Florjon Mima: Edi Rama sulm vrasës ndaj INSTAT, kërkon t’i lerë shqiptarët pa punë dhe pa viza

Partia Demokratike reagoi sot ndaj tendencave destruktive të kryesocialistit në largim, Edvin Kristaq Rama, për të mohuar të vërtetën e të dhënave të INSTAT, mbi punësimin e shqiptarëve, rritjen ekonomike dhe reformat e qeverisë në sektorët më të rëndësishëm financiarë të vendit. Deputeti demokrat Florjon Mima, u shpreh se qëllimi i vetëm i kryesocialistit në largim është të vrasë një nga asetet më të vyera të kombit, për të shtrembëruar arritjen e qeverisë në punësimin e shqiptarëve dhe progresin ekonomik. “Dje zoti Rama tentoi të vriste një nga asetet më të vyera të këtij kombi, besueshmërinë dhe vërtetësinë e të dhenave zyrtare të prodhuara në mënyrë të ndershme, të ligjshme dhe transparente nga një trup i pavarur, profesionist dhe me integritet Instituti i Statistikave të Republikës së Shqipërisë. Kjo pavarësi dhe kjo besueshmëri e ngritur prej shqiptarëve në 20 vite pune, mund e djersë dhe e certifikuar nga të gjithë partnerët tanë ndërkombëtare, tentohet të dhunohet të ç’bëhet e të varroset prej njeriut që ka fobi shifrat, prej njeritu që kurrë nuk arriti të kuptojë së nuk është faji i institutit që të ardhurat për frymë të popullsisë kanë shkuar mbi 4 mijë dollarë, nuk është faji i Institutit që eksportet po dyfishohen, nuk është faji i institutit që punëzënia po rritet ditaditës dhe papunësia po zbret. Faji është i një njeriu të vetëm që do t’i shohë shqiptarët pa viza, pa punë dhe pa mirëqënie”, u shpreh deputeti Mima. Sipas tij, Rama kërkon të intimidojë punonjësit e këtij institucioni, t’i ndrydhë e t’i frikësojë ata. “U themi punonjësve të sistemit statistikor në Shqipëri të mos dekurajohen, të mos intimidohen, dhe të mos sugjestionohen nga paditë e të paditurit. Ata të vazhdojnë të bëjnë punën e tyre dhe integritet dhe profesionalizëm, pasi në krah kanë ligjin dhe vetëm ligjin”, tha më tej, deputeti demokrat, duke shtuar se “puna e tyre materializohet vetëm në një rezultat që është pronë e popullit shqiptar dhe përbën certifikatën më të mirë përballë gjithë pjesës tjetër të botës”. Reagimi i selisë blu vjen pas sulmeve të djeshme të Xhelilit të PS ndaj institutit të statistikave, sepse gjithmonë e më tepër po u fakton të shqiptarëve shifra që sipas tij, nuk përbëjnë vërtetësinë. Por, ndaj një instituti të pavarur dhe tejet efiçent Edvini apo Xhelili i PS-së nuk do ia dalë dot të nëpërkëmbë besueshmërinë e progresit të vendit dhe reformat e qeverisë “Berisha”.
...