E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Palët politike të gjejnë një emërues të përbashkët për të ecur përpara”

19-05-2011 / Gazeta 55

Ambasadori amerikan Alexander Arvizu

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu foli dje për  situatën politike të krijuar në vend, pas zgjedhjeve vendore të 8 majit. Gjatë një interviste për “Ora Neës”, diplomati amerikan thekson se mazhoranca, apo koalicioni qeverisës vuri në dukje në këto zgjedhje se ka fituar shumë më tepër vota në nivel kombëtar, në të gjithë vendin. Ai konfirmon se Koalicioni “Aleanca për Qytetarin” morën 7 nga 11 minibashkitë. Socialistët, jo vetëm mbajtën shumicën e qyteteve që kishin pasur, por edhe shtuan disa të tjera.
Sipas tij zgjedhjet e 8 majit kanë qenë zgjedhje ku të dyja palët mund të shprehen në mënyrë legjitime se arritën rritje. Është disi e pafat që sot jemi në situatën e tanishme, shprehet  ambasadori Arvizu. Ndërkohë ai  bëri  thirrje që të gjitha palët të përpiqen të punojnë brenda kuadrit ligjor. Në lidhje me situatën e krijuar në KQZ, Arvizu u shpreh: “Problemi është që vetë Kodit i bëhen interpretime të ndryshme. E rëndësishmja është që cilido të përpiqet të qëndrojë sa më i qetë që të mundet. Kuadri ligjor, sundimi i ligjit, është shumë i rëndësishëm, por për shkak të polarizimit politik – dhe këtë e shohim haptas në KQZ”.
Arvizu bën apel që të dyja palët duhet të gjejnë emërues të përbashkët për të ecur përpara

Pyetja e parë dhe më e rëndësishme për momentin është për situatën politike në vend. Kemi parë një situatë të pazakontë në takimin e KQZ-së dhe ndërtesën e saj sot. Cili është mesazhi juaj për të gjithë këtë situatë dhe për atë që po ndodh?
Jam i çliruar që numërimi mbaroi dhe dukej që numërimi ishte mjaft i saktë ndaj ishte kënaqësi që të shihja atë përfundim. Sigurisht, e dimë që rezultatet paraprake nuk u bënë zyrtare por të gjithë e dimë se cilat ishin rezultatet paraprake. Në atë kohë, shpresoja që kjo do të formonte bazën mbi të cilën do të ecnim të gjithë përpara. Shumë njerëz në atë kohë i përshkruan si zgjedhje të mira. Ç’është më e rëndësishmja fitoi populli shqiptar. Koalicioni qeverisës vuri në dukje se kishte fituar shumë më tepër vota në nivel kombëtar, në të gjithë vendin. Mendoj se ishin të kënaqur edhe që morën shtatë nga njëmbëdhjetë minibashkitë, të paktën mendoj që fituan shtatë nga njëmbëdhjetë. Socialistët, jo vetëm mbajtën shumicën e qyteteve që kishin pasur, por edhe shtuan disa të tjera. Ndaj, mendoj se kanë qenë zgjedhje ku të dyja palët mund të shprehen në mënyrë legjitime se arritën rritje. Është disi e pafat që sot jemi në situatën e tanishme. Mendoj se një gjë e tillë gjithashtu thekson rëndësinë kritike që ka, të ecim përtej zgjedhjeve të tanishme dhe të përqendrohemi tek reformat, përfshi reformën e Kodit Zgjedhor. Mendoj që janë nxjerrë shumë mësime mbi bazën e këtyre zgjedhjeve. Duhet që disa prej tyre të zbatohen.

