Përmbledhja e “Antenave” më të mira të vitit 2009 (1)Nga TemaJANAR Telashet e Bogdanit më 31 dhjetor 3 janar 2009 Gert Bogdani nuk e shijoi si duhet 31 dhjetorin. Kur gjithë njerëzit ishin me të dashurit e tyre dhe përgatiteshin të festonin, a
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Përmbledhja e “Antenave” më të mira të vitit 2009 (1)Nga TemaJANAR
Telashet e Bogdanit më 31 dhjetor
3 janar 2009
Gert Bogdani nuk e shijoi si duhet 31 dhjetorin. Kur gjithë njerëzit ishin me të dashurit e tyre dhe përgatiteshin të festonin, ai duhet të merrej me deklarata për shtyp. Ai burri e thirri në telefon në mesditë, pak para drekës. Bogdanit i duhej të dilte jashtë, ngaqë ishte te shtëpia e gruas dhe aty nuk flet dot në sy të atyre me atë burrin. Dhe kur e pyesin kush ishte, thotë “ishte një nga puna në bashki”.
Doli në ballkon dhe i ftohti i madh i 31 dhjetorit nuk e lejonte as të mbante shënime.
- Dëgjo, do bësh një deklaratë kundër këtij Besnik Bares. A, i kemi kap tani. Se ka dal ai zotëria, d.m.th., si sekretar për Mjedisin, dhe është shqetësuar se është djeg makinë e Mero Bazes dhe ka ndot mjedisin. Atij duhet me i tregu vendin. Jo, e kemi kap tani, s’ka ku shkon. Se ti nuk e din, por makina është djeg nga një shkëndij elektrike. E kam ditë që dje, paradite….
- Makina është djegur sonte në mesnatë ndaj të gdhiri, - i tha Gerti. - Duhet të jemi të saktë.
- E di, e di, d.m.th., e kam ditë si do digjej. Shkruj tani:
“Zëdhënësi i PD hedh poshtë me përçmim akuzat e Edi Ramës, sipas të cilave gazetarit të një gazete afër tij, të cilën Rama e bleu pas zgjedhjeve të vitit 2005, qeveria i ka djegur makinën.”
- Sikur nuk shkon kjo doktor se ….
- Nuk di gjë ti, ka qenë i infiltruar. E kam dit, po s’ua kam thënë. Vazhdo shkruaj dy fjal kot aty, d.m.th., thuaj: “PD dënon çdo akt ndaj çdo botuesi apo gazetari në vend dhe iu kërkon autoriteteve kompetente të gjejnë shkaktarët e vërtet. Por gjithashtu PD konsideron një primitivitet të pacipë të Edi Ramës akuzat se makina e gazetarit afër tij është djegur për qëllime politike.”
- Kjo fjala ‘gazetar afër tij’ mos duket pak teprim? - tha Gerti.
- Gerti le të duket. Shkruaje një herë pastaj e shofim. Prit tani, se tani kemi pjesën më kryesore. Ti do shkruash: “E ftojmë Edi Ramën të organizojë një miting proteste në mbrojtje të fjalës së lirë, ashtu siç organizoi mitingun për të shpallur të aksidentuarin një të ekzekutuar politik”.
- ǒdo të thotë kjo? - pyeti Gerti.
- Gerti, ajo është djeg nga një shkëndij elektrike, e kam dit që dje. Por ai do thotë e dogji… e di unë ç’do thotë ai. Ti mos u shqetëso, se unë e kam dit që dje që do digjej nga shkëndij elektrike. Bile u kam thënë këtyre të policisë të rrinë gati. Kam njoftu, e di vet ti. Ti duhet me e ftu Edi Ramën të bëj miting për të. Kena dy përfitime. E para, vërtetohet që ai është gazetar afër Edi Ramës, e dyta, vërtetohet që Edi Rama gënjen, se atë se ka djeg bodigardi i djalit tim, e ka djeg shkëndija elektrike. Bodigardi i djalit tim o zotëri mund të rrij para kujt pallati të doj, nuk ka pse e akuzon njeri. Ai është njeri i lirë. Mund të rrij me orë të tëra atje ku të ketë qejf. Nuk do pyes atë ku do rrij ai.
- Po nuk ka thënë gjë ai për këtë.
- Ka thënë, ka thënë zotëri, i ka thënë dikujt në prokurori para se të digjej. E kemi dëgju në telefon. Ai është djeg nga shkëndij elektrike, s’kemi punë me të.
- Ashtu them dhe unë, - tha Bogdani. - Le që vetë e ka thënë që ka parë zjarrin. Zjarri nga shkëndija ndizet, se nuk ndizet nga Zoti.
- Bravo, shko lexoje tani te PD.
- S’kam çelës doktor.
- Ku asht Flamuri?
- Ka ikur në Mavrovë me Genc Rulin dhe ca të tjerë nga qeveria, po festojnë.
- Mirë kanë ba. E kanë ba punën e tyre. A e kan marr vesh thua për makinën e këtij…? Thuaja pak të gëzohen. Të bëjn dhe ata një Vit të Ri tamam. Kam respekt për Rulin. Ashtë lodh sivjet duke hedh firma dhe zë nuk ka ba. ARMO, hidrocentrale, vetëm firma ka hedh. Dhe atë firmën e fundit për këtë banditin për ta nxjerr nga redaksia e ka hedh menjëherë. Jo, s’ma ka prish. Mirë ka ba. Paska shku te hoteli i Elvanës në Mavrovë. Shumë i mirë ashtë. Më kanë thënë këta të bankës Credins që e kan të mirë. Gerti kena ec këtë vit. Ka qenë vit i shpërthimeve të mëdha. Jo vetëm brenda, por dhe jasht Shqipërisë po investojmë. Ku nuk po shkojnë investitorët tanë. Në Londër po shesin toka, në Romë po japim kredi, në Vjenë po shesin e blejnë. Gjithandej po hapin firma. Flet vet ky vit. Ka qenë vit i shpërthimeve të mëdha…Hajt gëzur!
Flamuri mban sekret ngatërresën e policisë me gazetën “TemA”
8 janar 2009
Dita e djeshme nisi mirë. Për herë të parë ai burri e mori Flamurin që në 7 të mëngjesit.
- Zotëri, - tha, - atij të gazetës ia zgjatëm shumë. Më ka nxjerrë sot vajzën në faqe të parë, dhe citon një raport britanik, një mashtrues marksist-leninist, që thotë se ligjin këtu e bën Argita. E ka botu në faqe të parë, e ka thënë dhe në televizion. Tani e mbushi kupën. Dua t’i dërgoni policët urgjent tani.
- Tani s’janë në punë ata, po t’ia dërgojmë pasdite, – tha Flamuri.
- Dërgojani tani dhe mos t’i lënë të futen pasdite.
- Po ata më duket kanë fitu gjyqin, – tha Flamuri.
- Nuk ka gjykatë zotëri që të dalë mbi urdhrat e mija. Unë nuk marr parasysh vendime gjykatash komuniste që kanë lyer duart me gjak….
- Të drejtë ke, – tha Flamuri. – ǒpunë kemi ne me gjykatën. Po flas me Bujar Nishanin, – tha Flamuri. – Ai e bën shpejt këtë punë.
Pas një orë gjithçka ishte në rregull. Bujar Nishani urdhëroi forcat e policisë të shkonin në bllokonin gazetën. Arsyeja që iu dhanë ishte se ishin rrezik për territorin.
Policia, e cila mbërriti në territorin e Tipografisë, konstatoi ku ishte vendosur reparti i shpallur si i rëndësisë së veçantë dhe menduan se reparti në krah ishte gazeta “TemA”. Kështu, policët rrethuan shtypshkronjën e letrave me vlerë dhe një repart pune tjetër. Për tri orë ata mbanin të bllokuar derën e tyre, pasi iu kishin thënë se gazeta “TemA” është ngjitur me repartin ku bëhen kartat e identitetit. Por, pas tri orësh roje kot, policia shikonte se gazetarët kalonin dhe iknin tutje. Më në fund konstatuan se redaksia nuk ishte ngjitur, por 1000 mijë metra më tutje. Pas kësaj i lanë dy repartet kot që kishin bllokuar dhe bllokuan redaksinë e gazetës. Por, ndërkohë që e kishin bllokuar, shumë gazetarë ishin futur brenda dhe jashtë ishte vetëm drejtori i gazetës dhe disa gazetarë. Pas disa sherreve me policët ata arritën të hyjnë.
Të gjitha këto policia ia raportoi Nishanit, dhe Nishani Flamurit. Kur po ia tregonte, iu lut të mos ia tregonte atij burrit këtë ngatërresën e policëve, se nuk ishte faji i tyre, pasi këta nuk i kishin instruktuar. Vetëm u kishin thënë se është ngjitur me kartat e identitetit dhe kaq. Ata e kishin marrë si të vërtetë dhe kishin bllokuar dy reparte të tjera. Kur u mor vesh e vërteta, ishte vonë dhe gazetarët kishin hyrë.
