E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ata që bëjnë thirrje për revoltë, do mbajnë përgjegjësi të veçanta

19-05-2011 / Gazeta 55

Catherine Ashton, Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Çështjet e Sigurisë

“BE inkurajon që procesi zgjedhor të finalizohet në mënyrë konstruktive dhe brenda kuadrit institucional dhe ligjor”

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Çështjet e Sigurisë, Catherine Ashton, bëri dje një deklaratë lidhur me disa aspekte të zgjedhjeve vendore në Shqipëri. Shefja e diplomacisë Evropiane theksoi se procesi zgjedhor duhet të finalizohet në mënyrë konstruktive dhe brenda kuadrit institucional dhe ligjor. Ajo ndalet tek rezultati i ngushtë elektoral në bashkinë e Tiranës, duke theksuar se palët politike të gjejnë zgjidhje së bashku. “Në vijim të votimit më 8 maj, ne kemi vëzhguar numërimin e votave dhe kemi pritur shpalljen e rezultateve zyrtare, përpara se të bëjmë një vlerësim përfundimtar. Rezultati i ngushtë në zgjedhjet bashkiake në Tiranë do të thotë që të dyja palët duhet të komunikojnë, të kapërcejnë ndryshimet dhe të gjejnë zgjidhje”- u shpreh Ashton. Duke iu referuar incidenteve të djeshme si dhe retorikës konfliktuale të përcjellë nga eksponentë të Partisë Socialiste, Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Çështjet e Sigurisë, Catherine Ashton, deklaroi se do të ishte gabim i madh vënia në rrezik e jetës së qytetarëve. Sipas saj, kjo do të ishte një përgjegjësi e veçantë e këtyre përfaqësuesve të politikës. 
“Zhvillimet e sotme treguan brishtësinë e situatës politike. Unë u bëj thirrje të gjithë udhëheqësve politikë në Shqipëri dhe në qytetin e Tiranës të mbështesin përmbylljen e procesit zgjedhor në mënyrë paqësore, konstruktive dhe me vështrim nga e ardhmja. Kjo duhet bërë brenda institucioneve ekzistuese dhe kuadrit ligjor, rregullave dhe praktikave ekzistuese. Të gjithë udhëheqësit politikë mbajnë përgjegjësinë e veçantë e të mos vënit të jetës së qytetarëve në rrezik”- deklaroi më tej shefja e diplomacisë Evropiane, Ashton.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›