Benedikti XVI u drejton apel Kishave lindore ortodokse
“Në një botë plot plagë nga përçarjet, është urgjente të punohet për bashkimin e të krishterëve”, thuhet në një apel që Ati i Shenjtëu drejton besimtarëve të kishave lindore, të ritit ortodoks
“Bashkimi i të krishterëve është edhe më i ngutshëm sot, në një botë plot me përçarje e konflikte”. Kështu u shpreh Benedikti XVI në audiencën me pjesëmarrësit në takimin e Komisionit të përzjerë ndërkombëtar për Dialogun teologjik ndërmjet Kishës katolike e Kishave lindore ortodokse. Është fjala për një grup prej shtatë Kishash lokale, të cilat u ndanë nga Kisha katolike në vitin 451, sepse nuk deshën t’i pranonin disa nga vendimet e Koncilit të Kalçedonisë. Në fjalimin e tij, Papa ripohoi edhe se është shumë e nevojshme të hidhen farët e shpresës në Lindjen e Mesme: “Bota ka nevojë për një shenjë të dukshme të misterit të bashkimit” - nënvizoi Benedikti XVI - i cili në vijim vlerësoi impenjimin e Kishave lindore ortodokse në favor të dialogut me Kishën katolike. Një dialog – theksoi - shumë i nevojshëm për t’i shëruar plagët e hapura nga përçarjet e së kaluarës dhe për të fuqizuar bashkimin, që të krishterët duhet ta dëshmojnë përballë sfidave të mëdha të kohës. E më pas pohoi me forcë se të gjithë besimtarët e kanë për detyrë të punojnë për t’i dëshmuar mbarë botës përmasën bashkuese të Kishë”: “Mjafton të mendosh për Lindjen e Mesme, nga e cila vijnë shumë prej jush - vërejti Benedikti XVI – që të shikojmë sa urgjente është nevoja për të hedhur farët e vërteta të shpresës, në një botë të plagosur rëndë nga tragjedia e përçarjeve, e konflikteve dhe e vuajtjes së pafundme njerëzore. Më pas Shenjtëria e Tij e quajti shenjë shprese e inkurajimi faktin se dialogu ndërmjet Kishës katolike e Kishave lindore ortodokse vijoi në vite, duke bërë hapa të rëndësishme përpara, sidomos kohët e fundit, me studimin e Kishës si bashkim”: “Java e lutjes për bashkimin e të krishterëve – vijoi Papa - përfundoi vetëm pak ditë më parë me një kremtim në Bazilikën e Apostullit të madh të Popujve. Pikërisht Shën Pali - nënvizoi - qe mbrojtësi e teologu i parë i bashkimit të Kishës. Përpjekjet dhe impenjimi i tij u frymëzuan nga dëshira e përhershme për ta ruajtur bashkimin e dukshëm e të njëmendtë të dishepujve të Zotit”.
Paraqitet në Vatikan “Katalogu i dorëshkrimeve hebraike i Bibliotekës Vatikanase”/Vëllimi, botuar vitin që shkoi, përfshin të gjitha dorëshkrimet në gjuhën hebraike që ruhen në Vatikan. Bëhet fjalë për afro 800 dokumente që ruhen në 11 fonde të ndryshme, e që shkojnë nga shek. IX deri në ditët tona. Botimi i kësaj vepre është një shembull domethënës i bashkëpunimit ndërmjet institucioneve izraelite dhe atyre të Selisë Shenjte. Pikërisht mbi rëndësinë e këtij botimi flet prefekti i Bibliotekës Apostolike vatikanase Imzot Çezare Pazini: “Ky është katalogu i parë i dorëshkrimeve vatikanase që botohet që nga kohët e Xhuzepe Simonio Asemanit, domethënë që nga shtatëqindëshi. Është një katalog me të vërtetë i plotë. Në të përfshihen 800 dokumente të bibliotekës. Është voluminoz, ka 800 faqe dhe është fryti i punës tepër të madhe të bërë nga shumë vetë e që ka zgjatur nja dhjetë vjet. Është i rëndësishëm sepse buron nga bashkëpunimi i përpiktë ndërmjet