E Shtunë, 31 Tetor 2026

Franca mbështet procesin e njohjeve të Kosovës

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj gjatë vizitës zyrtare në Francë ka marrë premtime se Franca do të vazhdojë të përkrahë progresin dhe reformat, sidomos pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
 

Hoxhaj është takuar me Jean–David Lévitte, këshilltar për Diplomaci i Presidentit të Francës, Nicolas Sarkozy.
Në emër të presidentit Sarkozy, Lévitte ka siguruar ministrin Hoxhaj se Republika e Kosovës do të jetë gjithmonë në axhendën e Francës. Ai ka shtuar se Franca përkrah progresin dhe reformat, sidomos pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
 

Ai ka shprehur përkrahjen e Francës për shtimin dhe përmbylljen e procesit të njohjeve të shtetit të Kosovës, si dhe për realizimin e aspiratave për t`u integruar në Bashkimin Evropian.
 

Ministri Enver Hoxhaj, ka informuar Lévitte për reformat e brendshme, për sundimin e ligjit, për dialogun teknik mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, si dhe për punën që po bëjnë autoritetet kosovare për të përmbushur kriteret e liberalizimit të vizave.
Duke folur për perspektivën evropiane të Kosovës, Hoxhaj ka thënë se Kosova nuk mund të mbetet vendi i vetëm në Ballkan, që nuk e gëzon të drejtën e lëvizjes së lirë.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›