E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buka do shitet vetëm në qese letre me vulë

• Buka do të shitet vetëm në furra dhe jo më në dyqane të tjera. Ky produkt brenda një kohe të shkurtër do të ketë mbi qeset e letrës ambalazhuese edhe një etiketë.zirina llambroNë të do të shënohet çmimi, pesha reale, data e prodhimit dhe origjina. Gjithçka do të vihet shumë shpejt në praktikë. Në takimin e zhvilluar nga Ministria e Bujqësisë me prodhuesit e bukës është rënë dakord për këto masa, të cilat do të shmangin abuzimet me cilësinë dhe çmimin e bukës. Sipas drejtoreshës së përgjithshme të sigurisë ushqimore në MBU, Valbona Paluka, nuk do të lejohet më shitja e bukës e pasigurt për konsumatorët. “Janë marrë masa për ndalimin e tregtimit të bukës në njësitë tregtare që nuk janë të destinuara vetëm për shitjen e këtij produkti”, tha Paluka. Sipas saj, ambalazhimi dhe tregtimi i bukës në njësitë që nuk janë të destinuara për këtë qëllim ndalohet për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve dhe për të luftuar informalitetin në këtë biznes. Drejtoresha theksoi se,  pikat e shitjes duhet të jenë të pajisura me dokumentacionin shoqërues, sipas legjislacionit në fuqi, ku të tregohet origjina, data e prodhimit, çmimi dhe pesha e saj. Shmangia e abuzimevePër mënyrën e re të tregtimit, ministria ka rënë dakord edhe me prodhuesit e bukës dhe grupet e tjera të interesit. Sipas tyre, me tregtimin e këtij produkti po abuzohet. Kjo qoftë me çmimin, por edhe më prodhimin ilegal të saj. Me kushtet e reja të shitjes së produktit më jetik për shqiptarët këto probleme do të shmangen. Prej ditësh qytetarët janë alarmuar, pasi u paralajmërua një rritje e çmimit të bukës deri në 120 lekë. Brenda pak muajsh kjo është shtesa e dytë që i bëhet produktit.  Disa dyqane e vunë menjëherë në zbatim, ndërsa për pjesën më të madhe të tyre, sidomos në kryeqytet çmimi ka mbetur i pandryshueshëm. Përballë reagimeve të kategorive të ndryshme të popullatës se ky vendim bie ndesh me standardin e ulët të jetesës, u dhanë një sërë deklaratash. Një argument zyrtar e justifikoi rritjen e çmimit të bukës me rritjen e çmimit të drithërave në tregjet ndërkombëtare. Por kjo u kundërshtua nga ekspertët e mirëfilltë në Ministrinë e Bujqësisë, sipas së cilëve, rritja e çmimit të shitjes së bukës në vend nuk është e mbështetur në faktorë objektivë. Ata, bazuar mbi dokumente zyrtare bëjnë me dje se lënda e parë që vjen nga importi që prej më shumë se 4 muajsh ka të njëjtat çmime. Kështu, sipas të dhënave zyrtare, gruri nga BE-ja zhdoganohet me 285 USD/ton dhe nga Rusia 315 USD/ton. Ekspertët, madje disa ditë më parë publikuan edhe koston reale të bukës në furra. Sipas llogaritjes së tyre, një buke me peshë 800 gramë që blihet masivisht nga qytetarët nuk kushton më shumë se 56 lekë kur del nga furra. Kjo duke i shtuar edhe taksat e koston e ambalazhimit. Sipas specialistëve dhe prodhuesve të bukës, me çmimin abuzojnë minimarketet e vogla, të cilat i vënë sipas dëshirës. Mielli për bukë, alarm botërorÇmimet e bukës kanë shënuar një rritje të konsiderueshme në të gjithë botën dhe në disa vende kanë provokuar protesta të popullsisë, sidomos në vendet e varfra dhe rajonet e paqëndrueshme, ku rritja e çmimeve të produkteve të konsumit të përditshëm është përkthyer nga rebelët si shansi më i mirë për të sulmuar qeveritë përkatëse. Në rajone të ndryshme çmimi i bukës është rritur nga 1-21 për qind në Evropë ndërsa në disa vende të Amerikës, çmimi i miellit për bukë është rritur me 50 për qind, po kështu, në disa shtete edhe buka. Prodhuesit e mëdhenj kanë paralajmëruar se nëse ritmi i rritjes së çmimit të miellit dhe drithërave vazhdon në këtë mënyrë si nga gjashtëmujori i vitit të kaluar deri këtë vit, atëherë deri në dhjetor të këtij viti pritet që në pjesën më të madhe të vendeve të të gjithë botës, çmimi i bukës të jetë dyfishuar krahasuar me çmimin aktual dhe në disa raste edhe trefishuar. Në Afrikë qeveritë e pjesës më të madhe