Flamuri i dha fjalën që nuk do t’ia thoshte. Mori në fillim i kënaqur Genc Rulin. Ky i fundit nuk ia hapte telefonin. Kur arritën të lidheshin, Flamuri nisi t’ia tregojë me një frymë. Ruli i gëzuar i tha: “Përsërite pak, tregoja dhe këtij mikut” dhe ia dha dikujt tjetër telefonin.
Flamuri vazhdoi t’ia shpjegonte dhe atij tjetrit.
Pastaj e pyeti Rulin kush ishte ky tjetri.
- Është Rezart Taçi, - tha. - E kam në zyrë. U gëzua shumë që ia çuat policët dhe më tha që do të të blejë një kostum. I thashë, e bën që e bën, të të blejë dhe këpucët, dhe këmishën, dhe kravatën, se atë të parin që ta ka blerë, të kishte parë një ditë që e kishe veshur me atlete. Ka shumë respekt për ty.
- Bëji ta fala, – tha Flamuri. - Është pak mashtrues ai, po mbaje në zyrë çdo ditë, se do na ikë nga duart. I thonë 160 milionë dollarë që po ia japim, mos ta kalojë me një kostum ai. Ja, dhe këtë që e kishte merak, e hoqëm qafe.
Flamuri ndihmon gazetën “New York Times” me shembuj
31 janar 2009
Kryeministri, Sali Berisha, është ndalur dhe ka biseduar edhe me analistin e famshëm amerikan, Fareed Zakaria. Kryeministri Berisha e ka cilësuar “babëzinë e njeriut” si një nga shkaqet themelore të kësaj krize të paprecedent që ka kapluar botën.
Kjo gjë e tronditi shumë Zakarian. Njeriu që iu ka dhënë shpjegime shumë zhvillimeve në botë, shtangu kur dëgjoi një arsyetim të thjeshtë nga kryeministri, Sali Berisha.
- A keni ndonjë rast nga Shqipëria, apo keni studiuar gjithë fatkeqësitë në botë? - e pyeti Zakaria.
- Kemi dhe nga Shqipëria, por më shumë kemi nga bota.
- Qenka interesante, - tha Zakaria. - Më jep disa shembuj nga Shqipëria, se më duhen ndoshta të bëj një analizë për këtë shkak që thoni ju. Këtë tezë e ka pas hedhur i pari Marksi te “Kapitali”, - tha Zakaria, - por nuk gjeti shumë mbështetje, pasi shteti ligjor dhe rregullat në shoqëri e kanë frenuar prej shekujsh këtë ves. Po megjithatë do isha kurioz të shikoja disa shkaqe nga Shqipëria.
- T’i jap unë, – i tha Berisha. - Më prit veç pesë minuta dhe m’i sjellin nga Tirana.
U çua, doli pak më tutje dhe mori Flamurin.
- Dua urgjent disa raste tipike, – tha, – ku babëzia e njeriut ka qenë shkak për krizat e paprecedenta që kemi kaluar.
- Përse të duhen? – i tha Flamuri.
- Kam këtu Zakarian. Është analist i madh. Dua t’i shpjegoj që gjithë problemet na kanë ardhur nga babëzia e njeriut. Është dakord, do vetëm disa raste për t’i ilustruar.
- Po pse s’thua ti që na paske shpëtuar, – i tha Flamuri. – T’i nis unë menjëherë.
Pas pak, në faksin e hotelit mbërritën shembujt e Flamurit.
“Rasti i parë kur babëzia e njeriut bëhet shkak për krizën është rruga Durrës- Kukës. Siç dihet, rruga është 130 km. 70 km të kësaj rruge kushtojnë 130 milionë euro, kurse 60 km të saj kushtuan 1 miliard e 300 milionë euro, pra dhjetë herë më shumë. Shkak është babëzia e njeriut. I thamë Lul Bashës atëherë, të presim sa të bëhet projekti dhe gjashtë muaj dhe nuk na e hedh dot njeri. Bëri sikur nuk dëgjoi. “Kam folur me BB, – tha, – dhe do të na japin ata pará.” Kur erdhi një grua nga BB, e hodhi poshtë projektin. Atëherë ti e quajte armike e madhe e rrugës dhe thirre “plakun” nga Turqia. Erdhi plaku i shkretë, ia tregove hallin. I the: Si mund ta bëjmë rrugën për në Kosovë?
- Nga Shkodra, – tha plaku, – pastaj u fusim një rrugë buzë Drinit, se është dhe e bukur, dhe bëhet shumë mirë. Shkon pak shtrenjtë, nja 150 milionë euro.
- Jo, – i the ti. – Ne e duam këtej mes maleve. Na e bën dot me 1 miliard e 300 milionë.
- E kuptova, – tha plaku. – Thashë se donit rrugë, ju dashkeni pará. Ua bën plaku, mos kini merak. Vetëm thoni që rrugën po e bëjnë amerikanët. Paratë i keni tek unë. Të vazhdojë puna.
Që atëherë nuk na janë ndarë akuzat dhe fatkeqësia e paparë na ka rënë mbi kokë. Lulin e thërrasin çdo muaj në gjykatë. As Fatmira nuk e shpëtoi dot, që është një nga gjyqtaret më të shkolluara të historisë së drejtësisë sonë.
Rasti i dytë është ai i Gërdecit. Tre njerëz po vuajnë në burg, ndërkohë që Zeni, Rrahmani dhe Mediu po vuajnë jashtë burgut. Dhe përse? Thjesht nga babëzia. Iu tek atij Delijorgjit t’i merrte gjithë punët vetë. Mori skrapin, pastaj barutin, pastaj fishekët kinezë. I trazoi fishekët që shkonin për shkrirje me ata që shkonin për shitje. Mori dhe biznesin e Kosta Trebickës. E zboi dhe atë nga biznesi. Zeni i shkretë punonte natë e ditë. Sakrifikoi dhe burrin e tezes për këtë punë. Nuk ia tregoi askujt, veç tezes dhe mamasë. Dhe në fund askush nuk ia dinte për nder. Kur shpërtheu depoja, të gjithë thoshin, shpërtheu fabrika e Zenit në Vorë. Turp i madh. Dhe mendoj se kjo vjen nga babëzia.
E treta që mendoj, që është dhe më klasike, është rasti i Fazlliçit. Erdhi njeriu i shkretë nga Bosnja me shpresa të mëdha te demokracia jonë. Sapo morëm pushtetin, javën e parë hapi tri firma. I kishin tepruar nja një milion euro nga fushata e PD që nuk ia dha atij tetovarit, që gjoja do t’ia jepte. Iu fut punës të bënte lekë. I dha autorizime të plota Argitës t’i regjistronte prona, t’i çregjistronte, t’i blinte, t’i shiste, të tërhiqte lekët nga llogaria e tij private, d.m.th., gjithçka. Dhe çfarë s’bëri për tri vjet. Bleu toka në vendet ku do bëhen parqe energjetike, u mor me naftë, me lojëra fati, me gjithçka. Por mbi të gjitha u mor me problemin tonë kryesor. Me energjinë elektrike. Që nga viti 2006 e nisi si sekser pranë KESH dhe më 2007 me kompaninë e tij RUDNAP bëri namin. Nja 100 milionë euro vetëm korrent na ka shitur. Tani, babëzia njerëzore është bërë shkak për krizën e tij me qeverinë, pasi njerëzit kanë smirë, pse ai ka fituar kaq shumë dhe e kanë denoncuar. Ne i kemi dalë zot, por prokuroria po heton.
Unë them se këto tri raste mjaftojnë për t’i ilustruar Zakarias, atë që i ke thënë që babëzia njerëzore është shkaku i gjithë fatkeqësive që po godasin botën. Po e hëngri, ai mund të bëjë një shkrim në “New York Times” dhe mund të na shpëtojë. Se dukemi dhe të fituar. Ti vërtet i ke thënë letër higjienike, por ai po arriti të shpjegojë që në këto tri raste nuk kemi faj ne, po babëzia njerëzore, ajo gazetë e ka larë gabimin.
Po pres me padurim përgjigjen e tij.
Flamuri”
SHKURT
Flamuri mëson për llogaritë e doktorit për zgjedhjet
23 shkurt 2009
Flamuri shkoi dje për drekë te Liqeni, te “Gambero Rosso”. Sa hyri brenda, kamerieri iu turr te tavolina.
- Mos u ul këtu, – tha, – se kemi hall mos na vjen prapë shefi sot. Se ishte të shtunën.
- Kush shef? – i tha Flamuri.
- Ai burri, siç thua ti, – tha kamerieri.
- S’ka problem, – i tha Flamuri, – se dhe po erdhi, me mua do rrijë. Pastaj ndenji pak, dhe e pyeti nga meraku.
- Me kë ishte të shtunën ai këtu?
