E Diel, 1 Nëntor 2026

Me 1 korrik, Suedia merr Presidencën e BE-së, shpall si prioritet liberalizmin e vizave me Shqipërinë dhe vendet e tjera të rajonit

Procesi i liberalizimit të vizave mes Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor do të varet jo vetëm nga vullneti i unionit, por mbi të gjitha nga plotësimi i detyrimeve të përcaktuara nga Brukseli nga vendet e këtij rajoni. Kjo është konfirmuar nga Ministri i Jashtëm i Suedisë Carl Bildt. Gjatë paraqitjes së planit për kryesinë e radhës së BE-së nga Suedia, shefi i diplomacisë suedeze tha se pret që gjatë kohës së kryesimit të presidencës së radhës të Bashkimit Evropian të ketë përparime në liberalizimin e vizave për Ballkanin Perëndimor.


Gjatë një interviste për “EU Observer”, Bildt thotë se shpreson që gjatë presidencës suedeze ti jepet një shtytje të mëtejshëm procesit të integrimit të Shqipërisë dhe Malit të Zi në Bashkimin Evropian. Ndërsa Kroacia shpreson që të bashkohet bllokut në fund të këtij viti, një synim ky që gjithsesi është vënë në dyshim kohët e fundit për shkak të konfliktit mes këtij vendit dhe Sllovenisë për çështjet e kufijve. Një çështje për të cilën Bildt tha se Bashkimi Evropian nuk do të ndërhyjë.


Përafërsisht e njëjta çështje ekziston edhe në rastin e Maqedonisë e cila ndonëse është kandidat për anëtarësim në BE, ka të njëjtin probleme me fqinjin e saj Greqinë.


Ndonëse ka një eksperiencë të gjatë me konfliktet ne Ballkan Ministri i Jashtëm i Suedisë tha se edhe këtë herë do të lejojë që kjo çështje te zgjidhet pa ndërmjetësinë e Brukselit. Bildt ndërkaq mbetet i bindur në efektet pozitive të zgjerimit të BE-së me 100 milionë banorë nga Turqia dhe vendet e Ballkanit Perëndimor si dhe 80 milionë të tjerë që bëjnë pjesë në të ashtuquajturin bllokun lindor të partnershipit


Për Shqipërinë, suedezët vlerësojnë se Komisioni duhet të japë opinionin e tij mbi dhënien ose jo të statusit kandidat menjëherë pas zgjedhjeve të përgjithshme dhe përpara përpilimit të progres-raportit të nëntorit. “Aplikimi i Shqipërisë është dorëzuar dhe sigurisht që ne po e ndjekim dhe do të ndjekim mënyrën se si do të zhvillohen zgjedhjet e të dielës në Shqipëri. Më pas është çështje thjesht teknike që ta dërgojmë këtë aplikim nga Këshilli të Komisioni. Atëherë Komisioni do të bëje atë që ne e quajmë X-Ray, apo skanimin e vendit. Dhe ky skanim do të jetë shumë i gjerë e unë nuk pres që Komisioni të na raportojë mbrapsht para se të ketë kaluar më shumë se një vit, njësoj si për Malin e Zi, pasi ka shumë punë për t’u bërë ende. Dhe vetëm atëherë, kur çështja t’i kthehet serish Këshillit të BE-së, ne do të diskutojmë a do t’i jepet vendit statusi kandidat, apo nëse mund të lëvizet edhe më përpara se kaq”, ka deklaruar ministri i Jashtëm suedez, Carl Bildt.


Shefi i diplomacisë suedeze përmendi se një tjetër prioritet i presidencës është dhe liberalizimi i vizave me Ballkanin, sikundër dhe bashkëpunimi rajonal në praktikë.


Ministri i Jashtëm suedez deklaroi se vendi i tij do të punojë për zgjerimin e BE-së me Kroacinë dhe Turqinë, por edhe për çështjen e liberalizimit të vizave për shtetet e Ballkanit Perëndimor.


“Suedia do të mbetet e përqendruar në negociatat për anëtarësimin e Kroacisë dhe Turqisë, edhe pse për dy shtetet ekzistojnë pengesa. Sesa shpejt do të ecin shtetet për çështjet teknike lidhur me liberalizimin e vizave, varet prej tyre. Çështja e liberalizimit të vizave është qartësisht një shqetësim kyç si për ne njësoj edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor. Ne do të theksojmë përveç kësaj nevojën për intensifikimin e bashkëpunimit praktik rajonal në çështje të ndryshme, siç janë energjia apo transporti, e kjo pak më poshtë nivelit më të lartë politik, por në terma konkrete për ta bërë më të lehtë përparimin në këto çështje”, ka shtuar Bilt.


Suedia merr presidencën e radhës të Bashkimit Evropian në 1 korrik dhe do të udhëheqë 27 vendet anëtare deri në 31 dhjetor 2009.


...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›