E Diel, 1 Nëntor 2026

Benedikti XVI: Të mbrohet familja e martesa kundër rreziqeve që dëmtojnë vatrën shtëpiake

Papa Benedikti XVI, në mbarim të lutjes së Engjëllit të Tënzot në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, ofroi “lutjen e tij të posaçme” drejtuar Zotit për të gjitha familjet që gjendet në vështirësi. “Në këtë të diele të Familjes së Shenjtë, - tha Papa Racinger -i drejtoi një përshëndetje të përzemërt të gjitha familjeve të Romës e të botës me një lutje të posaçme për ato që kalojnë vështirësi më të mëdha”.Në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, për ta dëgjuar Papën, ishin me dhjetëra mijëra besimtarë e persona ardhur nga vendet e ndryshme të botës: shumë prej të pranishmëve, përmes duartrokitjeve e parullave i shprehen Atit të Shenjtë Benediktit XVI dashurinë e solidaritetin pas aksidentit që ndodhi Natën e Krishtlindjes para fillimit të Meshës në Bazilikën e Vatikanit, kur një vajzë zvicerane e kapërceu kufirin e kalimit brenda Kishës së Shën Pjetrit duke bërë Atin e Shenjtë të bie për tokë, po fatbardhësisht pa asnjë pasojë. Gjatë Lutjes së Engjëllit të Tënzot Papa bëri thirrje që të mbrohet e të ruhet prej të gjitha kërcënimeve e rreziqeve familja e themeluar mbi martesën ndërmjet burrit e gruas. Kështu u shpreh Ati i Shenjtë Racinger në mesazhin e tij drejtuar në lidhje të drejtpërdrejtë përmes televizionit me manifestimin e organizuar në Madrid të Spanjës në favor e mbrojtje të familjes prej të gjitha rreziqeve që i kanosen themeleve të familjes së krishterë. “Një ndër shërbimet më mëdha që si të krishterë mund t’i ofrojmë bashkëkohorëve tanë është ai i dëshmimit në mënyrë të bindur e të qetë në favor e dobi të familjes së themeluar mbi martesën ndërmjet burrit e gruas, duke e ruajtur e promovuar, pasi që familja është e një rëndësie të jashtëzakonshme për të sotmen e të ardhmen e njerëzimit”, shpjegoi Papa Racinger.Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot: kërkon mbrojtjen e Zotit për të gjitha familjet në vështirësi/Fjalët e Papës gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot ne festen e Familjes së Shenjtë: "Të dashur vëllezër e motra, sot bie e diela e Familjes së Shenjtë. Ende mund të njëjtësohemi me barinjtë e Betlehemit që, posa e morën kumtimin e engjëllit, vrapuan me të shpejt deri te shpella dhe gjetën “Marinë e Jozefin dhe fëmijën, të vendosur në grazhd”(Lk 2,16). Të ndalemi edhe ne e ta kundrojmë këtë skenë, e të reflektojmë mbi domethënien e saj. Dëshmitarët e parë të lindjes së Krishtit, barinjtë, gjenden para jo vetëm Jezusit Foshnje, por para një familje të vogël: nëna, babai e djali i porsalindur. Hyji ka dashur t’i dëftohet botës në një familje njerëzore, e për këtë familja njerëzore është bërë ikonë e Zotit! Hyji është Trini, është bashkim dashurie, e familja është e pra dhe shprehja më e drejtpërdrejt e Tij. Burri e gruaja, të krijuar në shëmbëlltyrën e në përngjasimin e Zotit, në martesë bëhen “një trup i vetëm” (Zn 2,24), që do të thotë një bashkësi dashurie që lind jetën e re. Familja njerëzore prandaj është ikonë e Trinisë si për dashurinë ndërpersonale, po kështu edhe për misionin e lindjes së jetës. Liturgjia e sotme na propozon ngjarjen e famshme ungjillore të Jezusit 12 vjeç që mbetën në Tempull, në Jerusalem, pa dijen e prindërve të tij, të cilët, të mahnitur e të shqetësuar, e gjejnë pas tre ditësh derisa po diskutonte me doktorët e dijetarët. Nënës që i kërkonte shpjegim, Jezusi përgjigjen se duhet të merret me punët e Atit të vet, do të thotë të Zotit (krh Lk 2,49). Në këtë ngjarje, Jezusi i ri na shfaqet plot zell për Hyjin e për Tempullin. Le të pyesim: prej kujt e mësoi Jezusi dashurinë për “punët” e Atit të vet? Me siguri prej prindërve. E prej kujt, përpos tyre, i pati mësuar lutjet urdhërimet, respektimin e së shtunës e gëzimin e zbatimit të urdhërimeve të Zotit? E kush përveç atit të tij, “njeriu i drejt” Jozefi (Mt 1,19), i mësoi se duhet para së gjithash duhet t’i bindemi Zotit e jo njerëzve” Prandaj, mund të pohojmë se vendimi i Jezusit për të qëndruar në Tempull ishte edhe fryt i edukimit që mori nga Maria e nga Jozefi. Këtu mund të vështrojmë kuptimin e vërtetë të edukimin të krishterë: ai është fryt i një bashkëpunimi të cilin duhet ta kërkojmë gjithmonë ndërmjet edukatorëve e Zotit. Familja e krishterë është e ndërgjegjshme se fëmijët janë dhuratë e plan i Zotit. Prandaj, prindërit nuk mund të konsiderojnë fëmijët si pronë personale, por në ta duhet t’i shërbejmë planit të dashurisë së Atit Qiellor, t’i edukojnë në një liri më madhe, që është pikërisht ajo për t’i thënë “po” Zotit e për ta kryer vullnetin e tij. Shembull i përsosur i kësaj “Po-je” është Virgjëra Mari. Asaj ia besojmë të gjitha familjet, duke u lutur posaçërisht për misionin e tyre të çmueshëm edukativ".Marrë nga Radio Vatikani...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›