Heqja e vizave, është si asnjëherë tjetër më pranë realizimit

Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu
Ministrja e Integrimit Evropian, Majlinda Bregu, u shpreh gjatë konferencës së përbvashkët për shtyp me kreun e Drejtorisë së Zgjerimit në KE, Pierre Mirel, se procesi i liberalizimit të vizave, është shumë pranë realizimit. Duke e konsideruar heqjen e regjimit të vizave, si kryefjalën e integrimit të Shqipërisë, Bregu vlerësoi ecurinë e reformave të qeverisë, të cilat i kanë dhënë një shysë të re procesit.
“Një lajm të mirë të cilin unë do të doja ta jepte zoti Mirel, të cilin unë vetëm do ta përmend: Liberalizimi i vizave, që është një nga çështjet kryesore të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, është si asnjëherë më parë pranë realizimit të saj”, deklaroi ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu.
Përsa i takon integrimit të vendit në BE, Bregu u shpreh se që nga 1 prilli i vitit të kaluar, me hyrjen në fuqi të MSA-së, bashkë me Bashkimin Evropian kemi ndjekur, diskutuar dhe vlerësuar ecurinë e reformave, të cilat janë plotësuar gjatë një viti implementimi të marrëveshjes.
Sipas saj, edhe pse një periudhë e rëndësishme kohore është shoqëruar me një ngërç politik të pajustifikueshëm, qeveria ka vijuar punën e saj, për të realizuar të gjithë komponentët dhe detyrimet që rrjedhin nga MSA-ja Shqipëri-BE.
“Jam e kënaqur t’ju them se pjesa më e madhe e detyrimeve që rrjedhin nga MSA, të vëna para nesh - dhe për këtë kemi marrë konfirmimin e palës komunitare- janë plotësuar apo implementuar. Sigurisht që ka çështje të tjera, të cilat mbeten prioritet, për të treguar një vazhdimësi dhe respekt të plotë në plotësim të detyrimeve që rrjedhin nga marrëveshjet e rëndësishme ndërkombëtare, sikurse është ky udhërrëfyes i rëndësishëm në marrëdhëniet tona biletarale me Bashkimin Evropian, sikurse është MSA”, u shpreh ministrja Bregu.
Sipas saj, një tjetër moment i rëndësishëm është firmosja e ngritjes së 7 nën komiteteve të cilat do të jenë përgjegjëse për të ndjekur në fusha të veçanta ecurinë dhe zbatimin e MSA-së.
“Diskutimet janë hapur me shqyrtimin e kriterit politik. Sigurisht që do të kishim dashur që kjo tryezë e ky debat të ishte zhvilluar në një atmosferë më të qartë politike të Shqipërisë, por e rëndësishme është që përpjekjet janë për t’i dhënë një zgjidhje problemit që tashmë ka krijuar ngërç gjatë këtyre muajve, duke respektuar ligjet e vendit dhe zbatimin e rendit ligjor, një nga parimet kryesore në të cilat monitorohemi çdo ditë edhe nga BE. Reformat e gjyqësorit, në fushën e taksave, doganave dhe në fushën e konkurrencës kanë marrë vlerësimin e palës komunitare, sikurse dhe ligjet dhe iniciativat e fundit të miratuara nga parlamenti shqiptar, ligji për anti diskriminimin apo çështje të tjera, të cilat janë pjesë e axhendës sonë të përbashkët”, deklaroi ministrja e Integrimit Majlinda Bregu.