- Shoqërohej nga Ridvan Bode, Aleksandër Frangaj dhe Sokol Olldashi, – tha kamerieri.
- Përse folën apo s’dëgjove gjë? – i tha Flamuri.
- Le, le, se i dëgjova të gjitha, – i tha kamerieri. – Tema e bisedës ishin si zakonisht zgjedhjet e 28 qershorit.
- Hë, çfarë thanë ndonjë gjë? – i tha Flamuri.
- Gallatë e madhe, – i tha kamerieri. – Frangaj, si më pak optimisti, mori letrën dhe nisi llogaritë. Në fund i qiti 68 deputetë të PD.
- Kaq del, - tha, - dhe s’e lun topi. I kam bërë një ditë dhe llogari me Blushin. Ai i nxirrte 63, po unë i bëra 68. Më shumë nuk shtohet. Unë po deshe firmos këtu që kaq del. Pjesa tjetër duhet marrë doemos, o Ilir Meta, o të bëjmë koalicion me Ramën. E firmosi letrën me Frangajn, shkroi 68 dhe ua la përpara.
E mori Olldashi. Ia korrektoi disa qarqe dhe i bëri 72.
- Kaq del, - tha, - vetëm ne, dhe e shkroi pas Olldashi.
E mori Ridvani që u bë kurioz. I hodhi një sy gjithë qarqeve, shtoi dhe dy.
- 74, kaq del, - tha - dhe shkroi Ridvani.
Në fund e mori Berisha. I hodhi një sy letrës me të qeshur.
- Miqtë e mi, – tha, – kjo shifër duhet 78. Ja po e firmos, Berisha.
Debati rreth numrit zgjati gjatë gjithë drekës. Në fund u çuan dhe ikën. Në një tavolinë ngjitur me ta nga ana tjetër ishte Argita me burrin dhe disa miq (jo Fazlliçin). Kamerieri shkoi, falënderoi Berishën për vizitën dhe tha se dreka është e paguar nga ajo tavolina aty.
- Të paguajnë, – tha Berisha, – se këta kalamajtë e mi kanë pará, se kanë babanë gjallë. ǒtë bëj unë që më ka vdekur.
Qeshën dhe u ngritën.
Pas pak kamerieri, në vend që të merrte faturën t’ia çonte Argitës, i çon letrën e deputetëve.
Argita po e lexonte dhe s’po merrte vesh gjë.
Shikonte Frangaj 68, Olldashi 72, Bode 74, Berisha 78. Iu duk letër pa kuptim. I mblodhi të gjitha bashkë, i dolën 292. – Epo do jetë 292 mijë lekë, – tha. Iu dukën pak, se ata kishin marrë tri vera “Gaia”, që bëjnë secila nga 200 mijë lekë. S’dinte sa të paguante.
Thirri kamerierin.
- Të lutëm, cila nga këto katër shifra është e vërtetë, se janë katër emra?
Kamerieri, pasi i hodhi një sy emrave, tha pa u menduar fare.
- E doktorit është e vërtetë, – tha. – Ai nuk gënjen kurrë.
- Si shumë të lartë e paska, – tha Argita, – shiko mos është kjo e Frangajt, se zakonisht ky paguan në dreka.
- Jo, jo, e doktorit është, – tha ai.
- Epo mirë, po paguaj të doktorit, – tha Argita. – Në euro e ka apo në lekë?
- Në euro, – tha kamerieri, – se i marrim nga jashtë karkalecat.
Argita pagoi dhe u bë gati të ikte.
- M’u duk sikur nuk u kënaqe që thashë se shifra e doktorit është e saktë, – i tha kamerieri.
- Jo, jo, s’ka problem, – i tha Argita. – Ai e ka kollaj, se gjithë kryeministrat kanë punuar të mbajnë fëmijët, vetëm ne fëmijëve të tij na ra në pjesë të punojmë të mbajmë babanë.
- Qenke kënaqur me muhabete, – i tha Flamuri. – Mos ia trego njeriu këto, se e ka zët ai burri. Ai vetëm mua m’i thotë këto, kur është në qejf.
Flamuri përgatit tekstin për 26 lutjet e Mëngjesit të Lutjeve
3 shkurt 2009
Kryeministri, Sali Berisha, dhe ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, u nisën për herë të parë bashkë për në Uashington. Do të shkojnë në Mëngjesin e 57 të Lutjeve, një ceremoni jozyrtare që përdoret për të promovuar kryesisht liderët në nevojë për takime joformale me presidentë amerikanë dhe zyrtarë të tjerë.
Ftesën e ka bërë Dagu. Dagu është “prifti kryesor” që jeton në periferi të Uashingtonit dhe që organizon Mëngjesin e Lutjeve. Është mik me Fatmirin. Prej vitit 1993, Fatmiri shkon rregullisht në këtë ceremoni. Merr dhe politikanë të majtë dhe të djathtë nga Shqipëria. Sivjet ka marrë për herë të parë Berishën. Nuk ka qenë një vendim i lehtë. Jo se ia prishte Dagu, por nuk ka pas nevojë pas 2005. Para 2005 nuk e ftonin. Tani ka rënë ngushtë, se nuk e fton më njeri zyrtarisht dhe i duhet doemos një foto me presidentin e ri, Obama. Me këtë mund ta shtyjë nja dy muaj, sa të vijë ajo punë e NATO-s.
Para se të nisej, Berisha mori Flamurin në telefon. I shpjegoi hallin që kishte. Dagu i paskësh thënë Fatmirit që, për ju të dy, d.m.th., doktorin dhe Fatmirin, para se të shkonin në Mëngjesin e Lutjeve, do të shkonin tek ajo kodra ku jetojnë priftërinjtë që organizojnë Mëngjesin e Lutjeve dhe duhet të bënin një rrëfim.
- Fatmiri më tha se duhet të rrëfehemi. Është punë dreqi Flamur, se s’jam rrëfyer kurrë. Thashë njëherë me nisë Jozefinën, se këta katolikët rrëfehen, por kam frikë se ajo rrëfehet vërtet dhe na merr më qafë. Por dhe Fatmirin e kam frikë, se dhe ai s’mban gjë brenda. Ndaj na duhet një tekst për të dy. Fol me dikë të na bëjë një tekst që ta mbajmë të dy para dhe të rrëfehemi njësoj.
- Mirë, – tha Flamuri. – Po ua nis me e-mail. Do përpiqem ta bëj shkurt. Po përse duhet të rrëfeheni?
- Këta i kanë thënë Fatmirit për Gërdecin, ngaqë kanë vdekë 26 veta. Duhet të themi doemos 26 herë “Falna o Zot!” Fol dhe me Jozefinën, se ajo merr vesh nga rrëfimet dhe ma nis urgjent që t’ia jap një kopje dhe këtij.
Ashtu u bë. Pas dy orësh, Flamuri i nisi këtë tekst me e-mail:
Falëm o Zot për atë që ndodhi, se nuk kishim përvojë!
Falëm o Zot për atë që ndodhi, se ishim në hall për të hequr municionet!
Falëm o Zot për atë që ndodhi, se ishte faji i Delijorgjit!
Falëm o Zot për atë që ndodhi, se Rrahmani s’kishte përvojë në ndërtim kapanonesh!
Falëm o Zot për atë që ndodhi, se Shkëlzeni nuk ka bërë zbor!
Falëm o Zot për atë që ndodhi, se baxhanakun nuk doja ta njihja!
Falëm o Zot për atë që ndodhi, se gruaja nuk më tregoi, ngaqë nuk donte të më shqetësonte!
Falëm o Zot për atë që ndodhi, se Kosta Trebickës s’deshëm t’i bëjmë keq!
Falëm o Zot për atë që ndodhi, se Bujar Nishani më tha që punën me Kostën do ta ndreqim në paqe!
Falëm o Zot për atë që ndodhi, se Bujar Nishani dhe Kosta Trebicka u bën ortakë tek Universiteti Evropian i Turizmit dhe thamë se u mbyll me kaq!
Falëm o Zot për atë që ndodhi, se nuk deshëm t’i bënim dëm Amerikës me fishekë kinezë!
Falëm o Zot për atë që ndodhi, se nuk deshëm të shqetësojmë gazetën “New York Times”!
Falëm o Zot për atë që ndodhi, se nuk desha t’i them gazetës “New York Times” letër higjienike!
Falëm o Zot për atë që ndodhi, se nuk desha t’i bëj dëm ambasadorit Withers, kur vura Fatmirin ta implikonte!
Falëm o Zot për atë që ndodhi, se nuk deshëm të shkelnim ligjet, ndaj bëmë VKM kastile për Gërdecin!
Falëm o Zot për atë që ndodhi, se nuk deshëm që të bënim sherr me prokurorinë për këtë çështje!
Falëm o Zot për atë që ndodhi, se nuk desha ta humbja kurrë Silvia Kontin!