Bibliotekës vatikanase dhe Institutit të Dorëshkrimeve Hebraike në Mikrofilma (IMHM), që është institut i bibliotekës kombëtare dhe i universitetit të Jeruzalemit i cili mbledh mikrofilmat e dorëshkrimeve hebraike nga e gjithë bota. Mund të them me plot gojë se ishte një bashkëpunim shembullor në të gjitha etapat e veta. Ishte i gjatë e nëse për një kohë kaq të gjatë bashkëpunimi funksionon dhe ecën përpara do të thotë se çdo etapë është realizuar mirë”. Lidhur me bashkëpunimin ndërmjet institucioneve kulturore të Selisë Shenjte dhe atyre hebraike që u realizua në këtë rast, ai thotë: “Është diçka e zakonshme që në bibliotekën e Vatikanit të vijnë studiues nga e gjithë bota, pra edhe hebrej, studjues nga Izraeli dhe kjo gjë ka ndodhur shumë herë. Më parë kemi pasur edhe kontakte me institucionet e Izraelit. Kemi pasur ndonjë ekspozitë apo ndonjë nismë tjetër. Sidoqoftë kontakti i parë i madh qe ai i shtatorit 2005: një ekspozitë me dorëshkrimet e Bibliotekës Apostolike të Vatikanit. Në atë rast u patën dërguan në Izrael katër dorëshkrime. U vu re se kultura me të vërtetë e ndihmon bashkëpunimin. Kështu që secila palë vuri në përdorim kompetencën e vet nga pikëpamja organizative si edhe nga ajo kërkimore, për t’i paraqitur ato dorëshkrime sa më mirë. Këto vite ne kemi pasur një bashkëpunim shumë frytdhënës dhe që në përgjithësi ka vajtur mbarë”.
Qytet-Shteti i Vatikanit mbush 80 vjet/Qyteti i Vatikanit kremton 80-vjetorin e themelimit të tij, që përkon me nënshkrimin e Pakteve Lateranense të 1929-s, ndërmjet Italisë dhe Selisë së Shenjtë. Këto pakte, gjithnjë aktuale, u nënshkruan me qëllimin e renditjes së veprimtarisë, së bashku e veçmas, në shërbim të së mirës së njeriut, për të arritur kështu në cakun e harmonisë shoqërore. Traktati mbyllte çështjen romake, duke themeluar Qytet-Shtetin e Vatikanit, ndërsa Konkordati ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Italisë, disiplinonte praninë e Kishës në jetën italiane. Këto dokumente i dhanë fund ndarjes së dhimbshme ndërmjet qytetarit e besimtarit, duke krijuar mundësitë që besimtarët të marrin pjesë me të drejtë të plotë qytetarie në jetën e vendit dhe të thonë fjalën e tyre si katolikë në të gjitha fushat e jetës. Vlerat e 11 shkurtit ndikuan fuqimisht edhe për vënien në dukje të rolit që luan Selia e Shenjtë në gjirin e bashkësisë ndërkombëtare, me qëllim që të konkretizohet mesazhi, mbartës e zëdhënës i të cilit është vetë Kisha, e cila në çdo vend e në çdo kohë ka si qëllim të mbështesë kauzën e njeriut. Kjo ngjarje e madhe e vitit 1929 shënoi fundin e kundërvënies ndërmjet shtetit e Kishës. Një kundërvënie e tillë vijonte që nga koha Lëvizjes për Bashkimin e Italisë në shekullin XIX, që i pati ndarë veçmas fatet e fesë nga ato të atdheut. Theksoi kështu, se Kisha ka të drejtë të plotë të zhvillojë misionin e saj fetar dhe, në të njëjtën kohë, të punojë për paqen dhe progresin e popujve. Shteti e Kisha, duke shmangur çdo rrezik kundërvënieje, bashkëpunojnë me sukses për njeriun dhe lartësimin e tij shpirtëror e material. Në drejtpeshimin ndërmjet dy përkatësive, qëndron edhe e fshehta e lirisë dhe e progresit në Evropë. Ajo që ishte arritja e veçantë konkordatare, mund të bëhet referim i qartë për Evropën që vijon të bashkohet.
