Jahjaga ngushëlloi Mbretëreshën, Mustafa kryeministrin britanik

(E plotësuar) Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga i ka dërguar një telegram ngushëllimi Mbretëreshës Elizabeth, me rastin e vdekjes së ish-kryeministres së Mbretërisë së Bashkuar, Margaret Thatcher.Në telegram thuhet:
Me pikëllim të madh morëm lajmin për ndarjen nga jeta të ish-Kryeministres, zonjës Margaret Thatcher, lideres historike që kontribuoi thellësisht në reformimin dhe zhvillimin e vendit tuaj.
Më lejoni që t'ua përcjell ngushëllimet e mia dhe të qytetarëve të Republikës së Kosovës Shkëlqesisë tuaj dhe qytetarëve te Komonuelthit për humbjen e një vizionareje dhe një përkrahëseje të fuqishme të ekonomisë së tregut të lirë si mënyrën më të mirë për të siguruar prosperitetin, paqen dhe stabilitetin për shtetin dhe qytetarët e saj.
Zonja Thatcher do të mbahet në mend si udhëheqëse që inspiroi dhe u dha kurajë gjeneratave të tëra me vendosmërinë e saj për të marrë vendime të guximshme dhe të drejta për të siguruar një të ardhme më të mirë për Britaninë e Madhe.
Ndërkohë, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa i ka dërguar telegram ngushëllimi kryeministrit të Britanisë së Madhe, David Cameron.
Mustafa, në emër të LDK-së, ka ngushëlluar kryeministrin britanik, Qeverinë, Partinë Konservative, familjen Thatcher dhe popullin e Britanisë së Madhe.
“Liderja e madhe Thatcher e ka drejtuar vendin Tuaj në kohë vendimtare për Britaninë e Madhe dhe për Evropën në përgjithësi.
Trashëgimia politike e saj do të jetë udhëzuese për ecjen e kombit Tuaj si dhe për politikat ndërkombëtare në përgjithësi”, thuhet ndër të tjera në telegramin e Kryetarit Mustafa.
-----
Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi i ka dërguar një telegram ngushëllimi kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron, pas lajmit për vdekjen e ish-kryeministres, Margaret Thatcher.Në telegramin e ngushëllimit thuhet:
Me dhembje të madhe mora lajmin që ish-kryeministrja, Margaret Thatcher ka ndërruar jetë në moshën 87 vjeçare. Duke çmuar veprën e ish-kryeministres Thatcher në krye të Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar në momente tejet vendimtare, dua të theksoj se personaliteti i saj i lartë do të jetë shembull pozitiv për liderë dhe burrështetas në mbarë botën.
Institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës edhe në këtë moment dhembje shprehin mirënjohjen më të thellë për mbështetjen e vazhdueshme të popullit dhe Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar për Republikën e Kosovës. Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, ju lutem pranoni ngushëllimet më të sinqerta, me rastin e ndërrimit të jetës së ish-kryeministres Margaret Thatcher./Indeksonline/