Falëm o Zot për atë që ndodhi, por nuk deshëm t’i bëjmë presion presidentit për drejtësinë!
Falëm o Zot për atë që ndodhi, por nuk deshëm të rrëzojmë kandidatët e Gjykatës së Lartë për të mos na gjykuar për Gërdecin.
Falëm o Zot për atë që ndodhi, por nuk deshëm të bëjmë ligjin për pastërtinë e figurave për të ndëshkuar ata që do gjykojnë Gërdecin!
Falëm o Zot për atë që ndodhi, po nuk deshëm të bëjmë presion mbi gjykatat me nenin për konflikt interesi të gjykatësve që do shqyrtojnë këtë ligj!
Falëm o Zot për atë që ndodhi, por nuk deshëm të bënim kaq shumë ligje dhe vendime vetëm për të shpëtuar nga Gërdeci!
Falëm o Zot për atë që ndodhi, se nuk deshëm të bëjmë presion mbi medien që zbuloi e para historinë e Gërdecit!
Falëm o Zot për atë që ndodhi, por makinën e Mero Bazes bodyguard-i i djalit tim e dogji pa dashje, se po ruante para shtëpisë së tij dhe shkundi cigaren!
Falëm o Zot për atë që ndodhi, po nuk deshëm të bëhej kaq e madhe kjo puna e mbylljes së gazetës me policë!
Falëm o Zot për atë që ndodhi, por ne thjesht donim të fitonte ca lekë djali! Gjithë këto të tjerat ndodhën pa dashje.
Boll i ka, tha Flamuri me vete. Ishallah s’i ngatërron Fatmiri dhe thotë të vërtetën.
Flamuri qetëson dhëndrin e Berishës
2 shkurt 2009
Dje ndodhi gjëma. Listës së të papunëve që ka Flamuri, iu shtua dhe Jamarbëri. Kokulur si gjithmonë, ai trokiti në zyrën e Flamurit dhe kërkoi të bisedonte.
- Nuk flas dot me këta të shtëpisë, – tha, – se kam hall se më bërtasin, por mua më hoqën nga puna. Më kanë thënë ata të shtëpisë që ti merresh me këta që kërkojnë punë, ndaj po vij te ty.
- Po pse, ç’ke bërë që të hoqën? – i tha Flamuri i shqetësuar. – Flas unë me Sokolin, se s’ia mban atij të ma kthejë fjalën.
- Jo, nuk është punë e Sokolit. Ai as mua nuk ma kthen fjalën. Por me këta të Bankës Botërore. Ti e ke parë që kanë shkruar gazetat dhe ata janë mërzitur. Sot më njoftuan se do pezullojnë projektin.
- Mos u mërzit. Punë të gjej unë ku të duash ti, po puna është të mos bëjmë hapa të nxituar. Si ishte puna me këta të Bankës Botërore që t’u qepën?
- Asgjë. Unë po e ha kot. Unë jam marrë vetëm me hartat dhe me vijën e ndërtimeve. U kam thënë dhe atyre të shtëpisë, mos më ngatërroni me punë të tjera. Mirë më thanë. Merremi ne me këto të tjerat. Dhe ata janë marrë. Mua, për kokë të babit, s’më ka pyetur njeri. Madje, asnjë biznesmen nuk më ka takuar. Dhe kur kërkonte ndonjëri takim, i thosha shko në një studio ligjore dhe merru me ato, se ato e dinë ligjin. Dhe për koincidencë, të gjithëve që u thosha kështu, shkonin tek Argita. Po për kokë të babit nuk u kam thënë shkoni atje. Shkonin vetë. Dhe as e kam idenë se përse kanë biseduar. Se unë s’ngatërrohem me asgjë.
- E di, e di, – i tha Flamuri. – Njësoj dhe unë. Kurrë nuk ngatërrohem me këto gjëra. Kur vijnë për biznes, u them merrni një avokate të zonjën, kur vijnë për emërime, u them do pyes atë burrin dhe jam rehat. Dhe mua kështu më bën vaki. Sa herë u them u duhet një avokate e zonja, tek Argita shkojnë, po jo se u them unë. Shkojnë vetë. Ekonomi tregu është kjo. Ata te më e zonja do shkojnë. Dhe ty s’ka pse të vret ndërgjegjja.
- Jo, kam hall se do mërziten ata të shtëpisë. Ata më kanë pikë të dobët.
- S’ka gjë se flas unë me Luanin, – i tha Flamuri.
- Jo Luanin, jo. Lëre atë të shkretin në punë të vet. E kam fjalën për këta të shtëpisë, d.m.th., këtej nga Argita.
- Aha. Po normal që do bëhen merak, po hajt se e kalojnë ata.
- ǒtë të them o Flamur se flas si vëlla me ty. Na shkuan gjithë punët ters. U kthyem nga Kosova me shumë plane, asgjë s’bëmë. Më kujtohet kur rrinim në zyrë atje me Lulin. Sa herë e kemi menduar se ç’do bëjmë kur të kthehemi. Asgjë nuk bëmë. Atje ishim perfekt. Mbulonim shumë mirë njëri-tjetrin. Kur ikte Luli në Holandë, nuk i tregonte shefit, e linte derën e zyrës hapur dhe unë herëpashere e mbyllja dhe e hapja gjatë ditës. Nuk e kuptonte njeri fare që kishte ikur. Kur bënin ndonjë kontroll, u thosha iku deri në aeroport dhe kur e thërrisnin në handy gjithmonë në aeroporte ishte. Po nuk e thoshte në cilin. Tani jemi bërë të gjithë copë- copë. Tani s’e mbuloj dot më. Ja, e çuan në prokurori. Po përpiqemi sa mundemi me këta gjykatësit dhe kemi ecur ca. Në të parën kishim Fatmirën, këtu kishte daja atë shokun e vet, Pajtim Hoxhën. E ka daja shok të ngushtë….
- Kush dajë? Kë ke dajë ti? – e pyeti Flamuri.
- Jo, daja i Argitës, jo imi, – tha Arbëri. – Në Gjykatë të Lartë e kemi rregulluar. Akoma s’ka filluar gjyqi realisht se nuk janë legjitimuar palët. Ua kërkoi një nder babi atyre, u tha shtyjeni për datën 27, dhe e shtynë. Me siklet, po e shtynë. Se ata 15 ditë kanë të drejtë të shtyjnë.
- Kush, Luani i mori në telefon o?
- Jo, jo, babi i Argitës, se babi i them unë.
- Aha, e di, e di, më tha ai burri vetë. Se më raporton mua ai për çdo gjë.
- Jemi katandis si mos më keq. Lulin e përfolën, Argitën e përfolën, Zenin e përfolën, dhe unë që kisha ngelë i pastër, më përfolën. E kupton sa duhet të jetë mërzitur babi apo jo. Dhe ata të shtëpisë në fakt. Ndaj nuk dua t’u them që jam pa punë. Më gjej një punë ta shtyj si ta shtyj.
- Po është punë e rrogës, – i tha Flamuri.
- Rrogës. Ku di unë sa e kam pas rrogën. S’e kam pas marrë kurrë, se merrej Argita me financat. Po s’besoj se na duhet. Një vend pune më duhet.
- Mirë, ta gjej, – e qetësoi Flamuri. – Do flas dhe me atë burrin të mos bëhet merak, se ti s’ke faj. Kështu është kur fusin hundët armiqtë e Shqipërisë në Bankë Botërore. Nuk duan të bëhet Shqipëria. Mos ki merak se të ndreq unë diku.
MARS
Flamuri pret studentët që do punësohen nga programi Brain Gain
27 mars 2009
Flamuri priti dje studentët e kthyer nga programi Brain Gain, të cilët do të stimulohen nga qeveria për të punuar në administratën e lartë. Pasi përfunduan takimin me kryeministrin, studentët pyetën ministrin e Arsimit, Fatos Beja, se kush do të kujdesej për punësimin e tyre. Sipas asaj që kishin marrë si premtim, ata do të hynin në punë pa konkurse dhe do të stimuloheshin me një pagë shtesë për t’iu kompensuar rikthimin e tyre në atdhe. Fatos Beja i dëgjoi i hutuar pak dhe iu kërkoi një minutë leje që të pyeste. Pasi foli me dikë në telefon, u tha se duhet të shkonin te PD dhe të takonin Flamurin, pasi ai ishte personi i vetëm që merrej me punësimin në qeveri.
Studentët shkuan te Flamuri. Godina e PD ishte e mbyllur dhe atyre iu desh të prisnin në parking, derisa roja lajmëroi Flamurin.
- Fola me atë burrin, – tha, – dhe më tha t’u prisja. Mos kini merak. Do t’u rregulloj të gjithëve. Por më parë duhet t’u bëj një vizitë në PD. Tani do hyni me kujdes, se mos vriteni nga skela.
