Vodhën energjinë,dënohen 20 persona
SHKODER - Gjykata e Shkodrës ka dënuar që nga fillimi i vitit 20 persona për vjedhjen e energjisë elektrike. Nga këta të dënuar, 13 prej tyre i përkasin qytetit të Shkodrës, ndërsa pjesa tjetër nga komunat e ndryshme të saj. Ndëshkimi i personave që vjedhin energjinë elektrike është një ndër format që KESH-i po përdor për të luftuar këtë fenomen që deri më sot ka rritur nivelin e humbjeve. Energjia elektrike që vidhet me anë të ndërhyrjeve në matës, lidhjeve të dyta dhe atyre të paligjshme, ka qenë objekt i denoncimeve të KESH-it në organet përkatëse. Nga fillimi i këtij viti, Gjykata e Shkallës së Parë bën të ditur se ka dhënë 20 vendime për personat e paditur nga KESH-i për vjedhje të energjisë elektrike, ndërsa të tjera procese penale me këtë akuzë janë në shqyrtim. Të gjithë të paditurit janë deklaruar fajtorë dhe në 6 raste ata janë dënuar me burgim 1-3 muaj. Por për të gjithë është vendosur pezullimi i ekzekutimit të vendimit duke e kthyer atë në dënim me kusht 2-3 vjet. Ndërsa në rastet e tjera gjykata ka vendosur dënimin e të akuzuarve me masa administrative, që përfshijnë gjoba nga 50 mijë deri në 105 mijë lekë. r.d