E Diel, 1 Nëntor 2026

Morati gjen gabimin: Ishim shumë të kujdesshëm

Masimo Moratit nuk i ka pëlqyer mënyra se si Interi i tij ka interpretuar derbin me Milanin, duke kritikuar hapur mentalitetin mbrojtës të skuadrës. Megjithatë, duket se ai nuk e ka lëshuar këtë kritikë në adresë të trajnerit Mançini, për të cilin shpreson se do të vazhdojë të qëndrojë në stolin e zikaltërve edhe në edicionet e ardhshme. Sipas tij, gabimi kryesor në derbi ishte mungesa e agresivitetit të ekipit, i cili ishte shumë i kujdesshëm për të mos pësuar gola, aq sa harroi të sulmonte gjatë pjesës së parë të takimit. "Në derbi, askush nuk ishte gati të festonte, ishim të gjithë të përqendruar maksimalisht për të luajtur mirë dhe për ta fituar këtë ndeshje. Nuk besoj se është bërë me dashje, por mendoj se ndeshja u interpretua në mënyrë të tillë, sa në fund zhvilluam një pjesë të parë të kujdesshme, më shumë se sa duhej. Fatkeqësisht, në disa raste fati ndihmon atë që ka më shumë kurajo, por me këtë nuk dua të fajësoj trajnerin Mançini", deklaroi presidenti i zikaltërve. Dëshira e Moratit është që Mançini të vazhdojë të drejtojë skuadrën dhe kjo nuk ka ndryshuar as pas humbjes në derbi. "Çdo të diel bëhen vlerësimet si për trajnerin, ashtu edhe për lojtarët, pasi futbolli është i ndërtuar në këtë mënyrë. Por, një incident si ai i derbit nuk më bën të ndryshoj mendje rreth qëndrimit tim ndaj Mançinit. Më duket se edhe ai ka thënë më shumë se një herë se do të vazhdojë të drejtojë skuadrën edhe në sezonin e ardhshëm", deklaroi presidenti i Interit, i cili ka shprehur më pas sigurinë për fitoren e titullit kampion në Serinë A.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›