Benedikti XVI: Shën Pio, mësues në luftën kundër së keqes e në udhëheqjen e shpirtrave

“Të udhëhiqte shpirtrat e të lehtësonte vuajtjet”: me këto fjalë mund të përmblidhet misioni i Shën Pios nga Pietrelçina. E kujtoi dje paradite Benedikti XVI, shtegtar në viset e Shën Pios, gjatë kremtimit eukaristik përballë një turme prej 50-mijë besimtarësh, ardhur nga e gjithë Italia, por edhe nga Anglia, SHBA e Irlanda, që e pritën plot gëzim e emocion, në sa të gjitha këmbanat njëherësh përhapnin tinguj festivë, për t’ia lënë, pastaj, vendin orkestrës simfonike të konservatorit ‘Piçini’ të Barit. Është vizita e parë që Benedikti XVI i bën Atë Pios, shtatë vjet pasi u shpall Shenjt, e dyta e një pape, pas asaj të Gjon Palit II. Papa arriti këtu me avion, për shkak të kushteve metereologjike, dhe nisi menjëherë etapën e parë të shtegtimit të tij njëditor në San Giovani Rotondo: vizitën në qelinë n. 1, ku jetoi e vdiq Atë Pio. Pastaj Benedikti XVI zbriti në kriptën e Shenjtërores së Shën Marisë së Hireve e u lut në gjunjë para trupit të Shën Pios, vendosur në një kuti prej kristali. E, pasi puthi reliken, ku ruhen pjesë të zemrës së Shenjtit, asaj zemre, që rrahu njëherësh me Zemrën e Krishtit e u shporua si ajo, Papa ndezi dy llampa kushtore, për kujtim të vizitës së Gjon Palit II, në 87-tën e të vizitës së tij këtë të dielë qershori.
Gjatë Meshës, kremtuar me kelkun e Atë Pios, Papa shpjegoi kryesisht Ungjillin e kësaj së diele, që flet për stuhinë në liqenin e Tiberiades, për frikën e dishepujve e ndërhyrjen shpëtimtare të Krishtit, duke u ndaluar pastaj tek plagët, që Zoti i dhuroi Shën Pios, si simbol të bashkmit të ngushtë me Të e si dhuratë, e cila i shërbeu për të vijuar veprën e Krishtit në tre drejtime kryesore: duke kumtuar Ungjillin, duke zgjidhur mëkatet e duke shëruar të sëmurët në korp e në shpirt. E, siç dihet nga të gjithë, Atë Pio nuk pati një jetë të qetë. Iu desh të përballojë shumë beteja të vështira: “Ashtu si Jezusi, luftën e vërtetë, betejën kryesore, Atë Pio nuk e bëri kundër armiqve tokësorë, por kundër shpirtit të së keqes. ‘Stuhitë’ më të tërbuara, që e kërcënonin, ishin sulmet e djallit, nga i cili ai u mbrojt me armaturën e Zotit, me mburojën e fesë e me shpatën e Shpirtit Shenjt, që është fjala e Zotit”. Prandaj e njohu thellë dramën e njeriut, prandaj u flijua, ofroi vuajtjet e veta e shkriu gjithë jetën për të lehtësuar dhimbjet, sëmundjet, vuajtjet e njerëzve, si simbol i mëshirës së Zotit, i Mbretërisë së tij që vjen, që është tashmë në botë. Kështu e përmblodhi Papa misionin e Shën Pios nga Pietrelçina, duke i nxitur të gjithë të pranishmit të ecin në rrugën e shenjtërisë, të zbulojnë gëzimin, që buron nga feja e krishterë, të provojnë mëshirën e Zotit, të jetojnë në bashkim me Krishtin, t’i përkasin Kishës së tij e ta jetojnë Ungjillin.
Takimi i Papës në Shtëpinë për lehtësimin e vuajtjes: vetëm Zoti mund ta zhdukë të keqen/Pasdite, në orën 16. 30, në Shtëpinë për lehtësimin e vuajtjes, siç quhet spitali i madh në Shën Gjovani Rotondo, ndërtuar sipas idesë së vetë Shën Pios, Papa u takua me të sëmurët dhe personelin mjekësor e administrativ, të cilëve u drejtoi një pëshëndetje prekëse, duke kujtuar një mister që ka të bëjë me të gjithë njerëzit: atë të vuajtjes e të lehtësimit të saj. “Vend i lutjes e i shkencës, ku gjinia njerëzore e ndjen veten, në Krishtin e Kryqëzuar, si një grigjë e vetme me një bari të vetëm” - kështu e quajti Papa këtë vend, duke kujtuar Atë Pion, i cili donte që në këtë strukturë shëndetësore të gjithë ta kuptonin menjëherë se impenjimi i shkencës për mjekimin e të sëmurit, nuk duhet shkëputur kurrë nga besimi në vullnetin e Zotit të mëshirshëm. Duke e përuruar – shtoi Papa - e quajti ‘krijesë të provanisë e farë të hedhur mbi tokë nga Hyji, që e ngroh me rrezet e dashurisë së tij’. E në sa vizitonte një vend vuajtjeje e mjekimi, Papa nuk mund të mos prekte përsëri një nga temat më delikate të jetës njerëzore: atë të sëmundjes e të dhimbjes: “Sa herë që hyjmë në një vend mjekimi, mendimi natyrisht shkon te misteri i sëmundjes e i vuajtjes, tek shpresa e shërimit e vlera e pallogaritshme e shëndetit, për të cilin shpesh kujtohemi vetëm atëherë kur na mungon. Në spitale preket me dorë vlera e jetës