E Diel, 1 Nëntor 2026

Beograd, manifestime anti-Koshtunica, kërkohet integrimi në BE

Mijëra persona manifestuan dje në Beograd për të kërkuar vazhdimin e rrugës drejt integrimit europian. Manifestimi i organizuar nga shoqatat e studentëve me moton “Europa nuk ka alternativa”, filloi përpara Fakultetit të Filozofisë në Beograd, si në kohën e manifestimeve anti-Millosheviç në vitet 1990. Puna e qeverisë serbe është bllokuar nga mosmarrëveshjet midis presidentit Boris Tadiç dhe kryeministrit Vojisllav Koshtunica lidhur me çështjen e anëtarësimit të Serbisë në BE. Manifestuesit kërkuan që institucionet të rifillojnë punën, duke kërkuar nënshkrimin e menjëhershëm të marrëveshjes së Serbisë me BE-në. BE-ja i ka ofruar Serbisë nënshkrimin e një marrëveshjeje politike që do ta çonte atë drejt anëtarësimit në BE. Boris Tadiç është për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, ndërsa Koshtunica vlerëson se Serbia nuk mund të nënshkruajë asnjë marrëveshje me BE-në, për shak të shpalljes së pashmangshme të pavarësisë së Kosovës.
Manifestuesit parakaluan në qendër të Beogradit dhe kaluan përpara selisë së qeverisë serbe, ku ngritën zërin për kërkesat e tyre. Ata mbanin në duar topa ngjyrë blu të theksuar, simbole të BE-së, me mbishkrime të tilla: “Bruksel, Bolonjë, Beograd!” dhe “Nëse ndalemi tani, humbim gjithçka!” Disa prej tyre përmendën “Zoran Gjinxhiç”, emrin e ish-kryeminstrit serb të vrarë në vitin 2003 dhe thirrën: “Poshtë Koshtunica! Poshtë Millosheviçi i ri!”
“Cilado qoftë zgjidhja për Kosovën, ajo nuk duhet dhe nuk mund të ndalojë ecjen tonë drejt integrimit në BE”, - nënvizoi Viktor Rajds, një ekonomist 47-vjeçar. “Të rinjtë duan të anëtarësohen në BE dhe nuk ka kompromis për këtë çështje. Nëse autoritetet qeveritare nuk duan të ndjekin rrugën drejt integrimit europian pa kompromis, javën e ardhshme do të manifestojmë me kërkesa të tjera, thelbësore”, - bëri të ditur një prej organizatorëve, anëtar i unionit të studentëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›