Benedikti XVI ka uruar dje në prag të Krishtlindjeve, pjesëtarët e Kuries Romake
“Rifitimi i aftësisë për ta pranuar fajin, është hapi i parë drejt tjetrit, drejt sigurimit të paqes”. Këtë theksoi dje Papa në takimin tradicional me Kurien Romake dhe me drejtuesit e Guvernatoratit, për urimet e Krishtlindjes, mbajtur në Sallën Klementine.Benedikti XVI kujtoi disa nga ngjarjet më të rëndësishme kishtare të vitit: shtegtimet e tij në Afrikë, në Tokën Shenjte e në Republikën e çekisë; Sinodin për Afrikën e shpalljen e Vitit Meshtarak. Nga ana e të pranishmëve, Papën e përshëndeti kardinali Anxhelo Sodano, dekan i Kolegjit Kardinalor. 2009-ta ishte vit, që vuri në qendër të vëmendjes së Kishës, Afrikën. Kështu e quajti Papa vitin që po përfundon, duke kujtuar shtegtimet e tij në Kamerun e në Angolë, si dhe Sinodin Afrikan, ku u ndje fort ekleziologjia e Koncilit II të Vatikanit: “Me rastin e vizitës sime në Afrikë, u vu në dukje sidomos forca teologjikale dhe baritore e Parisë së Papës, si pikë konvergjence për unitetin e familjes së Hyjit. Në Sinod u ndje fuqimisht vlera e kolegjialitetit, e unitetit të Ipeshkvijve, që e marrin detyrën pikërisht sepse hyjnë në bashkësinë e Pasardhësve të Apostujve: secili është ipeshkëv, Pasardhës i Apostujve, vetëm si pjestar i bashkësisë së atyre, në të cilët vijon Collegium Apostolorum, në bashkim me Pjetrin e me Pasardhësin e tij”. Kujtoi, në vijim, se Sinodi iu kushtua temës së pajtimit, të drejtësisë e të paqes që – siç tha Benedikti XVI – mund të qe keqkuptuar si temë politike, në se nuk do të ishte trajtuar në frymën e laicitetit pozitiv, të praktikuar e të intrepretuar në mënyrë të drejtë.Etërit sinodalë – vërejti Papa – ditën të përqendrohen në përmasën baritore, duke ripohuar, përballë tragjedive të Kontinentit afrikan, se paqja mund të realizohet vetëm përmes një realiteti para-politik, që është ai i pajtimit me Zotin. Pa pajtimin me Zotin – pohoi Benedikti XVI – njeriu jo vetëm që nuk mund të pajtohet me të afërmin, por as me vetveten. Duhet të sillet si Krishti, që bëri hapin e parë: “Të shkojë i pari tek tjetri, t’i kërkojë falje, ta pranojë vuajtjen që shkakton vetëdija se nuk është ai fajtori:“Duhet sot ta fitojmë përsëri aftësinë për ta pranuar fajin, duke mos e gënjyer veten se nuk jemi fajtorë. Duhet të rifitojmë aftësinë për të bërë pendesë, për t’u shndërruar; për të shkuar tek tjetri e për t’i lypur Zotit guximin e forcën e këtij risimi. Në këtë botën tonë të sotme, duhet të rizbulojmë Sakramentin e pendesës e të pajtimit. Fakti i zhdukjes së tij të pjesshme nga zakonet e jetës së të krishterëve, është shenjë e humbjes së vërtetësisë para vetes e para Zotit; humbje, kjo, që vë në rrezik humanitetin tonë e pakëson në mënyrë të ndjeshme, aftësinë tonë për të jetuar në paqe”.Duke kujtuar shtegtimin në Jordani e në Tokën Shenjte, Papa u ndalua tek vuajtjet dhe shpresat e popullit palestinez. Më pas kujtoi edhe vizitën në Yad Vashem, Memorial i Holokaustit: “Vizita në Yad Vashem pati kuptimin e takimit tronditës me mizorinë e fajit njerëzor, me urrejtjen e një idelogjie të verbër, që çoi drejt vdekjes miliona njerëz, pa kurrfarë faji e që, në fund të fundit, deshi ta dëbonte nga bota edhe vetë Zotin, Hyjin e Abrahamit, të Izakut e të Jakobit e Hyjin e Jezu Krishtit. Kështu ky, në radhë të parë, është monument përkujtimor kundër urrejtjes e ftesë për pastrim, pajtim, dashuri”.Benedikti XVI nuk mund t’i harronte, në vijim, takimet e tij në viset ku Jezusi jetoi, vdiq e u ngjall. M’u duk sikur prekja me dorë historinë e Zotit-me-ne”- pohoi- duke theksuar, më pas, me forcë, se feja nuk është mit: “është histori reale, gjurmët e së cilës mund t’i prekim me dorë. Kjo vërtetësi e fesë na bën posaçërisht mirë përballë trazirave të së sotmes. Zoti u dëftua me të vërtetë. Ai u mishërua me të vërtetë në Jezu Krishtin. Si i Ngjallur, mbetet Njeri i vërtetë e na hap vazhdimisht portën, që na çon ne, njerëzve, drejt Zotit. Ai është gjithnjë garant i faktit se Zoti është përherë pranë nesh. Po, Zoti jeton e është ne lidhje të vazhdueshme me ne. Me gjithë madhështinë e tij, mbetet Zot i afërt, Zoti-me-ne, që na bën vazhdimisht thirrje: pajtohuni me mua e me njëri-tjetrin! Ai na ngarkon me detyrën e pajtimit në jetën tonë personale e në atë të bashkësisë”.Papa vijoi të fliste për shtegtimin e tij në Republikën çeke, tokë ku janë përhapur ateizmi e agnosticizmi, duke