sonë, por edhe brishtësia e saj. Sipas shembullit të Jezusit, që përshkonte mbarë Galilenë, duke mjekuar çdo lloj sëmundjeje e ligështie në popull, Kisha, që në zanafillën e vet, e frymëzuar nga Shpirti Shenjt, e konsideroi si detyrë e privilegj, të jetë gjithnjë pranë njeriut që vuan, duke u kujdesur në mënyrë të veçantë për të sëmurët”. Sëmundja, që shfaqet në shumë forma e godet në mënyra nga më të ndryshmet, bën të lindin disa pyetje shqetësuese: Pse vuajmë? A mund të quhet pozitive përvoja e dhimbjes? Kush mund të na çlirojë nga sëmundja e nga vdekja? Pyetje themelore, të cilat nganjëherë mbeten pa përgjigje, sepse arsyeja nuk është në gjendje ta shqyrtojë këtë mister – tha Papa – e duke cituar Enciklikën e tij ‘Spe salvi’ shpjegoi se sëmundja e vdekja vijnë, nga njëra anë prej papërsosurisë sonë, e nga ana tjetër, prej masës së fajit, që është grumbulluar në rrjedhë të historisë e që vijon të rritet pandalshëm edhe sot e kësaj dite. Natyrisht duhet bërë ç’është e mundur për ta lehtësuar sa më shumë vuajtjen, por me vetëdijen se nuk është në dorë tonë ta zhdukim plotësisht, sepse: “Ai që mund ta zhdukë pushtetin e së keqes, është vetëm Zoti. Pikërisht për faktin se Jezu Krishti erdhi në botë që të na zbulojë planin hyjnor të shëlbimit tonë, feja na ndihmon për të depërtuar në kuptimin e çdo gjëje njerëzore e, prej këndej, edhe në kuptimin e vuajtjes. Ekziston, pra, një lidhje e ngushtë ndërmjet Kryqit të Krishtit, simbol i dhimbjes më sublime e çmim i lirisë sonë të vërtetë, e dhimbjes sonë, e cila shndërrohet e lartohet, kur jetohet me vetëdijen e afërsisë e të solidaritetit të Zotit”. Prej këndej – kujtoi Papa, Atë Pio e kuptoi se të sëmurët, mjekët e meshtarët do të ishin rezerva dashurie: “Të jeni rezerva dashurie’: ja, të dashur vëllezër e motra, misioni të cilin e kërkon përsëri Shenjti nga ju, që formoni familjen e kësaj Shtëpie të ngritur për lehtësimin e vuajtjes”. Ky ishte mesazhi i Papës i cili, duke i përshëndetur të pranishmit me fjalët e Kapuçinit Shenjt, i porositi ta bëjnë qytezën e tyre, fidanishte bamirësie e vater dashurie. Në orën 17. 30 e kishin radhën priftërinjtë, rregulltarët, rregulltaret e të rinjtë, me të cilët Papa u takua në Kishën e Shën Piut nga Pietrelçina, takim me të cilin do t’ju njohim në programin tonë të nesërm.
Komenti i Atë Federiko Lombardit: “Meshtari si dhuratë”/Për Vitin Meshtarak, i cili sapo filloi, po përcjellim editorialin e Atë Federiko Lombardit për Octava Dies, e përjavshme informative e Qendrës Televizive të Vatikanit: “Shërbimi meshtarak ka rëndësi themelore në jetën e Kishës. Por nuk është mister që sot po kalon jo pak vështirësi. Atmosfera e përgjithshme e shekullarizimit në zona të gjëra të botës, vlerësimi më i paktë i rolit të meshtarit në shoqëri, plagët e thella, që iu hapën figurës publike të meshtarëve nga sjelljet e padenja të disave prej tyre, në një farë mase edhe vetë vlerësimi i drejtë i thirrjeve laikale në Kishë… Papa nuk përgjigjet me konsiderata socio-fetare, por i nxit të gjithë meshtarët të përtërihen shpirtërisht, për të dhënë një dëshmi më të fortë e më energjike në botën e sotme. Me një fjalë, në letrën që u drejton të gjithë vëllezërve në meshtari duke hapur Vitin Meshtarak, nuk niset nga jashtë, por nga zemra e thirrjes meshtarake, nga modeli konkret i shenjtërisë meshtarake, nga Famullitari Shenjt i Arsit. Mund të duket gati si provokim t’u tregosh meshtarëve të mbarë botës si pikë referimi shpirtëror një famullitar, që jetoi në një fshat të vogël francez me 200 shpirtëra e që vdiq 150 vjet më parë. Por në se meshtari e jeton me të vërtetë Eukaristinë dhe shërbimin e pajtimit ndërmjet Zotit e njeriut, dmth të shfaqjes së mëshirës së Zotit, koha e vendi kalojnë në plan të dytë. Në shprehjet e letrës së Papës ndjehet një frymë e thellë përshpirtërie, një dashuri e pakufishme për Jezusin e për njerëzit, në mënyrë të posaçme, për ata që janë shpirtërisht larg Zotit ose që kalojnë vështirësi. A s’është pikërisht kjo dashuri, që kërkon të bëhet e pranishme në zemrën e të gjithë njerëzve, të cilët sot kanë nevojë urgjente e të tmerrshme për të? Prandaj Papa flet për meshtarin si dhuratë që i bëhet Kishës dhe vetë njerëzimit. Natyrisht, në se e jeton thirrjen e tij!".
...