E Diel, 1 Nëntor 2026

Bojkoti i parlamentit ka shkaktuar probleme, zgjidhja duhet të vijë para vizitës së Fule

Mblidhet Komiteti i Stabilizim-Asociimit Shqipëri-BE

Komisioni Evropian nuk kursen përsëri kritikat në drejtim të forcave politike shqiptare, të lidhura fort pas bojkotit të parlamentit. Reagimi këtë radhë ka ardhur nga Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Zgjerimit, Pierre Mirel, gjatë takimit që ka nisur dje në Tiranë të Komitetit të Stabilizim Asociimit, strukturë kjo në të cilën marrin pjesë përfaqësues të autoriteteve shqiptare dhe atyre të Komisionit Europian.
Në fjalën e tij, Mirel iu referua problemit serioz të bojkotit të parlamentit nga ana e opozitës, duke shtuar se vendit po i bëhet një dëm i madh, lidhur me progresin që duhet të bëjë përmes reformave, në kuadër të integrimit në Bashkimin Evropian. Mirel sugjeroi gjetjen e një kompromisi urgjent pa e rënduar më tej situatën në përputhje me ligjet në fuqi dhe Kushtetutën e vendit.
Ai e kërkoi këtë urgjencë edhe nisur nga vizita në Shqipëri më 19 mars e Komisionerit për Zgjerimin, Stefan Fule.
“Në nëntor të vitit të shkuar unë isha në Shqipëri dhe thashë që debatet politike duhet të zhvillohet në parlament dhe jo në rrugë. Ne sot mirëpresim kthimin e anëtarëve të PS-së në parlament. Ky është një zhvillim politik dhe shpresojmë që diskutimet që po ndodhin në komisionin e çështjeve ligjore të çojnë në zgjidhje të kënaqshme dhe të përhershme. Dhe prandaj kërkesa ime për këtë komision do të ishte që të gjendeshin zgjidhje që do të çojnë në marrëveshje në konsensus, sepse ky është esencial thelbësor që Shqipëria të tregojë se është demokraci e pjekur. Shpresojmë që zgjedhja të gjendet para datës 18 mars prandaj themi që kjo do të jetë një ditë e rëndësishme. Shpresojmë që kur komisioneri Stefan Fuele, të vijë në Shqipëri në 19 mars të gjejë një situatë të qartë e të vendosur”, u shpreh Mirel.
Në fjalën e tij, para panelit të diskutimit, Mirel vlerësoi implementimin e MSA-së nga autoritetet shqiptare, përmes miratimit të ligjeve të cilat përbëjnë edhe standardet më unike të BE. “Ne mirëpresim ligjet si për shembull atë të anti diskriminimit që e përmendi zonja Bregu po ashtu edhe ligjin e prokurimit publik që ka të bëjë me rishikimin e ankimimeve. Kemi mirëpritur strategjinë dhe planin e veprimit për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe ligjin antimafia. Ne po ashtu kemi bërë kërkesë që të vazhdohet me strategjinë për reformën në gjyqësor. Kemi parë ato gjëra që janë bërë deri tani dhe se çfarë do të vazhdohet të bëhet në të ardhmen në mënyrë koherente. Ne po ashtu kemi ngritur një çështje tjetër e cila nuk është e re por ka të bëjë me të drejtën e pronësisë pasi ne besojmë me të vërtetë që kjo është një pengesë për ecurinë e vendit dhe një pengese më tepër për investimet e huaja në vend”, deklaroi Mirel.
Ndërsa nga ana tjetër, ambasadori i Spanjës, vendi që ka Presidencën e radhës së Bashkimit Evropian, Manuel Montobio, deklaroi se “dialogu politik është jetik për integrimin e vendit në unionet”. “Duhet të fokusohemi në sfidat e integrimit në Bashkimin Evropian, por fillimisht duhen kapërcyer mosmarrëveshjet politike. Kjo është pika e nisjes për Shqipërinë”, u shpreh ai.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›