E Diel, 1 Nëntor 2026

Bentler: Në veri ekziston potenciali për dhunë



Në veri ekziston potenciali për dhunë, pandaj veriu do të jetë pika e orvatjeve tona", tha gjatë një takimi me gazetarë në Prishtinë, komandanti i KFOR-it, Markus Bentler. Ai foli edhe për ecurinë e transferimit të përgjegjësive për ruajtjen e monumenteve kulturore e fetare serbe te Policia e Kosovës.
Ndonëse situata e sigurisë në veri të Kosovës aktualisht është e qetë dhe e qëndrueshme, veriu vazhdon të përbëjë një kërcënim për situatën e përgjithshme të sigurisë në vend, vlerësuan përfaqësues të misionit të NATO-s në Kosovë.
Komandanti i KFOR-it, Markus Bentler tha se në pjesën veriore dhe atë jugore të Mitrovicës ekziston potenciali për dhunë dhe se vazhdon të ketë konflikte e përplasje të interesave në mesin e banorëve shqiptarë e serbë si pasojë e koncepteve të ndryshme politike për Kosovën.
Gjithashtu Bentler u bëri thirrje të gjithë banorëve në veri që të përcjellin zhvillimet politike, por duke u përmbajtur nga përdorimi i koktejeve molotov, granatave të dorës dhe gjërave të tjera me të cilat, sipas tij, nuk mund të përmirësohet gjendja.
Lëvizjet e trupave të KFOR-it, 10 mijë sa aktualisht janë në Kosovë, thuhet se do ta kenë prioritet pjesën veriore të Kosovës.
Bentler tha se KFOR-i po mbikëqyr situatën edhe tani në prag të mbledhjes së radhës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara- mbledhje kjo në të cilën pritet të diskutohet shtetësia e Kosovës edhe pas prezantimit të mendimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Bentler theksoi se rezoluta 12 44 vazhdon të mbetet korniza vepruese e misionit të NATO-s në Kosovë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›