Pas dhjetë minutash gjithë studentët arritën të hyjnë brenda selisë. Ajri i ndenjur i selisë nga dyert e mbyllura iu shkaktoi disa teshtima mysafirëve. Flamuri, që e kuptoi, u tha mos të mërziten, se do ngjiteshin në kat të dytë dhe do hapte dritaren. I futi të gjithë te salla e madhe, ku bëhen mbledhjet e Këshillit Kombëtar.
- Tani uluni, – tha, – dhe m’u prezantoni pak që t’u kem parasysh.
Për çudi asnjë s’po ulej. Flamuri e përsëriti prapë kërkesën, por një studente tha: “S’ka problem, rrimë në këmbë.”
- Jo mo, uluni, se do flasim shtruar, – tha Flamuri. – Mund të ketë pak pluhur, por vendosni ndonjë shami, se ka katër vjet pa u hapur kjo sallë.
- Po përse ka shërbyer kjo? – e pyeti studentja.
- Këtu mblidhej Këshilli Kombëtar, – tha Flamuri, – kur ishim në opozitë. E mblidhnin zakonisht një herë në tre muaj, por ndodhte dhe një herë në muaj. Që nga viti 2005 nuk është mbledhur asnjëherë.
- Po pse nuk është mbledhur? – pyeti studentja. – Keni ndryshuar statutin e PD?
- Jo mo, statuti ai që ka qenë është, – tha Flamuri, – por s’kemi pas dhe kohë, se gjithë anëtarët e Këshillit janë në punë shteti dhe s’ia vlen të mblidhemi, pasi takohemi nëpër zyra, kemi kontakte me atë burrin personalisht…
- Unë kam mbaruar për shkenca politike, – tha një student, – dhe një nga kriteret për të funksionuar një demokraci normale është dhe demokratizimi i partive dhe respektimi i rregullave të lojës brenda tyre…
- Ou, mor djalë, je i ri. Do mësohesh, ndaj të kemi sjellë këtu. Ato që ke mësuar në libra, harroji. Po s’iu desh atij burrit, nuk mblidhet Këshilli, se s’ka ç’bën pa atë.
- Unë kam mbaruar juridikun në Paris, – tha një studente. – A ka të drejtë një anëtar i Këshillit tani të padisë kryetarin e PD për shkelje të statutit dhe ta shkarkojë, pasi, siç di unë në një rast të ngjashëm në Francë….?
- Ou, moj vajzë, paske ardhë me mendje të keqe ti. S’ka nga këto gjëra këtu, mos ki merak. Tani unë them të fillojmë prezantimin, boll me këto pyetjet për Këshillin.
Studentët filluan të prezantohen. Si përfundim, nga 70 vetë që ishin, 15 kishin mbaruar juridik, 20 ekonomik, 13 shkenca politike, të tjerët mjekësi, inxhinieri, madje njëri ishte specializuar për gjenetikë.
- Qartë, – tha Flamuri. – Tani mos u mërzisni. Më lini të gjithë numrin e celularit dhe unë do t’u njoftoj…
- Po ne kemi lexuar në faqe të Kryeministrisë se me rekrutimin e nëpunësve merret DAP, d.m.th., Departamenti i Administratës Publike.
- Hahaha, – qeshi Flamuri. – Ata janë kot. Unë ua jap. Pastaj ata bëjnë konkurse. Do merrni kot ndonjë shok, shoqe apo motër dhe do konkurroni. Po mos u bëni merak, se për ju s’do ketë konkurrencë. Do ua gjej unë vendet. Ja të shoh se kam ca letra këtu. P.sh., kemi nevojë për 8 vetë në dogana, do të punojë ndonjëri nga ju në dogana?
Asnjë nga kandidatët nuk ngriti dorën.
- Nuk doni në doganë? – pyeti Flamuri. – Është alamet vendi.
- Nuk kemi përvojë, – tha një prej tyre. – Ne jemi specializuar për gjëra të tjera.
- Sa budalla qenke! – i tha Flamuri. – Po unë kam çu dajën tim që është i moshuar dhe e bën shumë mirë. ǒka për të mësuar aty?! Jo ju që keni master, po dhe me shkollë të mesme e qan. Po në hipotekë do njeri të shkojë, se do lirohen ca vende, se do bëjmë ca arrestime këtë javë?
- Jo, – tha një vajzë, – se s’jemi specializuar për aty…
- Po ç’nevojë moj ka të specializohesh? Kam shokun tim unë aty, u tregon ai për pesë minuta si punohet dhe filloni punë. Epo kam dhe ca vende pune në polici ndërtimore, se dhe aty bëni ndonjë lek. Do ndonjëri vend aty?
Prapë qetësi.
- Epo ju s’qenkeni për punë, – tha Flamuri. – Paskeni ardhë të bëheni udhëheqës. Nga kjo sallë ku jeni ulur, të gjithë kanë vajtë në dogana, tatime, hipotekë dhe polici ndërtimi. Nga zyrat e tjera kanë shkuar në ministri. Hajt t’u tregoj zyrat e tjera.
Dolën në korridor.
- Ja, në fund ka qenë zyra e Besnik Mustafajt. Ka qenë sekretar për Marrëdhënie me Jashtë, u bë ministër i Jashtëm. Por andej dha dorëheqjen. Që atëherë unë nuk e qas më në zyrë këtu, megjithëse e ruan postin.
- Po kjo është e paligjshme, – tha një vajzë që kishte Ph.D.
- Ohu, këtu e bëj unë ligjin, s’ka ligje, – tha Flamuri. – Flas me atë burrin dhe e vendosim. Kështu e bëmë. Dhe në takimin e fundit me Partitë Popullore, në vend që të shkonte ai, dërgova Juelën dhe Gertin, dy zëdhënësit e atij burrit.
Zyra tjetër është e Ponit. Mos u afroni, se ka një aromë të rëndë, por ai u bë zv/ministër i Brendshëm. Zyra tjetër është e Forumit Rinor të PD. Tani e ka Qukapi. Është shoku i Shkëlzenit dhe këshilltar i Bujar Nishanit.
- Çfarë janë këta? – pyeti një nga të kthyerit.
- Njëri është djali i atij burrit, tjetri është kot, e kam vënë unë ministër. Pastaj vjen zyra e organizmit. Aty ka qenë Jemini, po tani është ministër Bujqësie. Vendin e tij e kam zënë unë, por unë kam më shumë kompetenca, se lidhem direkt me atë burrin. Në kat të tretë, zyra e parë është e KOP. Kush hyn aty, mjafton të shkelë, bëhet o ministër, o deputet. Tjetra në krah është e Bamirit. Kush shkel aty, bëhet president dhe nënkryetar partie. Tani e ka Astrit Patozi. Tjetra është e Ridvan Bodes. Ky është ministër i parave. Pastaj, kjo e madhja është e atij burrit, në fund e Jozefinës. Siç e shikoni, këto shanse kemi për punësim. Po doni tatime, dogana, polici ndërtimore, duhet të rrini te salla e madhe, po doni karrierë, bëhet nga këto zyra.
- Faleminderit, – thanë studentët njëzëri, të hutuar nga shpjegimi. – Po ti nuk na pyete çfarë dimë të bëjmë ne…
- Po ç’më duhet mua ç’dini ju, – tha Flamuri. – Unë po u tregoj si futesh në punë, jo si të më fusni mua në telashe.
Flamuri shikon ëndrra me Teksasin
20 mars 2009
Flamuri piu dje kafe me Fatmirin. Donte ta uronte për emisionin te TV “Klan”.
- Ishe i shkëlqyer, – i tha. – Fole rrjedhshëm dhe s’bëre asnjë gabim. Po dhe ata gazetarët të ndihmuan shumë, se s’kishin ku të të kapnin. Sa zili të kam për ato argumentet që gjete. Në fakt, s’më kishte shkuar mendja. I rreshtove të gjitha një për një: “S’kam përgjegjësi për VKM, s’kam përgjegjësi për urdhrin, s’kam përgjegjësi për kontratën, s’kam përgjegjësi për Delijorgjin, s’kam përgjegjësi për Pinarin, s’kam përgjegjësi për ushtarakët, s’kam përgjegjësi për fabrikën, s’kam përgjegjësi për të vrarët.” E qave fare. Në fakt, po e mendoja sot me qetësi dhe thosha me vete: Sa budallenj jemi treguar që jemi trembur në fillim për të vjedhur dhe për të bërë ndonjë lek. Po ç’përgjegjësi kemi ne, kur jemi shefa. Përgjegjësinë e kanë ata poshtë. E qave për Zotin, të kam zili.
