E Diel, 1 Nëntor 2026

Benitez planifikon blerje të tjera në verë

Trajneri i Liverpulit, Rafael Benitez, duket se ka zgjidhur përfundimisht problemet me drejtuesit e klubit, pasi po planifikon të qëndrojë te kjo skuadër për një kohë të gjatë. Ky sezon nuk ishte shumë i suksesshëm për skuadrën, pasi u mbyll me vendin e katërt në kampionat dhe eliminimin në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve nga Çelsi, duke mos siguruar asnjë trofe. Megjithatë, Benitez mendon më shumë për të ardhmen e skuadrës sesa për sezonin që sapo përfundoi. "Unë do të planifikoj dhe përgatit sezonin e ardhshëm. Jam shumë i lumtur që vazhdoj drejtoj këtë skuadër. Tifozët kanë qenë të shkëlqyer me mua dhe të gjithë ekipin. Për këtë arsye them se gjatë verës do të mundohemi të përmirësojmë skuadrën ekzistuese. Ne nuk po shfrytëzojmë rastet që krijojmë dhe kjo është një nga gjërat që duhen përmirësuar. Jam i kënaqur me vendin e katërt, por dua që vitin e ardhshëm të arrijmë të përforcojmë pozitat tona në kampionat. Por njerëzit nuk duhet të harrojnë se dy skuadrat e para janë më të mirat në Evropë dhe do të harxhojnë përsëri shuma të mëdha gjatë merkatos së verës", u shpreh Benitez para mediave. Trajneri spanjoll mendon se sukses më vete për Liverpulin ka qenë fakti se ka marrë pjesë në vazhdimësi në Ligën e Kampioneve. Ky do të jetë qëllimi kryesor edhe në edicionet e ardhshme, sipas të cilit do të ndërtohet edhe merkato e futbollistëve. "Çelsi dhe Mançester Junajtid janë në elitën e futbollit në Evropë, ndaj është shumë e vështirë të përfundosh mes katër skuadrave më të mira në Angli. Është shumë e vështirë të arrish në këto pozita apo të kualifikohesh në Ligën e Kampioneve për katër vite radhazi. Ne do të përpiqemi gjithmonë të jemi pretendentë. Por, fjalët nuk i ndryshojnë faktet. Gjëja kryesore tani është të marrim lojtarët e duhur dhe të përmirësojmë ekipin. Nuk e di me saktësi se cila është shuma që do të shpenzojmë, por nuk është çështje parash. Duhet që të shpenzojmë shumën e duhur për lojtarin që na nevojitet. Nuk është e nevojshme të shpenzosh gjithmonë shuma të mëdha", vijoi ai. Benitez duket se ka gjetur lojtarin e parë, Emiliano Insua, të cilin do ta marrë nga skuadra e rezervave në ekipin e parë, pasi qendërmbrojtësi e bindi atë gjatë ndeshjes që luajti kundër Mançester Sitit. Por pritet që disa prej futbollistëve të largohen gjatë merkatos për t‘u bërë vend të rinjve. Peter Krauç, Xhermein Penant dhe Xhon Arne Rise janë tre "viktimat" e para të revolucionit që Benitez po planifikon në skuadër.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›