E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çfarë është Kadareja për mua!

Disa letra të nisura dikur nga shkrimtari Ismail Kadare, bashkëshortes së Enver Hoxhës, kanë shërbyer si shkak që shoqëria shqiptare të rizgjojë nervin e saj të thashethemeve. Është çasti ideal që mediokër, punëkoti, thashethemexhinj, shkarashkrues, cmirëzinj, megallomanë, vesexhinj, tashmë që vlerat e shoqërisë ka kohë që zvetënohen, të zbresin në dritat e skenës. Duke harxhuar kohën e tyre, por mbi të gjitha ndotur ambientin tonë. Dhe duke stisur diskutime pa vlerë. Pasi, në fund të shekullit që kemi filluar, gjithë kjo nuk do kujtohet. Ajo që do peshojë, është se çfarë shije la vepra e Kadaresë tek bashkëkohësit e tij, dhe tek ata që do vijnë. Çfarë ka qenë Kadareja për ne si komb, dhe unin e secilit shqiptar.

Ismail Kadareja ka lindur në një shtëpi e cila ishte buzë të quajturit Sheshi i Mamanit, emri i të cilit është mbiemër i fisit të nënës time. Ishte vendi ku trafikoja në pushimet e verës kur bujtja si mik tek dajat. Shtëpia e tij në ato kohë, shënjohej nga tregimet e gjyshes, si ajo e Kadarenjve, që ishin fis me derën e Sinoimeratëve, ku tezja ishte martuar. Në shesh, binte sokaku i “Të Marrëve”, i cili pastaj zgjatej deri në Varosh. Shtëpitë e stërmëdha të gjirokastritëve që hijonin sheshet dhe rrugicat e qytetit, ishin objekte të mira eksplorimi për një fëmijë, ku në kamaret e tyre mund të gjeje shpata, bajoneta, grykë pushke, kusi e tiganë, kuptohet të gjitha të ndryshkura, që të nxisnin fantazinë. Siç i dhashë një herë udhë imagjinatës që një tigan i ndryshkur qifqish (qofte orizi karakteristike gjirokastrite, që skuqen në tigan me gropa në fundin e tij), të cilin e gjeta në haur, ishte mburojë ilire. Ashtu siç ishte një mision i pamundur që një fëmijë të mund të bënte në atë qytet jetën e zakonshme të një sivëllai fusharak, me lojërat me topa e karroca me guzhineta. Ma sillnin në majë të hundës sokakët e pjerrët, kur duhej ti ngjisja që të shkoja mysafir te tezja ime që banonte në Dunavat, thënë ndryshe, pas kalasë, meqenëse unë nisesha nga Palortoja. Ishte sipërmarrje alpinistike të shkoja tek daja i nënës që banonte aty ku Kadaresë i banonte gjyshi nga nëna. Ishte një qytet që nuk digjesha të banoja në të, por që pa kuptuar e doja. Por vetëm pasi lexova “Kronikë në Gur”, unë nipi i gjirokastritëve, u bëra i vetëdijshëm e kuptova në çfarë mrekullie kisha kaluar pasazhe të fëmijërisë time. Ndërtesat e mëdha sa një kuartier modern ku banonin fise të tëra, steretë me ujë, dimëroret me oxhak, odat me minderet rreth e rrotull dhe me dritaret që shikonin fushën e Drinos, emrat e fiseve, plakat, “katënxhikat”, gjithë sa kisha prekur e dëgjuar nga gjyshja ime Ane, qenkëshin me një vlerë të paçmuar. Kisha pasur fatin të rritesha në mes të një përralle, që e kuptova falë penës së komshiut të dajave të mi. Që atëherë, kur më merr malli për fëmijërinë time, qytetin nga vjen nëna ime, dhe njerëzit që nuk janë më, lexoj “Kronikën në Gur”.

Nëse ka libër që e di përmendësh, ai është triptiku “Ura me tri harqe”. E kam lexuar me dhjetëra herë në moshën e adoleshencës, dhe vazhdoj edhe sot të shfletoj pasazhe të tij. Qenia ime europian, vjen nga novelat e atij libri. Shkëlqimi i hirtë i Shqipërisë së mesjetës së krishterë kur vendi ishte Europë, dhe libri e sjell me aq shumë finesë, ishte shkëndija e parë e dashurisë për “dritën që vjen andej nga perëndon”. Shqipëria e kontëve, princave dhe damave me emra ende sot e kësaj dite rrëzëllitës, më është bërë e dashur nga ky libër.

Sa herë kaloj në bregdetin shqiptar, dhe shikoj fortesat gjysmë të rrënuara, më vjen në mënd romani “Kështjella”. Përpiqem të përfytyroj dëshpërimin e shqiptarëve kur shihnin se si një ushtri e panumërueshme, që sillte fe, kulturë dhe mentalitet tërësisht të huaj, po i mbulonte. Më mrekullon qëndresa e tyre në ndeshjet e përgjakshme dhe pa kompromis, ku në shpinë ishte deti jo si poezi, por si uji i thellë që i ndante nga bota që i përkisnin dhe i kishte lënë vetëm përballë gjëmës që i sulej Ballkanit. Dashuri e dhimbje e pa masë më rievokohet për ata burra dhe gra që ditën të mbysnin dëshpërimin dhe ta kthenin në forcë për të luftuar; për kurajën e tyre të njëzet e pesë vjetëve për ti bërë ballë makinës luftarake më të madhe e të sofistikuar të kohës. Ishin temperatura vullkanike që ngjizën bërthamën mbi të cilën pesëqind vjet më vonë do trupëzohej popullin shqiptar. Kur lexoj në gazeta për vëllazëri me turqit, më kap një ndjesi sikleti. Më kujtohet “Pallati i ëndrrave”. Nuk besoj se populli europian i Kadaresë, ka gjë të përbashkët me ta. “Autobiografia e popullit tim në vargje”, ka qenë leksion si të dua origjinën time. “Prilli i thyer”, si të njoh shqiptarët që banojnë në veri dhe si të përballesh me vdekjen me sa më dinjitet. E gjithë vepra e tij është leksion se sa popull i veçantë, i ndriçuar, i bukur dhe europian jemi. Na e ka bërë qejfin si askush tjetër, dhe na ka atribuuar veti e virtyte që nuk i kemi ose nuk janë aq të larta sa i paraqet. Por në botën e sotme ku mbizotëron “fiction” dhe imazhi, do na njohin nga pena e tij. Dhe është një imazh, që shumëkush e ka zili.
Ky ka qenë Ismail Kadareja për mua. Sa për ato që thuhen për jetën e tij, nuk më interesojnë. Unë dua të lexoj veprën e tij dhe jo biografinë. Një individ i quajtur Ismail, në grevat e urisë së ish të burgosurve do ishte veç një shifër. Një Ismail Kadare si ky që kemi është pasuri botërore. Është ndër pak gjërat e vyera që ky popull ka nxjerrë në njëqind vjet pavarësi. Na e ka bërë qejfin si askush tjetër duke na përkëdhelur. Mos tregohemi bukëshkalë, dhe ta marrim nëpër gojë për të qena e të paqena. Vetëm sa ulim veten.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›