Ju jeni takuar sot me Presidentin e Republikës, Bamir Topi, dhe Kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama. A mund të na thoni çfarë mesazhi iu keni përcjellë atyre dy personaliteteve të larta dhe se cili është mesazhi që iu përcillni të gjitha forcave politike të vendit sot?
Sot pasdite kam edhe një takim tjetër, me Kryeministrin, pasi të largohem prej këtu. Jam duke bërë përpjekje për të dëgjuar cilindo se cilat janë perspektivat e tyre mbi situatën. Mendoj që duhet të jemi të sinqertë: kjo është një situatë e vështirë. Shumë njerëz ndihen të frustruar, edhe emocionalë. Mendoj që e rëndësishmja është, aq sa është e mundur, që të gjitha palët të përpiqen të punojnë brenda kuadrit ligjor. Këtu përfshihet Kodi Zgjedhor por edhe mjete të tjera ligjore. Problemi është që vetë Kodit i bëhen interpretime të ndryshme. E rëndësishmja është që cilido të përpiqet të qëndrojë sa më i qetë që të mundet. Askush nuk do të shohë ndokënd të lëndohet, qofshin protestues paqësorë, deputetë, kalimtarë, apo oficerë policie. Askush nuk do të shohë askënd të lëndohet. Nëse njerëzit përpiqen të punojnë brenda kuadrit ligjor dhe nëse përpiqen të shohin përtej zgjedhjeve, të shohin përpara tek qeverisja, mendoj se përfundimi do të jetë i mirë.

Megjithatë, aktualisht, KQZ vazhdon të hapë kutitë e disa prej KZAZ-ve të ndryshme. Cili është komenti juaj mbi këtë veprim të KQZ-së?
Është pak e vështirë të bësh komente në hollësi. Mund të them këtë: mendoj që do të kishte qenë ide e mirë që KQZ-ja të kishte shpallur qoftë edhe rezultatet zyrtare paraprake, qoftë edhe si pikënisje. Mendoj do të kishte qenë një hap i dobishëm sepse do t’i kishte dhënë mundësi sfidave apo çështjeve pasuese, përfshi ato lidhur me nëse duhen numëruar votat e devijuara apo të vendosura në kutitë e gabuara. Sigurisht, një tjetër problem, me sa e kuptoj unë, është që Tirana është unike në vend në kuptimin që vetëm kryeqyteti nuk ka komisionin e vet zonal kushtuar atij. Duket sikur vetvetiu, KQZ funksionon si komisioni zonal për Tiranën. Shumica e ekspertëve me të cilët kam folur mendojnë që kjo nuk është ide e mirë sepse i merr KQZ-së paksa nga misioni i saj qendror, funksionin qendror. Megjithëkëtë, kështu është Kodi Zgjedhor; ka disa mangësi, por përbën bazën mbi të cilën të mund të zhvillohen zgjedhje. Mendoj se një gjë e tillë gjithashtu thekson rëndësinë kritike që ka, të ecim përtej zgjedhjeve të tanishme dhe të përqendrohemi tek reformat, përfshi reformën e Kodit Zgjedhor. Mendoj që janë nxjerrë shumë mësime mbi bazën e këtyre zgjedhjeve. Duhet që disa prej tyre të zbatohen.

Amendoni se pasi të takoheni me Kryeministrin, pasi jeni takuar tashmë me dy përfaqësues shumë të lartë politikë të shtetit, do të kemi një situatë të ndryshme në vend?
Shpresoj të shpreh qartë se cila është pikëpamja jonë dhe, në thelb, ajo është që ne nxisim me forcë palët që të përpiqen të punojnë brenda kuadrit ligjor. Më lejoni të jem i ndershëm: mendoj një nga sfidat është që kuadri ligjor në Shqipëri nuk është aq i zhvilluar sa mund të ishte. Edhe në një vend me një traditë të gjatë të kuadrit ligjor si Shtetet e Bashkuara, ne shpesh merremi me situata të cilat nuk i kemi hasur më parë. Dhe, siç kanë përshkruar edhe raporti i ODIHR në vitin 2009 edhe raporti paraprak i ODIHR tani, këtu ka polarizim të fortë politik. Ky është realiteti politik këtu. Pra, po, kuadri ligjor, sundimi i ligjit, është shumë i rëndësishëm, por për shkak të polarizimit politik – dhe këtë e shohim haptas në KQZ – duhet të ketë një dëshirë nga të dyja palët për të gjetur emërues të përbashkët për të ecur përpara. Dhe unë jam besimplotë që njerëzit mund ta bëjnë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›