Tifozët kundër Tares: Nuk është i denjë për fanellën
Humbja në shtëpi me Palermon ka bërë që tifozët e Lacios të pozicionohen kundër skuadrës. Mes lojtarëve të kontestuar është edhe Igli Tare, që të dielën u aktivizua përgjatë gjithë 90 minutëshit. Mediat italiane e kanë vlerësuar me nota pozitive lojën e shqiptarit, i cili ka nxjerrë në pozicion shënimi shokët e skuadrës, madje është paraqitur edhe dy herë i vetëm me portierin (pa shënuar), por të të njëjtit mendim nuk janë mbështetësit bardhekaltër. "Tifozët janë të hidhëruar për sjelljen e lojtarëve: pa shpirt dhe pa zemër! Nuk ka fjalë për ta përshkruar paraqitjen kundër Palermos", citohej në forumet e tifozëve. "Faji? Është i të gjithëve. Skuadra ka futbollistë që mund të luajnë vetëm në Serinë B, që djersinë në fushë vetëm se ka diell". Tifozët lacialë nuk janë kursyer as për ish-kapitenin e kombëtares shqiptare, që në periudhën kur qëndronte pafundësisht në stol e vlerësonin, sepse nuk krijonte polemika. "Tare të largohet, nuk është i denjë për këtë fanellë", shkruanin tifozët.