- Po jo mo burrë, se këta ia fusin kot. Më thonë mua ke përgjegjësi ti, se ke dashur t’ia japësh që në fillim firmës së Delijorgjit këtë kontratë. Po s’ka lidhje fare mo burrë. Le që ti e di vetë. Mua më tha Zeni: “Kam nja dy miq amerikanë që duan të bëjnë një punë në Vorë”. Dhe në Vorë më thoshte gjithmonë, nuk më thoshte Gërdec. Dhe unë, dhe doktori Gërdecin më 15 mars e dëgjuam. Se ne e dinim në Vorë. Kështu na tha Zeni. “Kam ca miq amerikanë që duan të bëjnë një punë në Vorë”, – më tha. Mirë, i thashë, m’i sill t’ia bëj. Ishte dhe para Vitit të Ri dhe unë do ikja jashtë. I thashë, m’i sill nesër t’i bëj të gjitha brenda ditës. M’i solli, ia bëra tri licenca brenda ditës. ǒdonin më ata? Kur e pashë pastaj Delijorgjin që rrinte me Rrahmanin, e lidha muhabetin. Se rrinin te lokali te Shallvaret, si e ka ky mo përballë Tajvanit? I shihja çdo natë atje dhe mora Zenin në telefon. Ore, i thashë, po ti për Delijorgjin më erdhe mua, o? “Jo, – tha, – është Rrahmani, po është Rrahmani, jam unë d.m.th. Po ka gjetur atë Delijorgjin, se ai merr vesh nga këto punët e ushtrisë. Po mos bëj zë, se po dëgjoi babi për atë Delijorgjin, ma prish punën. Ia themi me takt më vonë.” Ai më siguroi që Delijorgji është kot, se më tha do çoj njerëzit e mi atje. Dhe i çoi. Ku ia jepja unë Delijorgjit?! Kishte një vit Ylli Pinari që më lutej për Delijorgjin dhe s’ia bëja. Ore bleu tokën në Bërxull, pagoi lekë për djalin, prapë s’ia bëja. ǒpunë kisha me atë unë. Pak shokë të mi kam unë në Berat dhe Fier që janë pa punë, pse do ta bëja me atë shkërdhatën?
- Ore, se më kujtove tokën, vërtet ke blerë fermë në Teksas? – tha Flamuri.
- Po jo mor burrë, se duan të më ngatërrojnë me Nazarin. Kur më bleu Pinari këtë tokën në Bërxull, i thashë fute në emër të një miku tim amerikan dhe Nazari tani më dha tokën e tij në Teksas. Po ku kam lekë unë të blej mor burrë. Thashë të bëj ca lekë shpejt e shpejt e të ikim, po ku të lënë këta shkërdhatat.
- D.m.th., ty s’kanë ku të kapin, se s’ke paguar lekë vetë? – tha Flamuri.
- Po jo mo burrë, ku paguj lekë unë. S’kam pagu kurrë lekë. Dhe kur blej veshje në dyqan, marr ata që m’i pagujnë, se s’dua të përdor kredit kartën, se lë gjurmë. Pastaj është dhe Jim që bleu INSIG. Shok i ngushtë i Nazarit. Ka fut dhe ai ca lekë o burrë, se i bëra gjithë këtë nder. Po pse o, pará janë këto, të blesh një fermë në Teksas. E ç’e dua unë fermën në Teksas në fund të fundit. Nder i kam bërë Amerikës, se në këtë krizë që janë, s’ka as shitje, as blerje. Vetëm nëse investojmë ne që kemi ndonjë lek cash.
- Po do na ftosh ndonjëherë në Teksas apo jo?
- Të mbarojmë këtë fushatë o Flamur, se është me spec. Duhet të bëhem deputet patjetër. Po u bëra unë deputet, pastaj është kollaj. Rifitoj imunitetin dhe ikën dosja nga Gjykata e Lartë në Gjykatë të Faktit. Bëhet një rrëmujë e madhe. Pastaj po ma hoqën, ikën prapë nga Fakti në Gjykatë të Lartë. Sorollatet puna nja dy vjet. Po fituam ne, i tredhim mirë këta gjyqtarët. Po humbëm, s’kanë ç’më bëjnë, se bëhem i persekutuar politik dhe bëhem si Fatos Nano pastaj. S’më fusin dot në burg. Unë kryetar republikanësh, Luli kryetar PD-je, të dyve s’na fusin dot në burg. Vetëm kështu shpëtojmë.
- Qenka plan i madh ky, – tha Flamuri. – Aman sa të mbarojnë zgjedhjet dhe të ikim një herë, të më kënaqet syri me tokë, se në Kukës veç male kam pa, o burrë. Të kemi dhe ne një fermë afër Bushit. Pash Zotin, sa larg e ke Bushin?
- S’e di, Nazari më ka thënë jemi afër, po ai e ka më të madhe o burrë se është 250 vjet familje. Ne sa kemi filluar, por për nja dhjetë vjet po vazhduam kështu, e arrijmë. Jemi racë vitale ne.
- Hahaha, e madhe, – tha Flamuri. – Unë them të gjejmë ndonjë udhëkryq ku kalon Bushi dhe të vëmë një tabelë “Fushëkruja’s Farm” që t’i tërheqim vëmendjen. Dhe vjen për 5 minuta ai. T’i bëjmë një surprizë atje, se s’i dihet. Do ketë ndonjë gjë në dorë dhe ai, se një vëlla e ka guvernator, fëmijët i ka të rritur. S’i dihet ç’na del.
- Mirë Flamur, mirë, – i tha Fatmiri, – por po e bën si ai fshatari që doli të shiste vezë me shportë në kokë dhe ëndërronte për zogjtë, dhe nga gëzimi i rrëzoi vezët dhe mbeti pa gjë. Na duhen patjetër zgjedhjet, patjetër unë dhe Luli kryetarë, po humbëm. Pastaj Teksasin e bëjmë këtu ne.
Flamuri merr masa për gjendjen moralo-seksuale të mazhorancës
9 mars 2009
Flamuri e ka pasur të ngjeshur me punë fundjavën e kaluar, të dominuar prej skandalit Pango.
Ai burri e ka thirrur disa herë tête-à-tête dhe e ka ngarkuar të marrë masa për shëndoshjen e gjendjes moralo-seksuale të qeverisë dhe të mazhorancës në tërësi.
- Flamur, duhet me marrë masa. Me këtë të vjedhur, me këtë të ngrënë e të pirë që kanë bërë këta bashkëpunëtorët e mi, nuk mbahen fare, se janë bërë si dema race. Me na dalë ndonjë kasetë tjetër, na mori lumi, ndaj duhet me marrë masa. M’i mbaj në sy ata që duken si më hamshorët.
- E bela, ç’më gjeti mua, – tha Flamuri duke dalë, – sa shpëtova nga ndërzimi artificial në atë fshatin e Hasit, të merrem me këta ministrat e drejtorët tani. S’m’u ndanë kusuret.
Iu përvesh punës. Ndërtoi një listë me ministra, deputetë, drejtorë, këshilltarë dhe vendosi t’i thërrasë e t’i paralajmërojë një nga një.
Të parin thirri ministrin e Bujqësisë, Jemin Gjana.
- Dëgjo mixhe, se të kam dhe nga zona ime. Po të doli ndonjë kasetë, unë s’të mbroj dot, ndaj mblidh mendjen. Mo të shoh më në ministri, po të doli kaseta.
- ǒthua, – i tha Jemini, – po unë jam burrë i martuar?! Pastaj unë tani shoh për të bërë ndonjë lek, s’e kam mendjen nga femrat.
- E, ashtu thoni ju të gjithë, veçse kur iu bie kasetën Filipi, bëni si shpirt i keq. Të kam timin, ndaj të them. Ke sekretare?
- Domosdo që kam. Ku ka ministër pa sekretare??!
- Hiqe, po më dëgjon mua, vër një burrë.
Të dytën thirri Majlinda Bregun.
- Po të doli ndonjë kasetë, mo të shoh më në ministri, se më ka thënë vetë ai burri.
- Qyqja, po pse mo ty kanë vënë të na mbrosh nderin?! Pikaaaa.
- S’e kam nga vetja, e kam nga ai burri. Ai ka cipë, nuk i duron këto gjëra. E pe ç’i bëri atij cipëplasurit tuaj të KOP-it?
- E mo, thuaja dhe atij burrit se cipa s’është gjë, është thjesht kompleks.
I hodhi një sy me tutje listës dhe vendosi që ta mos i thërrasë të gjithë.
- Ja ky Nishani është i sëmurë, s’është ky as për seks, se mezi rri në këmbë. Po dhe ky Genci të shikon vetëm nga duart se mos i çon gjë, ka kohë që s’shikon njeri nga këmbët. Frikën ia kam këtij holandezit, Lul Bashës, se mos na bën ndonjë proçkë. Nuk kam hallin e ndonjë kasete me gra.
Në mëdyshje ndenji tek emri i Rosinant Pones, të cilin tani e thërriste me këtë emër, siç e quante dhe ai burri. Pasi u mendua gjatë, vendosi të mos e thërrasë.
- Po ka femër që i afrohet atij me atë erë që bie nga të palarët?! Po pati dhe Rosinanti dashnore, vaftë jeta, arsyetoi.
Aty nga mbrëmja e thirri prapë ai burri. E pyeti se ç’masa kish marrë.
