Çmimet, Berisha: Jo ulje TVSH, indeksim
• Rritja e çmimit të bukës shkakton debate të ashpra në Kuvend. Kryeministri Sali Berisha i është përgjigjur menjëherë kërkesës së grupit parlamentar të PS-së, për një interpelancë për çmimet e rritura, veçanërisht të bukës.Socialistët, nëpërmjet nënkryetarit socialist të grupit, Erjon Braçe, i kërkuan qeverisë ndërhyrjen e menjëhershme për këtë situatë, duke u shprehur për rritjen e menjëhershme të pagave, por njëkohësisht duke ulur dhe taksat ndaj drithërave. Për Braçen, në dy vjet të qeverisë Berisha çmimi i bukës është rritur dyfish. Kryeministri Sali Berisha bëri të ditur se nuk mund të ulë taksën e drithërave që importohet, pasi dëmtohet prodhuesi vendas, ndërsa ka premtuar se qeveria do të indeksojë familjarët për rritjen e çmimit të bukës. “Për sa i përket rritjes së çmimit të bukës, Qeveria nuk mund të ndërhyjë në treg, por ka zgjedhur rrugën më të kushtueshme dhe më të ndershme, atë të indeksimit të rritjes së çmimit. Rritja e ndodhur është një çështje botërore tërësisht e njohur, pasi ka disa faktorë dhe asnjëri prej të cilëve nuk varet nga Shqipëria, siç është përdorimi i grurit dhe misrit për etanol”, deklaroi Berisha. Indeksimi, sipas tij, edhe pse është i shtrenjtë për shtetin shqiptar, është rruga më e drejtë. Kryeministri theksoi se, “nuk mund të ndërmarrë masa për të ndëshkuar fermerët shqiptarë, por do të realizojë dhe një ndërhyrje në treg për të ndëshkuar spekulantët”. Por socialisti Braçe u shpreh mjaft i ashpër nga deklaratat e Kryeministrit, duke kërkuar që “qeveria të rivlerësojë rritjen e pagave që do të ndërmarrë në muajin korrik të këtij viti, pasi aktualisht rritja do të jetë në masën pesë qind”. “Zoti kryeministër, ndiqni shembullin e Maqedonisë, homologu juaj e arriti marrëveshjen me firmat prodhuese të bukës, po kështu veproi edhe Kroacia. Ata përdorën rezervat e shtetit, ti zoti kryeministër po flet me papërgjegjshmëri të plotë. Prej muajsh ju nuk po plotësoni detyrimin ligjor për indeksimin e inflacionit. Nëse nuk e realizoni këtë, ta dini se ne si PS do t’ju padisim në gjykata apo në Gjykatë Kushtetuese për moszbatim të ligjit”, theksoi Braçe. Por Kryeministri ka kundërshtuar kërkesën e Braçes, për të ulur taksën për importuesit e drithërave. “Nuk pranoj uljen e TVSH-së, sepse ajo dëmton në mënyrë thelbësore prodhimin vendas dhe i jep mundësi spekulimit. Ju siguroj se ky është treg i hapur dhe nuk ka më bllokada tregu, ndaj të mos i biem burive të panikut, pasi ora e Shqipërisë është ora globale dhe jo ajo e izolimit. Gjë më të hidhur se sa të shohësh opozitën kur bën avokatinë e informalitetin”, theksoi Berisha. Ndërsa mësohet se në mbledhjen e grupit të PD-së, Kryeministri ka kërkuar miratimin me procedurë të përshpejtuar ligjin “Për mbrojtjen e konsumatorit”.