E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pakistan, OKB: 800 mijë të izoluar, duhen helikopterë

“Përmbytjet e shkaktuara nga shirat e musoneve vazhdojnë të shpërngulin miliona persona në jug të Pakistanit. Vlerësojmë 800 mijë të prekur në të gjithë vendin mund të ndihmohen vetëm nga ajri, prandaj kemi nevojë urgjente për më tepër helikopterë”, thuhet në një komunikatë të Zyrës së koordinimit të OKB-së për çështjet humanitare (OCHA), e bërë publike sot.

“Këto përmbytje të paprecedenta paraqesin probleme logjistike të paparashikuara dhe bëjnë të nevojshme një përpjekje të jashtëzakonshme nga komuniteti ndërkombëtar”, thekson në komunikatë Xhon Holms, zëvendëssekretar i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara i ngarkuar me çështjet humanitare.

“Kemi nevojë për të paktën 40 helikopterë të mëdhenj që të funksionojnë me kohë të plotë, për të arritur deri në një numër të madh personash gjithmonë e më të dëshpëruar dhe për t’u dhënë atyre ndihmën e parë për të mbijetuar”, vijon më tej komunikata.

Pakistani po përballet me krizën më të rëndë humanitare të historisë së tij, me më tepër se një të pestën e vendit të përmbytur që prej rreth një muaji. Të paktën 1500 persona kanë vdekur dhe rreth 20 milionë të tjerë janë prekur në shkallë të ndryshme. Sipas vlerësimeve të OKB-së, më tepër se tetë milionë njerëz kanë nevojë për ndihmë të menjëhershme.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›