Portieri Etrit Berisha i thotë "po" Shqipërisë
Interesimi nga Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) e ka gëzuar tej mase kosovarin Etrit Berisha. Talenti 19-vjeçar, i cili cilësohet si një kandidat i fortë për fanellën kuqezi, është vëzhguar prej disa muajsh. Gjatë një prononcimi për kosovaren "Express", portieri, që militon me suedezët e Kalmar FF u deklarua i gatshëm të luajë me kombëtaren shqiptare. Madje, ka pranuar se kjo është një ëndërr e fëmijërisë. "Jam në kontakt me drejtuesit e FSHF-së dhe jam shumë i lumtur që ata kanë shprehur interes për mua. Unë jam i gatshëm të bëhem pjesë e kombëtares shqiptare, sepse e kam pasur ëndërr të luaj me fanellën kuqezi", tha Berisha. Ish-portieri i skuadrës prishtinase, 2 korrikut tregon se pas pranimit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) në FIFA e UEFA, së bashku me futbollistët e tjerë kosovarë që janë pjesë e kuqezinjve do të vendosë se cilat ngjyrat do të mbrojë. Aktualisht, ai po aktivizohet me skuadrën e dytë dhe të të rinjve të Kalmarit, por beson se pas gjashtë muajve do të fitojë një vend në ekipin e parë. "Me Kalmar kam kontratë edhe për dy vjet dhe kam shumë besim që pas gjashtë muajve do të jem pjesë e ekipit të parë. Këtu gjithçka po shkon mirë dhe trajneri është duke më vlerësuar maksimalisht", theksoi Berisha. Por, nëse talenti i portës e ka vendosur se cila do të jetë e ardhmja e tij, e njëjta gjë nuk mund të thuhet edhe për mesfushorin 18-vjeçar, Anel Raskaj. FSHF-ja ka shprehur interes edhe për futbollistin që në Suedi vlerësohet si "Zidan i ri", megjithatë ai ende nuk ka marrë asnjë vendim. Babai i mesfushorit të talentuar, Seadi, tregon se pas interesimit të FSHF-së do të bisedojë me djalin e tij dhe më pas do të zgjedhin më të mirën. "Do të shkoj në Suedi do të flas me Anelin dhe më pas do të marrim një vendim", tha Raskaj, i cili ditë më parë ka pasur një takim me përgjegjësin e ekipeve kombëtare, Hito Hitaj. Që prej vitit 2007, Anel Raskaj aktivizohet te skuadra Halmstad, ku stërvitet dhe luan me ekipin e parë.