bërë një thirrje të dyfishtë: atyre që nuk besojnë, të mos e lënë mënjanë çështjen e Zotit; e besimtarëve, të rilidhin fillin e dialogut me të largëtit. Papa kujtoi fjalët e Jezusit mbi të ashtuquajturin ‘oborri i paganëve”, treme e tempullit, ku mund të hynin për t’u lutur edhe paganët; një hapësirë lutjeje, në të cilën të gjithë të mund t’i drejtohen Hyjit të panjohur, ndonëse të vërtetë, për të cilin kanë etje: “Unë mendoj se Kisha duhet të hapë edhe sot një lloj ‘oborri të paganëve’, ku njerëzit të mund t’i afrohen në një farë mënyre Zotit, pa e njohur e para se ta kenë gjetur hyrjen në misterin e Atij, në shërbim të të cilit është jeta e brendshme e Kishës. Dialogut me fetë, sot i duhet shtuar sidomos dialogu me ata, që nuk e njohin fenë, nuk e njohin Zotin, por nuk dëshirojnë të mbeten pa Zot, me ata që duan t’i afrohen, së paku, si i panjohur”. Në përfundim Papa kujtoi Vitin Meshtarak, duke pohuar se meshtarët duhet të jenë në shërbim të të gjithëve: atyre që e njohin Zotin nga afër e atyre, që e shikojnë si të panjohur. Pastaj Ati i Shenjtë u drejtoi të gjithë meshtarëve këtë urim për Krishtlindje:“ uroj të bëhemi gjithnjë më shumë miq të Jezusit e, prej këndej, miq të Hyjit e, në këtë mënyrë, të jemi kripë e tokës e dritë e botës. Gëzuar Krishtlindjen e Shenjtë e Vitin e Ri!”.Toka e Shenjtë përgatitet të kremtojë Krishtlindjen - dëshmia e famullitarit të Beit Zhala/Betlehemi “qytet-simbol i paqes, në Tokën Shenjte e në botën mbarë”. Këto qenë fjalët e djeshme të Papës Benedikti XVI, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot. Siç e dëgjuat, Ati i Shenjtë kujtoi se megjithëkëtë, edhe në ditët e sotme, paqja e qytetit ku lindi Krishti nuk është e qëndrueshme, por tepër e brishtë. Pavarësisht nga kjo, qyteti i vogël i Judesë është gati të kremtojë Krishtlindjen. Takimi i parë, më 24 dhjetor, me Patrikun latin të Jeruzalemit, imzot Fuad Tval, i cili edhe dje, në praninë e një delegacioni të Pax Christi-t, kremtoi një meshë në Gazë, një vit pas operacionit ushtarak izraelit kundër ekstremistëve të Hamasit. Por cila është gjendja aktuale e këtyre ditëve në Betlehem? Të dëgjojmë famullitarin e Beit Zhala, afër Betlehemit, atë Ibrahim Shomali:është gjithnjë me të vërtetë bukur të kremtosh Krishtlindjen, pasi Lindja e Krishtit do të thotë se Zoti ka ardhur për të na vizituar. Vizita e tij është shumë e bukur për ne. Sidomos në këto kohë, pasi zakonisht hapen portat e mbyllura të murit të Betlehemit, që të hyjë, më parë Patriku e më pas të gjithë ata që kremtojnë. Pastaj do të jetë një qytet i hapur për të gjithë. Kjo është ëndrra e njerëzve të Betlehemit: t’i hapin qytetin krejt botës, që të gjithë të vijnë për të kremtuar Krishtlindjen te ne.Cilat do të jenë kremtimet e këtij viti? Në Betlehem kemi kremtime të veçanta: Patriku i Jeruzalemit Fuad Tval do të hyjë solemnisht në shesh, i pritur nga të gjitha bashkësitë skaut të Palestinës në orën një e gjysëm. Zakonisht, ka shumë njerëz, që vijnë nga krejt Palestina. Edhe myslimanët marrin pjesë në këtë festë, ashtu si Autoriteti palestinez. Më pas, do të kremtohen Lutjet Mbrëmësore në Bazilikën e Shën Katerinës, në Bazilikën e Lindjes së Krishtit, ndërsa në mesnatë do të fillojë Mesha e Betlehemit për gjithë botën. Ditën e dytë, më 25, dita e Krishtlindjes, në orën 10, do të kremtohet Mesha për famullinë e anëtarët e bashkësisë.Kremtimet do të bëhen, pavarësisht se situata përreth nuk ka ndryshuar aspak. Muri ekziston akoma, megjithëse nuk shohim ushtri përreth: mbyllje e plotë për njerëzit. Po presim lejen e autoriteteve, por askush nuk e di se kur do të mbërrijë. Gjendja pra, është shumë e vështirë. është e vërtetë se nuk ka luftë, por paqja nuk është mungesa e luftës: zjarri është i ndezur nën hi. Edhe dje, Papa pati një mendim e lutje të veçantë për Betlehemin. Ati i Shenjtë është zëri moral i krejt botës. Ne e dimë mirë që zëri i Benediktit XVI dëgjohet. E dimë se Papa ka qenë gjithnjë pranë nesh: vizita e tij në Betlehem ka pasur sukses të madh. Dikush, jo më larg se dje më tha: “Ne lutemi për Papën, pasi kur erdhi në Tokën e Shenjtë e kemi ndjerë si një atë që vjen të përshëndesë bijtë e vet, të tregojë dashurinë për ta e t’u thotë fjalët e së vërtetës”. Ky zë ngrihet në shkretëtirën e zemrave njerëzore. Shpresojmë që një ditë, ashtu si zëri i Shën Gjon Pagëzuesit, të dëgjohet nga të gjithë.Marrë nga Radio Vatikani...