E Shtunë, 31 Tetor 2026

Benedikti XVI: “Provë e vërtetësisë së misionit të Ungjillit është edhe persekutimi”.

Sot është edhe më urgjente e më e nevojshme t’ia kumtosh Ungjillin botës; asnjë populli nuk duhet t’i mungojë drita e hiri i Krishtit: Papa e nënvizoi me forcë këtë urgjencë, në takimin me pjesëmarrësit e asamblesë plenare të Veprave Papnore Misionare. Benedikti XVI konsideroi edhe persekutimin, si provë, që dëshmon sa i vërtetë është misioni.
Mision i pakufi, ky i ungjillëzimit – pohoi Papa - posaçërisht në kohët tona, që karakterizohen nga mungesa e mendimit refleksiv dhe sapiencial e nga një humanizëm, që e përjashton Zotin. Prandaj është gjithnjë më urgjente e më e nevojshme që problemet e reja, të cilat ndryshojnë vazhdimisht, të ndriçohen me Dritën e Ungjillit, i cili nuk ndryshon kurrë! Kumtimi i Krishtit, të vdekur e të ringjallur - shtoi Papa - është një shërbim tejet i çmuar, që Kisha mund t’ia ofrojë njerëzimit: “Ne ekzistojmë për t’u treguar njerëzve Zotin. E vetëm atje, ku shihet Zoti, nis vërtet jeta. Vetëm kur e takojmë Zotin e gjallë, në Krishtin, ne mësojmë ç’do të thotë jetë. Nuk ka gjë më të bukur se të takohesh me Krishtin, të pushtohesh nga Ungjilli. S’ka gjë më të bukur sesa ta njohësh Jezusin e t’u tregosh edhe të tjerëve ç’ mrekulli është miqësia me Të. (Homelia për fillimin e Papnisë, 24 prill 2005)". Misioni për t’ia kumtuar Ungjillin mbarë popujve – vijoi Papa - është gjykim kritik mbi shndërrimet planetare, që e kanë ndryshuar rrënjësisht kulturën e njerëzimit, është thirrje për lirinë e bijve të Hyjit, për të ndërtuar, kështu, një shoqëri më të drejtë e më solidare, e cila të përgatit për jetën e amshuar. Të vetëdijshëm se edhe persekutimi është provë e vërtetësisë së misionit tonë apostolik: “Kush merr pjesë në misionin e Krishtit, duhet të përballojë në mënyrë të pashmangshme turbullime, kundërshtime, vuajtje, sepse ndeshet me rezistencën e pushteteve të kësaj bote. E ne, ashtu si Shën Pali Apostull, nuk kemi armë tjetër, veç fjalës së Krishtit e Kryqit të tij. Vetëm Kryqi është vërtetë yni! (cfr 1 Kor 1,22-25). Misioni ndërmjet popujve kërkon nga Kisha e nga misionarët t’i pranojnë edhe pasojat e misionit të tyre: varfërinë ungjillore, që u jep lirinë për të predikuar Ungjillin me guxim e sinqeritet, për të kumtuar mospërdorimin e dhunës, duke iu përgjigjur së keqes me të mirë (cfr Mt 5,38-42; Rom 12,17-21),e gatishmërinë për të dhuruar edhe jetën, në emër të Krishtit e të njeriut”.
Në veprimtarinë misionare – përfundoi Papa – duhet kujtuar se Ungjilli zë vend në ndërgjegjën e në zemrat e njerëzve e, prej andej, përhapet në histori, vetëm përmes pushtetit të Shpirtit Shenjt, në bashkim me Atë, që është i Dërguar nga Hyji Atë për shëlbimin e të gjithëve: “Ungjillëzimi ka nevojë për të krishterë me krahë lartuar drejt Zotit në lutje, për të krishterë, që punojnë me vetëdijen e plotë se shndërimi i botës në Krishtin, nuk realizohet nga ne, por na dhurohet”.
Rektorati i Universitetit Katolik të Zemrës së Krishtit: “Të rigjejmë aspektet pozitive të politikës, mbi bazën e bindjes”/Një nga temat më të rëndësishme të plenares të Këshillit Papnor për Laikët, mbledhur këto ditë në Romë për të shkëmbyer mendime mbi temën: “Dëshmitarë të Krishtit në bashkësinë politike”, ishte binomi politikë – demokraci në përvojën e besimtarit laik. Për një reflektim lidhur me këtë binom, Radio Vatikani intervistoi profesor Lorenco Ornagin, rektor i Universitetit Katolik të Zemrës së Krishtit: “Sa arrijnë sot demokracitë ta frenojnë politikën ose politika të krijojë rrezikun të zhdukë vlerat e veta themelore e të mbetet politikë e kufizuar, brenda demokracisë, besoj se është një çështje tejet e rëndësishme, që duhet njohur thellësisht sepse, siç vëren ndonjë studiues, jetojmë jo vetëm në epokën e mosbesimit ndaj politikës, por edhe në atë epokë, të cilën studiuesi e quan ‘kundërpolitikë”. E kjo është tepër, tepër e rrezikshme për demokracinë. Për të rifituar politikën e mirë, politikën, që nuk i ka humbur ende virtytet e veta, politikën me karakteristikat e veta natyrore, duhet të rigjejmë aspektet pozitive të politikës, mbi bazën e bindjes, që na e kujton Shën Agostini, se politika duhet konsideruar edhe si ilaç për shërimin e mëkatit të rrjedhshëm. Por, duke pasur mirë parasysh edhe se është e domosdoshme, për të rritur kolektivitetin. Detyra për të formuar, për të edukuar për impenjim politik, në mënyrë të tillë që katolikët të jenë me të vërtetë prani aktive, e rëndësishme, na kërkon të shikojmë përtej së sotmes; kërkon vizion, jo duke të ikur nga problemet e së sotmes, por me vetëdijën se krijimi i vizionit ndihmon për t’i zgjidhur më mirë këto probleme. E, kur flasim për bindje, duhet pasur mirë parasysh se kjo nuk është lojë fjalësh. Bindje do të thotë të largohesh menjëherë nga çdo kurth konformizmi, të korrigjosh idetë aktuale negative e t’u hapësh horizonte ideve të reja, që i japin shtytje forcimit të lidhjes ndërmjet kulturës e politikës. Janë idetë e reja ato, që e coptojnë rrjetin e stereotipeve kulturore e që hapin horizontet e së resë në të gjitha fushat”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›