyrisht këtu nuk e kemi fjalën për produkte që burojnë nga parimi enverist i “vijës së masave” apo kinezërit e tipit: “ç’thotë partia bën populli, ç’don populli bën partia”. Periudha e tranzicionit shqiptar ka qënë kaq shumë e ngarkuar me probleme shoqërore, sa që jo çdokujt mund t’i besohej zgjidhja e tyre. Por nga ana tjetër, në këtë periudhë ka qënë edhe mundësia më e madhe për të spekulluar e përfituar në mënyrë të padrejtë, duke sakrifikuar interesat e përgjithëshme të qytetarëve shqiptarë për interesin personal. Në krahun e majtë të politikës ka plotë individë të tillë, ku më tipiku është Edi Rama. Kjo ishte arsyeja që në ’05-ën social-komunistët u larguan nga skena politike, duke lënë një përshtypje negative jo vetëm në popull por edhe më mbarë institucionet ndërkombëtare. Ata u larguan si “nxënës të këqij” në kryerjen e “detyrave të shtëpisë”, sepse në vend të reformave integruese nxitën rropatjen izoluese të këtij vendi, gjë të cilën e kanë bërë me një zell të paparë edhe tani në opozitë, nën drejtimin e Edi Ramës.