E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Çmojmë progresin e jashtëzakonshëm për marrjen e statusit kandidat në BE”

28-09-2012 / Gazeta 55

Ministri i Jashtëm Panariti takon në OKB Catherine Ashton, përfaqësuesen e Lartë për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë në BE

Diplomacia shqiptare ditët e fundit ka pasur një agjendë intensive takimesh të rëndësishme në punimet e sesionit të 67-të të Asamblesë së Përgjithshme të  Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Ditën e djeshme ministri i Jashtëm Edmond Panariti takoi Catherine Ashton, përfaqësuesen e Lartë për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë në BE, gjatë vizitës së tij në Nju Jork, në kuadër të punimeve të Asamblesë së OKB-së. Gjatë bashkëbisedimit ministri Panariti u ndal veçanërisht në ecurinë e reformave që janë ndërmarrë në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.
Ndër të tjera, Panariti përmendi drejtimet në të cilat është përqendruar aktiviteti i Presidencës shqiptare të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës dhe rezultatet që janë arritur në këtë drejtim. Me rastin e festimeve për 100 -Vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, Ministri Panariti e ftoi Baroneshën Ashton për një vizitë në Shqipëri.
Nga ana e saj, Baronesha Ashton, e përgëzoi ministrin e Jashtëm Panariti për përpjekjet dhe progresin e jashtëzakonshëm që ka arritur Shqipëria në drejtim të plotësimit të 12 kritereve për marrjen e statusit kandidat. Ajo shprehu dëshirën për forcimin e bashkëpunimit dhe koordinimit të veprimeve mes Bashkimit Evropian dhe Presidencës shqiptare të Komitetit të Ministrave të KiE. Gjithashtu baronesha Ashton shprehu dëshirën të vizitojë së afërmi Shqipërinë. Ministri Jashtëm pati një takim me homologun gjerman Guido Vesterëelle, si edhe me homologët fqinjë grek dhe maqedonas, respektivisht Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës Greke Avramopoulos dhe me Ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Nikola Poposki.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›