Benedikti XVI në Liban: Të mbrojmë shumëllojshmërinë fetare
"I uroj Libanit të vazhdojë të lejojë shumëllojshmërinë e traditave fetare", ka përcjellë Ati i Shenjtë apelin e tij në përfundim të vizitës së tij në Lindjen e Mesme. Duke bërë thirrje për dialog, ai u ka apeluar të rinjve që ta mbrojnë pasurinë që kanë, si të lindur në tokën që ka parë lindjen e Krishterimit
Para nisjes nga Libani, fjalimi i fundit i Papës në vendin e kedrave, gjatë ceremonisë së lamtumirës në aeroportin “Rafik Hariri” të Bejrutit, në praninë e presidentit të Republikës, të katër patrikëve, të disa ipeshkvijve, të autoriteteve e të besimtarëve të shumtë. Ati i Shenjtë shprehu keqardhjen për largimin nga kjo tokë, mozaik kulturash e fesh, që e priti me aq bujari. “Është traditë në Lindjen e Mesme – theksoi Papa – të pritet miku me vëmendje e respekt, e ju e bëtë këtë. U jam mirënjohës të gjithëve. Por vëmendjes dhe respektit i keni shtuar edhe diçka tjetër; mund të krahasohet me një nga ato erëzat e famshme të Lindjes, që ia shton shijen ushqimit: është ngrohtësia e zemrës suaj, që më nxit dëshirën për t’u rikthyer”. Benedikti XVI kujtoi etapat kryesore të vizitës së tij në Liban, nga dorëzimi i Nxitjes Apostolike pas-sinodale për Lindjen e Mesme, tek takimet, lutjet dhe entuziazmi i rinisë. Tha se druri i Libanit, druri i kedrave ishte i pranishëm edhe në Tempullin e Salomonit, në shenjtëroren e Hyjit, siç tregohet në Bibël dhe, i uroi vendit e banorëve të tij, të jenë të pranishëm edhe sot, si atëherë, në shenjtëroren e Zotit. Ati i Shenjtë vuri në dukje bashkëjetesën paqësore, që karakterizon këto troje, duke kërkuar të punohet për ta ruajtur edhe në të ardhmen, në mënyrë që, sidomos besimtarët, t’i japin botës jo vetëm dëshminë e ekzistencës së Zotit, por edhe atë të bashkimit ndërmjet njerëzve, të dyja tema të Sinodit për Lindjen e Mesme. “I lutem Hyjit për Libanin – tha Papa – që të jetojë në paqe e t’i rezistojë me guxim gjithçkaje mund ta shkatërrojë, ose ta kërcënojë. I uroj Libanit të vazhdojë të lejojë shumëllojshmërinë e traditave fetare e të mos e dëgjojë zërin e atyre, që duan ta pengojnë. I uroj Libanit – përfundoi plot zjarr Benedikti XVI – të forcojë bashkimin ndërmjet banorëve të vet, pavarësisht nga grupi e feja së cilës i përkasin, duke hedhur poshtë me vendosmëri gjithçka mund ta përçajë dhe duke zgjedhur gjithnjë vëllazërimin”.
Duke ia besuar vendin e kedrave dhe banorët e tij Virgjërës Mari, Papa u dha bekimin e tij apostolik atyre dhe krejt Lindjes së Mesme, për t’u nisur për në Itali, ku do të vazhdojë të qëndrojë në selinë verore të papëve, në Kastel Gandolfo, pranë Romës.
Papa takon të rinjtë e Lindjes së Mesme: “Myslimanë e të krishterë të bashkohen për t’i dhënë fund dhunës”/Në fjalimin gjatë takimit me rininë në sheshin para Patriarkatit maronit të Bkèrkè-së, në Bejrut, Papa Benedikti XVI kujtoi se këto vise siç është Libani dhe Lindja e Mesme, janë tokë me vlerë të jashtëzakonshme historike e shpirtërore, pse janë vet djepi i krishterimit: “Të dashur miq, ju sot jetoni në këto vise të botës që kanë pa lindjen e Jezusi dhe zhvillimin e krishterimit. Është nderim i madh! E është thirrje për t’i qëndruar besnikë, për ta dashur tokën e sidomos për të qenë dëshmitarë e lajmëtarë të gëzimit të Krishtit, pse feja e transmetuar nga Apostujt çon në lirinë e plotë e në gëzimin, atë që kanë treguar kaq shumë Shenjtorë e të Lumtur të këtij Vendi. Mesazhi i tyre e ndriçon Kishën universale. E mund të vazhdojë ta shndrisë edhe jetën tuaj”. Benedikti XVI u ndal pastaj te sfidat e shumta e të vështira që kanë njerëzit, e posaçërisht të rinjtë, në realitetin e jetës së përditshme në Liban e në Lindje të Mesme dhe tha. “I njoh mirë vështirësitë tuaja që keni në jetën e përditshme, për shkak të mungesës së stabilitetit e të sigurisë, vështirësitë që keni për të gjetur punë e akoma për ndjenjën e vetmisë e të mënjanimit që përjetoni. Në një botë që është në lëvizje të vazhdueshme, ju jeni vënë përballë sfidave të shumta e të rënda. Edhe papunësia e mungesa e sigurive tjera, nuk duhet t’u