Beograd, gjykata refuzon ankesën e Mlladiçit

Gjykata e Lartë në Beograd ka refuzuar sot ankesën e përfaqësuesit juridik të ish komandantit serb të Bosnjës, Ratko Mlladiç, në vendimin për plotësimin e kushteve për ekstradimin e tij në Gjykatën e Hagës për krime lufte, ka thënë zëdhënësja e gjykatës, Dushica Ristiç.
Ky vendim do t`i dorëzohet ministrisë së drejtësisë së Serbisë, e cila duhet të vendosë për ekstradimin e të akuzuarit Mlladiç në Hagë.
Ratko Mlladiç është i akuzuar për genocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, gjatë luftës në Bosnjë, në periudhën 1992-1995.