E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbi: Takimi Irinej – kreu shtetëror përfundoi, deklarata nuk kishte

Takimi ndërmjet Patrikut të Kishës Ortodokse Serbe, Irinej, me zyrtarët më të lartë shtetëror të Serbisë, ka përfunduar në orën 16:40 në ndërtesën e Patrikanës së Serbisë.

Në këtë takim është biseduar për çështjen e Kosovës, ndërsa në të merrnin pjesë presidenti Tomisllav Nikolliq, kryeministri Ivica Daçiq, dhe nënkryetari i qeverisë, Aleksandar Vuçiq.

Raportohet se nga kjo mbledhje së pari ka dalur Daçiqi, ndërsa pas tij, nga ndërtesa e Patrikanës kanë dalur së bashku Nikolliq dhe Vuçiq.

Asnjëri prej zyrtarëve të lartë nuk ka dhënë deklarata për gazetarë.

Pritet që pas këtij takimi, do të mbahet edhe mbledhja e qeverisë së Serbisë në të cilën do të diskutohet për përgjigjjen të cilën Beogradi do t’ia dërgoj Bashkimit Evropian, lidhur me propozimin e marrëveshjes për normalizimin e raporteve Serbi – Kosovë.

Partia Progresive Serbe, e udhëhequr nga Aleksandar Vuçiq, që është partia më e madhe në koalicionin qeverisës të Serbisë, ka kumtuar sot se marrëveshja e tillë nuk duhet të pranohet, por dialogu me Prishtinën duhet të vazhdoj./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›