- Doktor, mos ki merak për kaseta të tjera, veç po i ka mbetur Filipit ndonjë e vjetër se që këtej e tutje…
- Pse, ç’u bërë, mos i kastrove fare?! Të thashë vetëm t’i trembesh dhe t’i këshillosh të bëjnë kujdes dhe këta tre muaj që jemi.
- Jo, kam gjetur një metodë më të mirë. S’na akuzojnë as këta perëndimorët se po ju shkelim të drejtat, se ti e di që ata janë të ndjeshëm në këto punët e lirive seksuale.
Të gjithë ministrave iu kam vënë password në kompjuter Yllin. Sa ndezin kompjuterin, del password-i Ylli Pango. Me të parë këtë, u kujtohet si e shkarkove ti për katër minuta dhe s’ka asnjë prej tyre që të bëhet burrë për gjithë ditën.
Po kam merak këta deputetet. Bisedova me Astritin që t’i detyrojë të gjithë që çdo mëngjes të kthehen nga dielli e të thonë tri herë me zë të lartë Ylli, Ylli, Ylli. Pastaj s’iu shkon më mendja për femër.
PRILL
Gratë e Tufinës i ankohen Flamurit për burrat që i tradhtojnë me faturisten e KESH
29 prill 2009
Një letër nga disa gra të Tufinës i është drejtuar Genc Rulit dhe Gjergj Bojaxhiut. Gratë e Tufinës kërkojnë që gruaja, e cila u mbledh lekët e dritave, të pushohet nga puna, pasi ato dyshojnë se ajo u merr më shumë lekë nga sa duhet burrave të tyre.
Një kopje e letrës mbërriti dhe te Flamuri. Ky i fundit u trondit nga përmbajtja dhe filloi menjëherë verifikimin.
Së pari mori në telefon Bojaxhiun.
- A është e vërtetë kjo që thonë këto gratë për këtë faturisten tuaj? – tha Flamuri.
- S’di ç’të them, – i tha Bojaxhiu. – Për mua është grua shumë korrekte. I kam thënë që, nëse nuk i mbledh lekët në Tufinë, do të të heq nga puna. Dhe ajo m’i ka sjellë në rregull. Se ç’metoda ka përdorur, nuk e di, por mua m’i ka sjellë në rregull lekët. I shqetësuar mori në telefon Genc Rulin.
- A të ka ardh kjo letra e grave të Tufinës që ankohen për faturisten e KESH që i rropi burrat e tyre duke u marrë lekët? – e pyeti.
- Nuk di ç’të të them, – i tha Ruli. – Mua plani më del në rregull. Më rezulton që kjo gruaja mund të ketë marrë bakshish ndonjë punim artistik nga burrat, por jo lekë. S’kam dëgjuar gjëra të tilla. Shiko se mos kanë zili ato gratë, se mund të jetë e pashme kjo gruaja.
Kjo e hutoi dhe më shumë Flamurin. Nuk dinte ç’të bënte me këtë ankesë. Ta merrte atë burrin në telefon, ai ishte në Poloni dhe akoma nuk i kishte ikur gëzimi i aplikimit në BE. Sidoqoftë, një zgjidhje i duhej dhënë, pasi ai është i ndjeshëm ndaj skandaleve seksuale. Vendosi t’i bëj telefon.
- Më ka ardhë një letër shqetësuese, – i tha Flamuri me druajtje….
- Flamur, aplikimi ishte një fitore e madhe. E kemi meritu me kohë këtë aplikim. Duhet me e festue. Duhet të porosisësh urgjent 200 mijë, … jo 350 mijë…, jo 500 mijë postera, ku të shkruhet “Shqipëria, në Evropë”. Jo, duhet me e bë. S’ka problem për faturën, fol me atë që bën gjithmonë pazare për këtë punë dhe i paguajmë.
- Dakord, doktor, e bëj unë, po desha të të them një ngjarje që ka ndodhur në Tufinë.
- Flamur, na duhen vetëm ngjarje që dëshmojnë identitetin tonë evropian, që jemi një vend që meritojmë Evropën.
- Po, ndaj desha të të pyes, – i tha Flamuri, – se disa gra nga Tufina po ankohen për ngacmime seksuale nga një punonjëse shteti…
- Si, në Tufinë? Po çne në Tufinë, qeveria i ka zyrat në Tiranë…?
- Jo, jo, s’e kanë me qeverinë qendrore, por me një grua, që besojnë se u merr lekë burrave të tyre dhe ata justifikohen se është shtrenjtuar fatura e dritave.
- Flamur, kush është kjo gru…?
- Një punonjëse e Genc Rulit, d.m.th., varet nga Bojaxhiu, d.m.th., e ka fut në punë Sait Dollapi, d.m.th., s’e di, mund ta kem futë dhe unë.
- Flamur, kjo është një gja shumë e rëndë. Dyshoj që e kanë sajuar të tërheqin vëmendjen nga aplikimi në BE. Duan të na tregojnë popull primitiv. Jo Flamur, duhet ta sqarosh këtë. Nëse është e vërtetë, ajo gru për 4 minuta të pushohet nga puna.
- Nuk kemi fakte, – tha Flamuri, – kemi vetëm një letër të atyre grave…
- Shikojini mirë ato gra, Flamur. Nëse janë socialiste, atëherë ajo gru, për të cilën ankohen ato, duhet dekoru dhe duhet ngritë në përgjegjësi, nëse janë demokrate, ajo gru duhet pushu. Jo, se kjo na errëson gjithë suksesin. Fol me Rulin, jo, mos fol me Rulin, fol me Bojaxhiun, jo, as me Bojaxiun mos fol… shiko, takoje vetë njëherë atë gruan dhe shiko ç’tip është, jo vetë jo, se s’dihet, provokon, çfarë të bëjmë me të, çfarë të bëjmë… shiko, mirë shumë, lëre këtë muhabet Flamur, do na e kenë sajuar që të errësojnë hyrjen në BE. Mos u merr me të..
Teksti i letrës
Ju çqetësojn disa gra të zonës Tufin, rrethit Tiranës
U banë tre vjet si Drejtorija e Keshit ka sjell në ket zonë nji gru si quhet Merjeme për të shiqu sahatet e energjisë.
Zonja Merjeme nuk paska ardhur për të shiqu sahatet, por paska ardhur për të vazhdu zanatin e saj si prostitutë.
Nu kemi lekë me mbajtur fëmijët me bukë, ato lekë që kanë burrat, ia japin kësaj prostitute.
Lutemi asaj ministrije dhe personalisht ministrit të Energjetikës të na e largojë sa ma parë këtë gru prostitutë nga kjo zonë se na qiti në rrug të madhe, na la fëmijët pa bukën e gojës.
Mbetemi me shpresë
Sa thamë ma sipër, jemi shumë gra, por pak po shkruajmë emrat
(Vijojnë emrat)
Balliu lobon te Flamuri për listën në Elbasan
15 prill 2009
Flamuri pati dje takim me Fahri Balliun. Takimin ia kërkoi Fahriu, se jetojnë në një pallat. Në fillim kanë pas shkuar keq, se Flamuri nuk ishte dakord që lekët e Delijorgjit të mos shkonin te partia, por te Fahriu. Por më pas u morën vesh.
Dje Fahriu kishte marrë një tufë më libra nën sqetull dhe ia la Flamurit mbi tavolinë.
- Ju më thoni ç’i ke bërë lekët, – tha. – Ja, libra i kam bërë. Dhe unë kam besim te shijet e tua intelektuale, se ti duhet të më kuptosh. Unë gjithçka e kam bërë për këta libra. Nuk kam pas qëllim të fitoj.
- ǒjanë këta libra? – tha Flamuri. – Vetë i ke shkruar…?
- Jo, jo, i kam botuar unë. I kanë shkruar të tjerët. Si të them, unë thjesht i kam botuar. Por dua të të them se këtë e kam bërë që të thuhet se njerëzit e PD merren me libra.
- Po ç’e do, s’e thotë njeri, – tha Flamuri. – Tani të gjithë thonë që merresh me fishekë. Iku kjo punë.
- Na, lexoje këtë libër, – i tha Fahriu. – E ka bërë një nga Vlora, Petrit Velaj. Ka qenë në burg. Është intelektual brilant. Lexoje, hidhi një sy.
Flamuri e mori, se iu duk i hollë. E hapi te një faqe e palosur. Ishte një vjershë kushtuar Fahri Balliut.
Vjersha fillonte:
O Fahri, Fahri Balliu,
S’të hyn në sy pasuria
Pena në dorë të ngriu,
Gjithçka për ty Shqipëria…
- Qenka vjershë e madhe shumë, – tha Flamuri. – Kush është ky Velaj?
- Është intelektual i shquar, – tha Fahriu, – ka dhe strofa të tjera, po s’ka rëndësi. Ta dhashë ta kuptosh se ç’mendojnë njerëzit për mua.
