Rruga e ambasador Hamitit, nga 1990-a e letërsisë angleze tek ambasada e Kosovës në Londër
Në vitin 1999, gjatë luftës në Kosovë, Muhamet Hamiti, si pjesëtar i lëvizjes për çlirimin e Kosovës, ndiqej prej forcave serbe. Tash, pas një dekade, Hamiti është ambasadori i parë i Kosovës në Londër. Emërimi i tij shënon kulmin e përpjekjeve të ambasadorit në luftën për lirinë e Kosovës. Një kohë profesor i letërsisë angleze, më 1990 u nxit t’i bashkohet Dr. Ibrahim Rugovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës pasi që Sllobodan Millosheviqi ia hoqi Kosovës autonominë, shpërndau institucionet dhe dëboi nga puna të gjithë shërbyesit civilë shqiptarë, pa anashkaluar ambasadorin. Si kundërpërgjigje, shqiptarët ndërtuan institucione paralele, duke përfshirë edhe Parlamentin “nëntokë”. Ambasadori gjatë ditës vazhdonte me punën e tij si profesor i anglishtes në Universitetin e udhëhequr nga shqiptarët nëpër shtëpi private, akt ky i një rezistence pasive që një herë edhe u bë shkak për arrestimin e tij nga policia. Ai ishte poashtu redaktor i Qendrës për Informim të Kosovës (QIK), e cila ishte formuar për të informuar botën rreth ngjarjeve në Kosovë. “Qëllimi ynë, qysh nga fillimi, ishte ta gjenim një zgjidhje politike dhe paqësore për çështjen e Kosovës, dhe të sigurojmë që dinjiteti ynë si komb të respektohej” – sqaron ai. Fushata e rezistencës paqësore e udhëhequr nga “Gandi i Ballkanit”, Dr. Ibrahim Rugova, vazhdoi gjatë gjithë luftërave ballkanike, të cilat shoqëruan shpërbërjen e Jugosllavisë. Por, kur zgjidhja e çështjes së statusit të Kosovës u injorua në Marrëveshjen e Dejtonit, frustrimi i shkaktuar bëri që shumë kosovarë t’i rrokin armët, thotë ambasadori. Forcat ushtarake dhe paraushtarake serbe ndërmorën një fushatë të rreptë, e cila shtyri NATO-n të ndërhynte për ta ndalur spastrimin etnik të gjysmës së popullatës së Kosovës, përfshirë këtu edhe Hamitin. “Fati i shqiptarëve të Kosovës ka qenë injoruar gjatë gjithë historisë, mirëpo dhjetë vite më parë nuk u harruam. Ne jemi një komb shumë mirënjohës për atë që bota ka bërë për ne”, thotë Hamiti. Pas luftës është dashur një punë e madhe për ta shndërruar ëndrrën e një Kosove të pavarur në realitet. “Kosovës i është dashur të evoluojë nga një status i padefinuar dhe i pasigurtë, tek pavarësia e mbikëqyrur, që krejt në fund çon te pavarësia e plotë”. Gjatë kësaj kohe ambasadori ka punuar ngusht me Presidentin Rugova, si këshilltar dhe zëdhënës i tij. Pas vdekjes së tij, Hamiti është emëruar këshilltar i lartë politik i Presidentit Fatmir Sejdiu dhe ka qenë anëtar i delegacionit në negociatat rreth statusit përfundimtar të udhëhequra nga Emisari Special i Kombeve të Bashkuara, Marti Ahtisari. “Ka qenë një proces i gjatë dhe i vështirë, gjatë të cilit çdo aspekt i shtetit të ardhshëm të Kosovës është diskutuar”, përkujton Hamiti. Mirëpo, Serbia kundërshtoi marrëveshjen dhe Rusia tërhoqi përkrahjen e saj për Planin e Ahtisarit, gjë që shtyri Parlamentin e Kosovës të shpallte njëanshëm pavarësinë. “Rusia përdori Serbinë si mashë në ballafaqimin e saj me Perëndimin – duke i dhënë efektivisht Serbisë të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit”, thotë Hamiti duke mbledhur supet. “Kështu që ne tani duhet t’i sigurojmë njohjet përmes një rruge më të vështirë”. Deri më tani 63 vende e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, dhe Kosova është i vetmi vend joanëtar i OKB-së që është anëtarësuar në Bankën Botërore dhe në Fondin Monetar Ndërkombëtar. “Ecuria e njohjeve ka shkuar mirë, mirëpo ne do të kishim dashur të shkonte më shpejt”, thotë Hamiti, duke shtuar se Londra është qerthulli diplomatik ideal për ta vazhduar këtë fushatë. “Por nuk është krejt puna te numrat. Ne duam të krijojmë marrëdhënie të mira dypalëshe, tregti me shtete të tjera dhe të bashkëpunojmë për interesa të ndërsjella”. Procesi i njohjeve ka shkuar ndonjëherë me ngurrime, sepse disa vende, sidomos ato me prani të lëvizjeve separatiste, besojnë se Kosova mund të krijojë një precedent të rrezikshëm. Serbia ka kërkuar një opinion këshillues nga GJND-ja rreth ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë, për të cilën disa vende kanë bërë paraqitje këtë muaj. Mirëpo ambasadori i kundërshton argumentet e tyre, duke shtuar se rasti i Kosovës nuk mund të krahasohet: “Jugosllavia ishte federatë me emër, por konfederatë në praktikë, që është shpërbërë me gjak. Kufijtë tanë ndjekin kufijtë e ish-Jugosllavisë, njëjtë si kufijtë e entiteteve të tjera federale, të cilat tani janë shndërruar në kufij të shteteve pasardhëse. Pavarësia jonë shënon përfundimin logjik, të mbramë, të shpërbërjes së Jugosllavisë”. Hamiti gjithashtu e kundërshton mendimin se Kosova ka qenë pjesë integrale e Serbisë, duke përmendur shembuj nga historia kur ajo ka pasur status të veçantë. “Territori ynë ka qenë i aneksuar dhe okupuar, por nuk ka asnjë dokument të besueshëm në histori që dëshmon se ndonjë trup përfaqësues i Kosovës në mënyrë vullnetare t’i jetë bashkangjitur Serbisë. Edhe vetë emri Jugosllavi na ka tëhuajësuar, sepse do të thotë vendi i ‘sllavëvë të jugut’, kur dihet se shumica e popullit në Kosovë janë shqiptarë”. Shqetësimet lidhur me minoritetin serb në Kosovë janë të pabaza, thotë ai, duke shtuar se Kushtetuta e Republikës së Kosovës garanton të drejtat njerëzore, politike dhe kulturore, por edhe privilegje për serbët, sikurse edhe përfaqësimin e tyre në Parlament dhe në pushtetin lokal. Ambasadori përfundon se pavarësia e Kosovës është garantuesi më i mirë për paqen në regjion: “është koha që ta lëmë pas të kaluarën tonë të dhimbshme, dhe të hyjmë në një të ardhme të re në familjen evropiane”. Duke përsiatur për arritjet e dy dekadave të fundit, ambasadori Hamiti thotë: “Unë isha pjesë e lëvizjes popullore e cila kundërshtoi okupimin dhe diktaturën, dhe vuri themelet e një shoqërie paqedashëse, pluraliste në Kosovë. Kjo më bën shumë të lumtur”. Prore aktivist, ai nuk e lë pa shtuar: “Megjithatë, na duhet edhe më shumë punë”. (Botuar në revistën Embassy – Nr.21, dhjetor 2009)...