Kush po e fiton PTK-në?

Brenda tre-katër ditësh pritet hapja e ofertave financiare të dy kompanive që janë në garë për privatizimin e PTK-së. Çmimi më i lartë, sipas kritereve të tenderit, do të përcaktojë se në zotim të kujt do të shkojnë 75 % të aksioneve të kompanisë më profitabile në vend, PTK-së.
Në pronësi të kompanisë gjermane "AXOS- capital" në konzorcium me "Najafi Companies LLC" me bazë në Phoenix, Arizona (SHBA) dhe me zyra në Nju Jork, Paris dhe Toronto, apo në duart e kompanisë “M1 International Limited”, që është pjesë e “M1 Group” me bazë në Liban.
Konzorciumi gjerman "AXOS- capital" me "Najafi Companies LLC", vlerësohet të jetë me e favorshme në aspektin strategjik - ekonomik të Kosovës, si dhe në aspektin politik, për faktin së këto kompani vinë nga vendet që janë mbështetëse të fuqishme të shtetit të Kosovës.
Sipas vlerësimeve të komisionit qeveritar dhe vetë ministrit të MZHE-së - Besim Beqaj, në kuadër të ofertës së tyre kanë hyrë “British Telecom” dhe “Telecom Italia”.
“Axos” udhëhiqet nga ekspertë me renome në fushën e telekomunikimit, me përvojë të gjatë në kompani gjigante të këtij lëmi, raporton Infokusi.
E dyta, kompania “M1 Group” me bazë në Liban, ka një fuqi të madhe financiare dhe me përvojë në investime në fusha të ndryshme, si telekomunikimi, aviacioni, energjia por kjo nuk vlerësohet si e mirëseardhur në tregun e Kosovës, për shkak të dyshimeve të shumta që janë ngritur rreth saj.
Për ketë kompani, e cila është në pronësi të kryeministrit libanez - Najib Mikati, dhe vëllait të tij - Taha Mikati, mediat vendore dhe ato ndërkombëtare kanë raportuar se ka lidhje me lëvizjen islamiste shiite “Hezbollah”. Madje kjo organizatë, që njihet si terroriste, në vitin 2011 kishte nominuar Najib Mikati për postin e kryeministrit në Liban.
Po ashtu, edhe gazeta amerikane “The Wall Street Jurnal” ka shkruar se kompania libaneze në pronësi të mbështetësit të Hezbollahut - kryeministrit Najib Mikati, “M1 Group” është në garë për privatizimin e PTK-së.
Analistët ekonomikë dhe përfaqësuesit e partive politike këtë e shohin si rrezik të cenimit të sigurisë dhe thonë së kompanive të tilla nuk duhet t’u jepet mundësia e operimit në tregun e Kosovës.
Jozyrtarisht, disa nga analistët e ekonomisë, shprehin shqetësime së PTK-ja nga ky proces mund të bjerë në duar të ndonjë kompanie të dyshimtë dhe bëjnë thirrje të ketë një kujdes të madh para vendimit të shpalljes se fituesit.
Mirëpo, zyrtarët e qeverisë kanë thënë së në dosjen e tenderit për privatizim të PTK-së ekziston një nen i cili i jep të drejt autoriteteve përgjegjëse të tenderit që të anulojnë çfarëdo oferte, nëse ka dyshime që kompania ka lidhje me ndonjë organizatë terroriste.
Profili i kompanive
"AXOS- capital"
"Axos Capital" për transaksionin e PTK-së ka hyrë në konzorcium me "Najafi Companies LLC".
"Axos Capital Partners", është shoqëri aksionare investuese e investitorëve ndërkombëtarë të teknologjisë dhe telekomit. "Axos Capital" është me bazë në Hamburg, Gjermani.
"Najafi Companies LLC", është një firmë private ndërkombëtare e investimeve me bazë në Phoenix, Arizona (SHBA) dhe me zyra në Nju Jork, Paris, Toronto. "Najafi Compnies LLC", ka investime në sektorët e medias, teknologjisë, energjisë, industrisë dhe pasurive të patundshme në SHBA, në Evropë dhe vende të tjera të botës.
"M1 International/M1 Group"
"M1 Group", është një grup investues me bazë në Liban, me përvojë në investime në fusha të ndryshme, si telekomunikimi, aviacioni, energjia, ndërtimi etj. Është themeluar në vitin 1960, ndërsa ka filluar të investojë në tregun e telekomit që nga viti 1980, ku kompania më e madhe e telekomunikimit, në të cilën ka investuar ka qenë "Investcom".
Në vitin 2006, "M1 Group", përmes Investcom, u kombinua në një transaksion me "MTN", që është një kompani multinacionale e telekomunikimit me bazë në Afrikën e jugut. "M1 Group", është njëri nga aksionarët më të mëdhenj të "MTN"./Indeksonline/