E Diel, 1 Nëntor 2026

Beograd: Marrëveshja edhe zyrtarisht nuk pranohet

(E plotësuar) Qeveria e Serbisë ka vendosur unanimisht të mos e nënshkruajë marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, e cila është ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Arsyetimi që është thënë ka të bëjë me, siç thuhet, mos-garantimin e sigurisë dhe të drejtave të njeriut për komunitetin serb në Kosovë.

Marrëveshja e ofruar ka pasuar tetë raunde bisedimesh në nivel kryeministrash, të ndërmjetësuara nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, baronesha Catherine Ashton.

Çështje e kontestueshme për Beogradin ka mbetur autoriteti që do të ketë asociacioni i komunave të banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës. Beogradi kërkon që ky asociacion të ketë fuqi ekzekutive, veçanërisht në fushën e policisë, drejtësisë dhe planifikimit hapësinor, transmeton Rel.

Prishtina zyrtare e ka kundërshtuar fuqishëm, duke kërkuar nga Beogradi që të përballet me realitetin e ri të krijuar në Kosovë.

Partia Përparimtare Serbe [SNS] i ka rekomanduar që në mëngjes Qeverisë së Serbisë që të mos nënshkuajë marrëveshjen me Prishtinën të cilën e ofroi Brukseli, bëri të ditur kryetari i partisë, Aleksandar Vuçiq.

Kundërshtimin, ky subjekt e publikoi të hënën në mëngjes pas mbledhjes së kryesisë e cila i sugjeroi qeverisë që urgjentisht të thirr Brukselin për vazhdim të negociatave, me synimin e sigurimit të më shumë të drejtave për serbët në Kosovë.

“Duam të gjejmë zgjidhjen e problemit sa më parë të jetë e mundur, sepse nuk kemi kohë për taktizime. Datën do të na japin në qershor ose shtator, por [ajo që dihet është se] do të na e japin datën”, mediet në Beograd citojnë Vuciq të ketë thënë pas takimit të kryesisë së partisë.

Vuçiq, i cil i është edhe zëvendëskryeministër i Serbisë, tha se 2 nga 8 pikat e parashtruara nga Brukseli në marrëveshje janë të papranueshme, e që nënkuptojnë se katër komunat veriore nuk do të jenë autonome por në kuadër të rregullimit kushtetues të Kosovësë, dhe që forcat e armatosura të Kosovës do të dislokohen në atë zonë.

Ai ka shprehur zhgënjimin e tij, lidhur me ofertën e BE-së, por ka theksuar se kjo nuk do të thotë se duhet mbyllur dyert me Brukselin, pasi sipas tij, SNS-ja “nuk dëshiron ta kthejë Serbinë kah e kaluara, e as ta çojë në humnerë”.

“Nuk duam të shesim trimëri dhe të mbledhim poena politikë, por që të paraqesim qëndrime racionale, të arsyeshme dhe të Serbisë normale, e cila nuk e dëshiron të nëncmohet, por të bisedojë se si të gjejmë zgjidhjen për problemin e Kosovës”, tha Vuçiq.

----------

Oferta për secilin qytetar të Kosovës, pavarësisht përkatësisë etnike është e thjeshtë dhe e qartë – Kosova është vendi i përbashkët dhe atë e kemi ndërtuar dhe po e ndërtojmë për të mirën tonë të përbashkët, pa dallime etnike, për të mirën edhe të atyre qytetarëve tanë në komunat në veri të Kosovës, jeta e të cilëve vazhdon të mbetet peng e grupeve të caktuara.

Vendosja e sundimit të ligjit dhe e rendit në pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, është thelbësore për zhvillimin e saj në kuadër të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit dhe për qetësinë, sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve tanë të komunitetit serb– theksoi kryeministri Thaçi në takimin e Grupi Punues Sektorial të Qeverisjes, me fokus koordinimin e donatorëve për pjesën veriore të MitrovicësPjesa veriore e Mitrovicës vazhdon të ballafaqohet me sfida të mëdha, më komplekse prej të cilave është mungesa e sundimit të ligjit dhe mekanizmave institucional për ofrimin e shërbimeve publike nga institucionet e zgjedhura, ligjore dhe legjitime, tha në fillim kryeministri Thaçi

Republika e Kosovës dhe Republika e Serbisë janë ende pjesë e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Serbisë, me përkushtimet tona për fqinjësi të mirë, si parakusht i domosdoshëm për integrimet euroatlantike të Kosovës, edhe të vendeve tjera të rajonit. Në kuadër të dialogut, së fundi temë e diskutimit ka qenë edhe shuarja e strukturave paralele dhe krijimi i sigurisë dhe i asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Pas disa raundeve të takimeve, me ndërmjetësimin e shkëlqyeshëm të Baroneshesh Ashton, kemi arritur afër marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sqaroi kryeministri.

Dua të shpresoj se do të gjendet koha dhe momenti, si dhe rrethanat e përshtatshme për arritjen e marrëveshjes.

Marrëveshja do të ndihmojë në konsolidimin dhe funksionalizimin e shtetit të Kosovës, funksionimin e të gjitha institucioneve shtetërore në çdo cep të territorit të vendit dhe, në kuadër të kësaj integrimin e plotë të serbëve në veri dhe gjithë atyre që jetojnë atje në institucionet e Kosovës dhe në gjithë mekanizmat institucional e shoqërorë.

Marrëveshja do të mundësojë lëvizje të lirë të njerëzve dhe mallrave, do të krijohet ambient i sigurt edhe në veri dhe, do të punohet për shpërbërjen e të gjithë strukturave ilegale të sigurisë.

Oferta për secilin qytetar të Kosovës pavarësisht përkatësisë etnike është e thjeshtë dhe e qartë – Kosova është vendi i përbashkët dhe atë e kemi ndërtuar dhe po e ndërtojmë për të mirën tonë të përbashkët, pa dallime etnike, për të mirën edhe të atyre qytetarëve tanë në komunat në veri të Kosovës, jeta e të cilëve vazhdon të mbetet peng e grupeve të caktuara.

Vendosja e sundimit të ligjit dhe e rendit në pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, është thelbësore për zhvillimin e saj në kuadër të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit dhe për qetësinë, sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve tanë të komunitetit serb, u shpreh kryeministri. Prandaj, investimi në këtë pjesë të Kosovës është shumë domethënës dhe esencial, sepse në këtë mënyrë qytetarët e kësaj pjesë do të krijojnë marrëdhënie të shëndosha me institucionet dhe, njëkohësisht do te krijohet një rritje e besueshmërisë në organet shtetërore të Kosovës.

Unë dua të besoj se edhe Serbia është thellësisht e interesuar që në veri të Kosovës të sundojë rendi dhe ligji, dhe që komuniteti serb që jeton atje të zhvillojë jetë normale.

Suksesi në këtë dialog do të jetë në dobi të dy shteteve dhe mbi të gjitha të qytetarëve tanë. Nëse dialogu rezulton me sukses, nuk do të ketë humbës, por vetëm fitues./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›