- Shumë e vështirë Fahri, ç’të të them unë? – i tha Flamuri. – Më ka thënë dhe Lul Basha që ka shumë respekt për ty dhe që të do në krah në Elbasan, por më kanë ardhur gjithë seksionet e Elbasanit këtu. Më thonë: “Po e pamë atë në Elbasan, dolëm me dhjetë për qind”.
- Këtë dua të më zgjidhësh, – i tha Fahriu. – Kur të vijnë ata këtu, t’u thuash që ai burri ka dhënë porosi që unë do jem i katërti në Elbasan. Le mos të jem në fund, por atyre nuk u duhet hapur rrugë. Ata i fut Sigurimi Flamur. Ti nuk e njeh Sigurimin. Ma ka shpjeguar Lal Hekri mua ç’bënte në Elbasan. Kërdinë ka bërë. I kam ditë që atëherë. Tani, kur i shikoj, e kuptoj kush ka qenë. Le që s’ka nevojë ta dish. Shiko, kush flet kundër meje, është ose spiun, ose homoseksual.
- Jo, jo, – tha Flamuri. – Lul Basha s’ka fol kurrë kundër teje.
- Jo, s’e kisha për Lulin, – tha Fahriu, – po në parim. Kjo punë e kandidimit mua më duhet patjetër. Tani që i vura gjithë punët në vijë, më vranë. Të siguroj që ka udhëzime në PS që unë të mos jem në parlament. Se po të jem unë në parlament, ata s’dinë ku të futen. Shiko njerëzit e paanshëm si shkruajnë. E lexove atë vjershën?
- Po, po, – tha Flamuri, dhe e kapi gazi. – Si e kishte thënë ai: “O Fahri, Fahri Balliu/ S’të hyn në sy Shqipëria, pena në dorë të ngriu/ gjithçka për ty pasuria…”
- Jo, e ngatërrove, – i tha Fahriu. – Ngatërrove pasuria me Shqipëria. Duhet s’të hyn në sy pasuria.
- Kujt, ty o?! – tha Flamuri i habitur.
- Ja, e ke në libër, – tha Fahriu, – lexoje.
- Ik o Fahri se unë s’para lexoj libra, po me këtë libër që më dhe, dhe nja dhjetë vjet të tjera nuk prek libra me dorë. Si mund të thotë njeriu për ty që s’të hyn në sy pasuria! Ti për atë pasuri na bëre gjëmën.
- Shiko, mos bjer pre e lojës së Sigurimit, – i tha Fahriu. – Unë e di që ata kanë investuar që unë të mos bëhem deputet. Se qarqet serbo-greke këtë duan.
- Cilat qarqe serbo-greke? – i tha Flamuri. – Delijorgji është grek, me atë bëre fabrikën, Markoviç është serb, me atë po merr tenderët e rrugës.
- Këto janë qarqe greko-serbe pozitive, e kam fjalën për ata që janë negativë. Këta janë pro nesh, janë pro Shqipërisë. Të tjerët janë kundër nesh.
- Nuk e di, – tha Flamuri. -Të vetmit serbo-grekë që njoh, këta miqtë e tu janë. Kështu që nuk i shaj dot.
- Nejse, mendohu dhe njëherë, – i tha Fahriu. – Unë po ta lë këtë librin. Lexoje, se ata janë njerëz që dinë të vlerësojnë. Dhe Lul Bashës i ka pëlqyer. Po e përkthen në anglisht, t’ua tregojë të huajve. Madje i dhashë leje të thotë që e kanë për atë, se dhe ai për Shqipërinë e bëri gjithë atë rrugë, nuk e joshi pasuria.
Flamuri merr udhëzime për luftë kundër Bashës
10 prill 2009
Flamuri ishte dje i shqetësuar për gjyqin e Lulzim Bashës. Pas njoftimit se çështja e tij u pushua, Flamuri filloi të turfullonte. Jozefina e mori në telefon e mërzitur.
- Asht lojë Flamur, – tha. – Kanë dashtë me e shptu kta plehnat. Mos i beso. Krejt e ka bo ajo shtriga. Merret me Fazllira e Fahrira, e nuk merret me Lul Bashën që e ka hak me e futë mrena….
- Kam frikë se ka pasë qejf dhe ai burri, – tha Flamuri.
- Jo Flamur. Ne jena për dur t’pastra. Ne nuk dum t’i myllim çështjet, dum t’i gjykojmë. Ket e kan ba kta sigurimsat e vjetër, se dun të na diskreditojnë si t’lidhun me komunizmin. Jo këtë nuk e ha unë. Nuk kam ndërmen me shkatërru kët parti për një plehën të ardhun prej Holande.
- Nuk e di ç’të them, – i tha Flamuri, – dhe unë jam i shqetësuar, po ai burri ishte i gëzuar.
- S’ka çka me ba. Do bajë si i gzum, por kjo na varros t’gjallë. Nuk ia kemi ngenë tash t’i riheqim imunitetin me e çu për hetim. S’e hoqme e s’e hoqme këtë imunitet të kishim shptu prej tij. Ec e duro këtë plehën tani.
- S’e di, – tha Flamuri, – po nuk i kemi punët mirë. Ky Kuqo është ngjallur dhe do të vijë në PD në vend tënd. Ia nxora do letra dje, por po më detyron t’i botoj përditë nga një, se m’i ka lënë ai burri këtu të gjitha. Tani dhe ky Luli do me ardhë në vend të Bamirit. Po erdhën këta, unë s’kam më vend këtu. S’di ç’të bëj.
- Hiç mos u mërzit. Mos ta ndin për ta. As kam me i qas te dera e partisë.
- Po e kemi vështirë, se po i zbojmë njerëzit tanë dhe po u hapim rrugë këtyre.
- Kë po zbojmë mor?
- Po ja, Besnikun po e zbojmë. Unë kam marr detyrë të thërras çdo natë kryetarë seksionesh, t’i fus në punë dhe t’u them votoni Aldo Bumçin. Aldo bëhet menjëherë me këta të dy. Unë luftoj kot për të.
- Besnikut mirë boll ia bani ai burri, se ka lujt me Bamirin.
- Jo dhe aq mirë, – tha Flamuri. – Se tani duhet ta nxjerrim pa asnjë votë. Se po na mori 20 ose 25 për qind të votave, do thonë njerëzit paska shumë vota kundër atij burrit në PD.
- Me e lanë atë me marr 25 për qind? Po pse mor, a do t’i numuroj Ristani apo ti votat që do marrka 25 për qind ai? Leni mor aty dhjetë vota, boll i ka. Çka me i ba këtij plehnës s’Holandës unë që ma fali ajo shtriga se Besniki të shikojë punët e veta.
- Ky Luli shoqërohet shumë dhe më këtë Fahriun, – tha Flamuri.
- Po mirë boll që shoqërohet me atë. Duhet me e nxitë me shku me të në Elbasan se as 10 për qind nuk merr. Me e pa kush me Fahriun në Elbasan, s’del nga shpija me votu për PD. E me dal keq në Elbasan, ai e fluturoi prej partie, s’e qas as te Bar Kalaja.
- Ore, puna është mos humbasë, – tha Flamuri, – se po humbëm, nuk vjen më vetë te partia ai, se shkon, o në gjyq, o në mërgim.
- Ai duhet me u fut në burg Flamur. Por kjo shtriga na e ka falë. Dun me e ba hero, me e dënu, kur të jena në opozitë e me iu duk vetja Fatos Nano atij, të bëhet kryetar. Veç në e lansha unë me u ba.
- Se ky Fahriu na hapi telashe kot me këtë Delijorgjin. Le që ai Delijorgji ka thënë nëpër telefona se ka dhënë 1 milion euro për PD më 2007. I ka kapë prokuroria. Për Zotin, tek unë asnjë lek s’ka sjellë, s’di ç’i ka dhënë Fahriut.
- Qitja mor letrat, çka po ja man hatrin atij. Krejt Fahriat e Fazlliat po i durojmë na. Ata bajnë miljona, na heqim kusuret e tyne. Plehnat e dreqit. Po kur hapi fjalë që u ba dhe katolik. Jam pagëzu te prifti i Velipojës, thoshte. Ku ku për na. Veç kur më tha prifti “s’kena ç’ka me i ba, se asht ba synet.”
- Po mor po, – i tha Flamuri. – Vajza jote e shtyn me 100 euro në muaj në Itali, vajza e tij ka makinë 90 mijë euro këtu. E krejt i hamë ne. Se e kam dhe komshi dhe s’dua të hapet llafi, por ka një shtëpi sa dy kate, po s’dua të flas, se ashtu është puna. - Lene mor, çka me folë me të. Boll që asht mik i Lul Bashës, e kupton çfarë race janë. Krejt me këta sigurimsat që i mbrojnë e që na i faturojnë ne pastaj. S’kena ç’ka me i ba. Duhet me luftu!