Nis zgjerimi i rrugës së Butrintit
BERAT/ DILAVER XHELILI
Dyfishohet numri i turistëve të huaj në Berat, ndërsa vetë banorët e saj paraqesin një interes mjaft të varfër përsa u përket vlerave muzeale dhe historike të qytetit 2400-vjeçar. “Pranimi i Beratit në UNESKO vitin e kaluar, por edhe promovimet e shumta të organizuara nga Qendra Kombëtare e Muzeve, kanë bërë që sezoni i ri turistik të shënojë një numër rekord vizitorësh vendas e të huaj në këtë qytet”, u shpreh lektorja e Muzeut Kombëtar “Onufri”, Anila Droboniku. Sipas saj, në 6–mujorin e parë të këtij viti është shënuar një shifër 2 herë më e lartë se numri i vizitorëve të së njëjtës periudhe të një viti më parë. “Rreth 80 për qind e vizitorëve e ardhur në qytetin e Beratit kanë qenë të huaj. Pjesa më e madhe e tyre janë shtetas nga Gjermania, Austria, vendet skandinave, Izraeli e Franca. Ndërkohë që 20 për qind e turistëve kanë qenë studentë e nxënës shkollash nga gati të gjitha qytetet e Shqipërisë”. Lektorja e Muzeut Kombëtar “Onufri”, nënvizoi edhe faktin se këtë vit Beratin e kanë vizituar edhe shumë personalitete “VIP”, siç kanë qenë ambasadori amerikan Ëithers me bashkëshorten e tij, presidenti bullgar, ish-presidenti bullgar dhe shumë ambasadorë të vendeve të ndryshme. Por është për të ardhur keq që vetë beratasit nuk tregojnë aspak interes për t’u njohur me vlerat e qytetit të tyre. “Vetë beratasit nuk shfaqin fare interes për të vizituar qendrën historike të qytetit e për të njohur ato vlera, që e bënë qytetin e tyre pjesë të Trashëgimisë Kulturore Botërore (UNESKO)”, u shpreh më tej Droboniku. Qyteti i Beratit me vlerat e saj kulturore e muzeale ka befasuar të huajt. Turistët e huaj, pas vizitave që kryejnë në qytetin e UNESCO-s, kanë treguar mjaft interes për të vizituar dhe kanionet e lumit Osum. Ata pohojnë se janë njohur nëpërmjet guidave promovuese apo edhe internetit me këtë perlë të natyrës. Ata që janë befasuar më shumë nga kanionet kanë qenë gjermanët. Dyndja e turistëve të huaj ka bërë që në këtë qytet të ketë dhe një rritje të ekonomisë. Mjaft prej lokaleve të ndërtuara në brigjet e lumit Osum dhe nëpër pjesët shkëmbore të rajonit kanë nisur të popullohen nga të huajt. Ata kanë shfaqur interes të shijojnë gatimin tradicional të zonës.