Një Kuvend, një koncert e një ekspozitë, nga shkurti në maj, do të përkujtojnë 80-vjetorin e Vatikanit/Një Kuvend, një koncert e një ekspozitë me 5 seksione për të përshkuar historinë e gjatë të lindjes së Qytet-Shtetit të Vatikanit, i cili më 11 shkurtin e ardhshëm feston 80 vjetorin e themelimit, formalizuar nga nënshkrimi i Pakteve Lateranense më 1929. Inicitivat përkujtimore u paraqitën dje paradite në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë nga kardinali Xhovani Lajolo dhe nga kryeipeshkvi Renato Bokardo, përkatësisht president e sekretar i Guvernatoratit të Qytetit të Vatikanit. “Ai territor” të fitojë “sovranitetin territorial”, “të nevojshëm dhe të detyrueshëm për atë që s’mund të jetë nënshtetas i asnjë sovraniteti tokësor”. Fjalët e Papës Piu XI u cituan disa herë sot paradite për të kujtuar pikërisht firmën historike, që sanksionoi lindjen e 44 kilometrave katrore më të famshme të botës. Ja si u përshkrua Shteti i Vatikanit nga imzot Bokardo, i cili citoi edhe saktësimin e mëtejshëm të Piut XI: “E vërtetë është se ndjejmë që kemi të drejtë të themi se ai territor, të cilin ia rezervuam vetes e që na u njoh, është materialisht i vogël, por si i tërë është i madh, më i madhi në botë, nga çdo lloj pikëpamje të shihet! Kur një territor mund të mburret me Kolonatin e Berninit, Kupolën e Mikelaxhelos, thesaret e shkencës dhe të artit në arkiva e biblioteka, në muzetë e në galeritë e Vatikanit, kur një territor mbulon e ruan Varrin e Princit të Apostujve, kemi edhe të drejtën të pohojmë se nuk ka në botë territor më të madh e më të çmueshëm”.
Në tetëdhjetë vjet historie e aktiviteti, “territori i vogël për një mision të madh” - siç thuhet në titullin e Kuvendit me karakter historik, që do të mbledhë në Vatikan emra të shquar nga 12 deri më 14 shkurt – e ka kryer mirë funksionin për të cilin u impenjua Papa Rati. Kështu u tha gazetarëve kardinal Lajolo: “Shteti i Vatikanit ka kuptim, sepse i jep Selisë së Shenjtë një mbështetje, për të qenë e sigurtë në lirinë e pavarësinë e saj, de facto e de jure, dhe me të vërtetë, ka shërbyer për këtë që nga themelimi e deri më sot: i ka siguruar Papës pavarësinë dhe lirinë nga çdo pushtet politik. Papa nuk është subjekt i asnjë pushteti politik”. Paktet Lateranense sanksionuan njohjen e Vatikanit dhe pjesëmarrjen e tij në institucionet ndërkombëtare. Kjo histori tregohet përmes ekspozitës së pasur, të titulluar “1929-2009 – Tetëdhjetë vjetët e Shtetit të Vatikanit”, e cila do të hapet në Krahun e Karlit të Madh, nga 12 shkurti deri më 10 maj. Spikat paraqitja në reliev në dru mështekne e krejt Qytetit të Vatikanit me të gjitha ndërtesat që e përbëjnë sot e kësaj dite. Ekspozita e shuan kureshtjen e vizitorit edhe për vitet përpara 1929-ës, me dokumente e harta të vjetra. Do të mund të shihet për herë të parë, origjinali i Traktatit të nënshkruar me Italinë, i cili ruhet në Arkivat Sekrete të Vatikanit. Përshkruhet edhe ndërtimi i Shtetit të Vatikanit, që Papa Piu XI ia besoi arkitektit piemontez Xhuzepe Morno dhe inxhinjerit Leone Kasteli. Ndërkaq, më 12 shkurt, në Sallën Pali VI do të mbahet koncerti përkujtimor për 80-vjetorin e Pakteve Lateranense, me praninë e korit të katedrales së Dublinit dhe të Orkestrës së qytetit irlandez, të cilët do të ekzekutojnë oratoriumin e Hendelit “Mesia”.
Marrë nga Radio Vatikani