Ditë të zeza pas recesionit të ekonomisë së Maqedonisë
Nëse nuk ndërpriten shpenzimet joproduktive pas recesionit, sipas ekspertëve ekonomik, ekziston rreziku që deri në fund të vitit shumë ndërmarrje të shkurtojnë vendet e punës dhe të vonojnë rrogat. Shpëtimi i vetëm tani mbetet te tërheqja e kredive
Maqedonia ishte në recesion edhe para se të shpallej zyrtarisht, mirëpo tani duhet të ndërmerren masa urgjente në shkurtimin e shpenzimeve jo produktive, pasi në të kundërtën deri në fund të vitit mund të ketë rritje të mëtutjeshme të papunësisë dhe shkurtim të vendeve të punës. Ish-ministri i financave, Xhevdet Hajredini, thotë se Maqedonia në fakt ishte në recesion dy vitet fundit, ndërsa për këtë fajëson drejtpërsëdrejti ministrin e Financave Zoran Stavrevski dhe kryeministrin Nikolla Gruevski. "Maqedonia ne recesion është gati dy vite. Kjo dëshmohet me faktin se këto dy persona, tandemi Stavrevski- Gruevski, një të tretën e buxhetit e kanë harxhuar për projekte jo produktive siç është ‘Shkupi 2014’", thekson ai. Sipas Hajredinit, fillimi i realizmit të këtij projekti në një kohë krize, kur shumë kompani shkurtuan vendet e punës, drejtpërsëdrejti ndikuan në keqësimin e standardit jetësor të qytetarëve duke e rritur varfërinë deri në 31 për qind. Haredini thekson se çfarëdo mase që mund të ndërmerret tani, është e vonshme, duke sqaruar se masat merren para se shteti të hyjë në recesion. "Parandalimi i vetëm që Maqedonia të mos futej në recesion ishte që të ndërpresë praktikën e deritanishme të harxhimit të parave të qytetarëve për projekte jo produktive. Tash urgjentisht duhet të ndërpriten shpenzimet jo fitimprurëse, përndryshe deri në fund të vitit do të jetë vështirë që kompanitë vendorë të zhvillojnë aktivitete fitimprurëse", thotë Hajredini. Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë V e r i perëndimore, Menderez Kuçi, thotë se të gjitha kushtet se Maqedonia është në recesion janë evidentë që nga shtatori i vitit të kaluar, vetëm se i duhej një vit kohe që Qeveria dhe zyrtarisht të pranojë këtë. "Vazhdimi i këtij trendi negativ plotë 11 muaj në industrinë e rëndë njëherit do të thotë se deri në fund të këtij viti do të kemi përkeqësim edhe më shumë të gjendjes ekonomike, një numër i madh i të punësuarve do të mbeten pa punë, ndërsa një pjesë e tyre që do të mbeten në punë ekziston mundësia të mos marrin rroga", parashikon Kuçi. Profesori i ekonomisë në Universitetin e Evropës Juglindore, Abdylmenaf Bexheti, thotë se ka tre masa që duhet të ndërmerren për t’u shpëtuar ekonomia. "E para është që sa më shpejtë që është e mundur të shkurtohen të gjitha shpenzimet jo produktive publike dhe këtë mund ta bëjë Qeveria me vullnetin e vet pozitiv. E dyta, të angazhohet që me mundësinë e kredibilitetit të shtetit të thithë vija të mundshme kreditore me kosto kapitale më të ulëta, që të përkrah sektorin real, që t’i jep impakt ngritjes ekonomike, dhe e treta, të gjitha shpenzimet jo produktive t’i transferojë në shpenzime produktive" , thotë Bexheti. Mirëpo edhe përkundër të dhënave zyrtare të Entit të statistikës se Maqedonia është në recesion, ministri i Financave Zoran Stavrevski shprehet se qeveria e ka parashikuar Bruto prodhimin negativ në tremujorin e dytë të këtij viti dhe i ka ndërmarrë të gjitha masat e domosdoshme, kurse në këtë fazë mbetet orientimi për gjetjen e zgjidhjeve që çojnë përpara në përkrahjen e ekonomisë dhe mbrojtjen e biznesit dhe kategorive sociale. "Informata që e publikoi Enti shtetëror për statistikë për tremujorin e dytë të vitit ishte në një mënyrë e pritshme dhe paraprakisht e paralajmëruar edhe nga ana e jonë. Qeveria vërejti në pritjet e saja se tremujori i dytë do të jetë negativ. Për këtë shkak ka ndërmarrë masa me të cilat ka intervenuar në disa sfera. Me rishikim në maj dhe qershor e adaptuam buxhetin, i mbajtëm investimet kapitale në nivel të lartë me qëllim që përmes tyre të ndikojmë në drejtim të përkrahjes së ekonomisë dhe me kohë të sigurojmë dy linja kreditore, para se të publikohen këto të dhëna", ka deklaruar ministri i Financave Zoran Stavreski.
Marrë nga e përditshmja e Shkupit “Koha”