shtyjnë të shijoni “mjaltin e hidhur” të emigrimit, me çrrënjosjen dhe ndarjen nga vendlindje, në shkëmbim të një të ardhme të pasigurt”. Në vazhdim, Papa u kujtoi të rinjve rolin që kanë si protagonistë të së ardhmes së Libanit. I ftoi ta vlerësojnë dhe luajnë rolin e tyre të rëndësishëm që kanë në shoqëri e në Kishë. Rinia është një moment në të cilin njeriu frymëzohet me ideale të mëdha e, po kështu është edhe periudhë në të cilën përmes studimit bëhen përgatitjet për një zanat e për një të ardhme. Kjo është e rëndësishme e prandaj kërkon kohë, tha Papa e theksoi që jeta të mbështetet mbi themele të sigurta e të qëndrueshme: “Kërkoni atë që është e bukur, e atë që e mirë bëjeni me shije! Dëshmoni madhështinë dhe dinjitetin e trupit tuaj i cili “është për Zotin” (1Kor 6,13). Në gjurmët e të lumit Gjonit Palit II, edhe unë po u përsërisë: “Mos keni frikë. Hapjani dyert e shpirtrave e të zemrave tuaja Krishtit!”. Takimi me Të (Jezu Krishtin) i “jep jetës një horizont të ri e me të edhe drejtimin vendimtar” (Enc. Deus caritas est, 1), theksoi Papa duke i ftuar të rinjtë ta gjejnë pikërisht në Jezusin, forcën e jetës, ta gjejnë në Të burimin e gëzimit të vërtetë. Krishti thotë: Po ju jap paqen. Këtu, u tha Benedikti XVI të rinjve, qëndron revolucioni që ka sjell Krishti, ai i dashurisë. Prandaj, kërkoni e jetoni marrëdhënie të pasura me miqësi të vërtetë e fisnike. Ndërmerrni nisma që i japin kuptim jetës e që përforcojnë rrënjët e ekzistencës, duke kundërshtuar mënyrën e sipërfaqshme e të lehtë të konsumit. Mos iu nënshtroni idhujve kalimtar, por gjithmonë kërkoni shembujt më të mirë që keni përreth, mësuesit e udhëheqësit shpirtëror që dinë t’u tregojnë udhën e pjekurisë e të lumturisë.
Në vijim të fjalimit, Papa nënvizoi vlerën që ka dokumenti pas sinodal, Nxitja Apostolike “Kisha në Lindje të Mesme” edhe për të rinjtë, të cilën i ftoi ta lexojnë e ta meditojnë për ta zbatuar në jetën e përditshme. E pastaj duke cituar letrën e shën Palit drejtuar Korintianëve, iu drejtua plot bindje rinjve: “Letra jonë jeni ju, letër e shkruar në zemra tona, e njohur dhe e dashur nga të gjithë njerëzit. E vërtetë dihet që ju jeni letra e Krishtit përpiluar për ne, shkruar jo me bojë stilografi, por me Shpirtin e Zotit të gjallë, jo mbi rrasa guri, po mbi rrasa të zemrave njerëzore” (2 Kor 3,2-3). Ju jeni letra e gjallë e Krishtit. Kjo letër nuk do të shkruhet në letër e me stilograf. Do të jetë dëshmia e jetës tuaj dhe e fesë tuaj. Ju të rinj, u tha Papa mijëra e mijëra të rinjve nga Libani e nga Lindja e Mesme të pranishëm në këtë takim, ju të rinj libanezë, ju jeni shpresa e së ardhmes së Vendit tuaj, shpresa e kësaj toke mikpritëse, shembull i bashkëjetesës. E pikërisht duke u ndalur te vlera që bashkëjetesa mes feve për këtë Vend e këtë Rajon, Papa vlerësoi e përshëndeti edhe të rinjtë jo të krishterë, pjesëmarrës në këtë takim: “Dua t’i përshëndes tani të rinjtë myslimanë që sonte janë me ne. Ju falënderoj për praninë tuaj e cila është kaq e rëndësishme. Ju së bashku me të rinjtë e krishterë jeni e ardhmja e këtij Vendi të mrekullueshëm e të tërë Lindjes së Mesme. Mundohuni ta ndërtoni së bashku të ardhmen. E kur të rriteni, vazhdoni të jetoni në përkim e në bashkim me të krishterët. Pse bukuria e Libanit gjendet në këtë simbiozë të bukur. Pra duhet që e tërë Lindje e Mesme, duke shikuar ju, të kuptojë që myslimanët e të krishterët, Islami e Krishterimi, mund të jetojnë së bashku pa urrejtje, në respektimin e besimit të çdonjërit, për të ndërtuar së bashku një shoqëri të lirë e njerëzore. Më tej mora vesh se mes jush ka edhe të rinj nga Siria. Dua të them se e admiroj guximin tuaj. Thuani shtëpive tuaja, familjarëve e miqve, që Papa nuk ju harron. Thuani njerëzve rreth jush se Papa është i trishtuar në shpirt për shkak të vuajtjeve tuaja e të zisë suaj. Ai nuk e harron Sirinë në lutjet e veta e në shqetësimet e veta. Nuk i harrojnë mesdhetarët që vuajnë. Ka ardhur koha që myslimanë e të krishterë të bashkohen për t’i dhënë fund dhunës e luftërave”, përfundoi Papa.
Marrë nga Radio Vatikani