E Diel, 1 Nëntor 2026

Benito Mussolini agjent i fshehtë i Britanisë së Madhe

100 sterlina në javë. Kaq merrte ai për punën që bënte. Për gati një vit të tërë, Benito Mussolini, i njohur gjerësisht me nofkën "Duçja", më 1917-ën, ishte i punësuar nga shërbimet e fshehta britanike. Një fakt i papritur mbase, që vjen për njeriun që shumë vite më pas do t'i shpallte luftë Britanisë së Madhe. Por politika, sidomos ajo ndërkombëtare, shpesh paragjykohet, pasi nuk është për t'u habitur që anglezët më vonë do të stërmallkoheshin nga fashistët, ndërkohë që më herët kishin qenë aleatë të çmuar me njëri-tjetrin. Për t'u habitur është në fakt edhe shuma e parave, 100 sterlina, për të cilat shërbente me besnikëri Mussolini për inteligjencën britanike. Dhe duhet theksuar se nuk ishte një shumë e madhe të hollash dhe për kohën për të cilen flitet. "Mund të themi se po ta vlerësojmë me vlerën e sotme të sterlinave, bëhet fjalë për rreth gjashtë mijë të tilla", shprehet Piter Martland, profesor i historisë moderne në Universitetin e Kembrixh. Roli që luajti Mussolini për Britaninë e Madhe në Luftën e Parë Botërore, kundër Perandorive të Bllokut Qendror, ishte shumë vital. "Ishte një bisnes i vërtetë i Mussolinit, sepse në atë kohë fatet e luftës dukeshin të vendosura. Është e mundur që ato 100 sterlina të kenë ndryshuar rrjedhën e historisë për Europën. Gjithësesi, po të kishte fituar Gjermania, nuk do të ishim këtu duke treguar", thotë historiani anglez. Dhe Mussolini do ta luante shumë mirë rolin e tij, duke bërë që Italia të mos braktiste luftën dhe të qëndronte përkrah fuqive të Bllokut të Antantës. Kjo do të bënte që blloku të qëndronte i bashkuar deri në fund dhe të dilte fitimtar i Luftës së Parë Botërore.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›