E Diel, 1 Nëntor 2026

Rajoni kundër rezolutës serbe


Serbia u ka kërkuar vendeve të rajonit që të abstenojnë kur të votohet rezoluta serbe rreth Kosovës në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara, por ka marrë përgjigje të menjëhershme refuzuese nga Lubjana dhe Zagrebi, ndërkohë që të njëjtin hap pritet ta marrin Podgorica dhe Shkupi. "Nuk ka gjasa reale që ndonjëra nga vendet e rajonit që e ka njohur Kosovën t'i kthej përgjigje pozitive Beogradit, dhe këtë jo për Prishtinën, por për shkak të Washingtonit. Kjo sepse të gjitha vendet e rajonit duan të jenë aleatë të Shteteve të Bashkuara dhe se është e qartë që kjo fuqi botërore ushtron ndikim të madh në arenën ndërkombëtare kur është fjala për Kosovën", ka deklaruar për "Danas" Zarko Puhovski, profesor i Fakultetit Filozofik në Universitetin e Zagrebit. Ai ka thënë se Serbia nuk duhet pasur iluzione se ndonjëra nga vendet që e ka njohur Kosovën ta mbështesë rezolutën e saj, e cila kërkon negociata të reja për statusin. Ndërkohë sipas burimeve të gazetës Politika, fuqitë perëndimore po përpiqen të ndryshojnë shprehjen në paragrafin e dytë të rezolutës serbe me të cilën bëhet thirrje për dialog "mbi të gjitha çështjet e hapura". Sipas vlerësimeve të Beogradit zyrtar në favor të Serbisë do të votojnë 50 vende, kundër do të jenë 60 (69 shtete e kanë njohur Kosovën deri më tani), 40 vota janë objekt i betejës lobuese, kurse përfaqësuesit e 40 vendeve do të braktisin seancën me rastin e votimit.
Debati rreth propozimit të rezolutës së Serbisë për Kosovën në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, sipas medieve serbe është parashikuar të zhvillohet më 9 shtator, por kjo datë mund të ndryshojë, por jo pas 14 shtator pasi përfundon sesioni i 65-të i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›