të vendeve kanë marrë vendim për rritjen me 40 cent (10 për qind) të çmimit të bukës, por edhe kjo në disa raste është e papërballueshme nga popullsia e varfër. Në Egjipt çmimi i miellit të bardhë është rritur me 27.5 për qind, ndërsa çmimi i bukës, pas vendosjes së një çmimi tavan dhe kompensimit të një pjese të taksave nga vetë shteti, çmimi i bukës është rritur vetëm 5 për qind. Në Azi është e njëjta situatë pothuajse në të gjitha vendet. Buka shënon rritje të konsiderueshme, por jo vetëm kaq, produkte të tjera si qumështi dhe mishi po shënojnë gjithashtu ngjitje në vlerësim nga tregtarët.“Të hiqet TVSH për miellin dhe grurin”Prodhuesit e bukës kanë rënë dakord me ministrinë për shitjen e produktit me etiketë dhe vetëm në furra. Por nga ana tjetër, ata i kanë kërkuar qeverisë heqjen e TVSH-së për grurin e miellin. “Këshilli Kombëtar analizoi me përgjegjësi situatën e vështirë që po kalojnë prodhuesit e bukës dhe konsumatorët dhe kërkoi ndërhyrjen e shtetit për krijimin e rezervave të mjaftueshme me grurë dhe miell për normalizimin e furnizimit të tregut”, u shpreh dje kryetari i këshillit, Gëzim Peshkëpia. Sipas tij, kërkesa të tjera të prodhuesve të bukës janë krijimi i lehtësirave fiskale favorizuese për ta, si dhe kompensimin e energjisë elektrike, naftës, gazit dhe druve për prodhuesit e bukës. Këto kërkesa do të diskutohen më tej nga ministritë e linjës. Sipas Peshkëpisë, shoqata distancohet dhe nuk pajtohet me veprimet abuzive të individëve të veçantë dhe grupeve në prodhimin dhe shitjen e bukës, si dhe mbështet çdo veprim të institucioneve që luftojnë prodhimin informal. “Nxjerrja e bukës në treg me etiketë identifikuese të furrës, ku prodhohet do të  luftojë prodhimin ilegal, ndërsa shoqata merr përsipër që të vazhdojë të furnizojë të gjithë paraplegjikët me çmimin e pandryshuar të bukës”, theksoi Peshkëpia. Prodhuesit e bukës sakaq, bënë me dije se për situatën e krijuar së fundmi përgjegjësia nuk është e tyre. “Të gjithë prodhuesit seriozë, nuk kanë asnjë gisht në rritjet abuzive të çmimit të bukës”, shtoi kryetari, Gëzim Peshkëpia. 20 per qind është TVSH-ja për miellin dhe grurin e importit. Kjo taksë është e vendosur nga qeveria dhe sipas prodhuesve të bukës rëndon biznesin e tyre.56 lekë është kostoja në furrë e një buke që peshon 800 gramë. Këtë rezultat kanë nxjerrë ekspertët të cilët kanë matur të gjithë parametrat e prodhimit
Qeveria e Shkupit nis uljen e çmimit
Maqedonia uli dje çmimin e bukës për konsumatorin. Qeveria maqedonase pas një takimi mes anëtarëve të saj, përfaqësuesve të sindikatave, të marketeve më të mëdha në vend, të prodhuesve të produkteve themelore jetësore dhe të organizatës së konsumatorëve të Maqedonisë vendosi që buka, qumështi dhe vaji ushqimor do të shiten me çmime të reja, më të ulëta nga ato që kanë qenë deri tani. Sipas zëvendëskryeministrit Zoran Stavreski, një pjesë e marketeve propozuan që gjatë 30 ditëve të ardhshme t’i zbresin ndryshimet ndërmjet çmimit të blerjes dhe atij të shitjes, madje edhe po të heqin dorë prej tyre për disa nga prodhimet themelore, me qëllim që të pakësohet shoku nga çmimet. “Më me rëndësi është se ka vullnet për zgjidhjen e problemit. Duhet të kihet parasysh se çmimet po rriten në nivel global dhe se problemi nuk është vendor, por i importuar. Në takim është arritur edhe marrëveshja që 20.000 tonë të grurit nga rezervat e mallit t’u shiten ndërmarrjeve për bluarje me çmim prej 15 denarëve për kilogram, që plotësisht, krahas ndryshimit të çmimit, do ta ulë çmimin e bukës. “Kjo sasi është e  mjaftueshme për 45 ditë. Pas kësaj periudhe shpresoj se do të gjendet grurë më i lirë nga importi dhe se do të qëndrojmë me këto çmime të zbritura deri në korrje”, theksoi Stavreski. Një reformë e tillë është ndjekur edhe nga qeveritë e Kroacisë dhe Sllovenisë. Këto të fundit kanë ndërhyrë në politikat fiskale për të lehtësuar efektin e krizës botërore të grurit dhe miellit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›