E Diel, 1 Nëntor 2026

Kronika/Alliasi, një lagje pa rrugë e pa shkolla - Lulzim Basha premton një alternativë të re për Tiranën

31-03-2011 / Gazeta 55

Banorët e Alliasit kanë nevojë urgjente për ndryshime në infrastrukturë. Një nga zonat më të populluara të Tiranës nuk ka rrugë, nuk ka shkolla, nuk ka kanalizime.
Banorët i treguan kandidatit për Kryebashkiak në Tiranë, Lulzim Basha, kushtet ku ata jetojnë. “Nuk ka shkolla, jemi zero me gjithçka, kjo është një dobësi e Bashkisë”, i tha Bashës një banor, gjatë takimeve që kandidati pati mbrëmë në rrugët e njësisë Bashkiake numër 4 në Tiranë. “Ja shihe si dalin në rrugë ujërat e zeza, këtu rriten dhe luajnë fëmijët tanë”, i tha Bashës, një banor i irrituar. Një grup fëmijësh i kërkuan Bashës një fushë futbolli për të luajtur. Më tej, Basha u njoh me një rast tipik të keqmenaxhimit të Bashkisë. Në një zonë të Alliasit, një fushë ku luanin fëmijët ishte shndërruar në pallat shumëkatësh, ndërsa një kompleks sportive, i vetmi ‘oaz’ për të rinjtë e zonës kishte mbetur i cunguar, pasi Bashkia nuk jep leje për ndërtimin e pishinës. “Ja, kjo fusha është bërë pallat, ndërsa unë që kam bërë këtë palestrën, nuk marr dot leje prej 5 vitesh për të bërë edhe një pishinë”, i tha Bashës pronari i kompleksit sportive. Lulzim Basha i garantoi banorët se do të kenë vëmendjen e tij për të gjithë këto problem. “Unë do të bëj rrugën, dhe do të ndërtoj edhe shkollën”, i siguroi Lulzim Basha qytetarët e Alliasit.
Basha: Projekte për jetën akademike dhe punësimin e të diplomuarve/Kandidati demokrat për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, ka theksuar se do të ketë projekte konkrete për jetën akademike në Tiranë. Ai zhvilloi mbrëmë një takim me një grup studentësh të Juridikut për idetë që ai ka për qytetin dhe nevojat e tyre. Basha u tha të rinjve se do të jetë bartësi i shpresave të të rinjve për një Tiranë Evropiane. “Janë të shumtë të rinjtë që diplomohen në kryeqytet, mirëpo perspektiva e tyre e punësimit nuk është aktualisht shumë e sigurt. Për këtë, Lulzim Basha tha se do të punojë që oferta për punësim të rritet. Unë do të bëj gjithçka, do të krijoj të gjithë lehtësirat, në mënyrë që Tirana që kthehet në Parajsë për investitorët dhe kështu, mundësitë e punësimit të të rinjve të rriten”- iu drejtua Basha studentëve. Ndërkohë që ekipi i ardhshëm i Bashkisë do të krijojë që tani kontakte me tregun e punës, në mënyrë që periudha e pasdiplomimit të jetë sa më e shkurtër dhe specialistët e rinj të kenë mundësi të ushtrojnë sa më shpejt  profesionin e tyre. Kandidati për Kryebashkiak u tregoi edhe rreth projektit që ai ka për studentët ndërkohë që ata janë duke ndjekur jetën akademike. Basha u tha të rinjve që ka në plan projekte konkrete për infrastrukturën e tyre në mënyrë që kjo të ndikojë në një kualifikim sa më të mirë. “Unë ju premtoj se sapo të nis punën si kryebashkiak, do të filloj ndërtimin e bibliotekës universitare të Tiranës për të gjithë studentët, siç e kanë të gjithë kryeqytetet e tjera të Evropës”- u shpreh Basha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›