E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rasti i Smilkovcit, dëshmon E1, gjykimi vijon të hënën

Në Gjykatën Penale në Shkup nën masa të forta sigurie është mbajtur procesi gjyqësor për rastin e vrasjes së pesëfishtë në Smilkovc të Shkupit. Në këtë seancë të jashtëzakonshme të thirrur pas orës 17.00, sipas avokatit mbrojtës të familjarëve Naser Raufi ka dëshmuar edhe dëshmitari i mbrojtur me kodin E1, dëshmi e cila ka përfunduar rreth orës 21:00, por nënvizoi se nuk ka të drejtë të komentojë deklaratat. Sipas tij, të akuzuarit janë të pafajshëm.
 

“Sapo përfundoi seanca gjyqësore ku në prani të avokatëve dhe të dyshuarve si të akuzuar ka përfunduar dëshmia e dhënë nga dëshmitari i mbrojtur E1. Ne nuk kemi të drejtën që të komentojnë tani për tani deklaratat e këtij dëshmitari, dhe kjo është edhe me urdhër të gjykatësit hetues”, deklaroi avokati Naser Raufi.

Sipas tij, pavarësisht kësaj situate, të akuzuarit nga hetuesia që mbahen në paraburgim janë të pafajshëm dhe pala mbrojtëse do të nxjerrë të gjitha dëshmitë për të vërtetuar këtë. Procesi gjyqësor lidhur me këtë rast pritet të vazhdojë ditën e hënë, ndërsa pritet që gjykata të bëjë publike detaje të tjera rreth këtij procesi.
 

Procesi gjyqësor ka nisur pas gjashtë muajve, pasi hetuesia kishte vijuar me grumbullimin dhe verifikimin e dëshmive të saj. Hetimet për vrasjen e pesëfishtë nisën më 1 maj me valën e arrestimeve në një operacion të koduar “Monstra”, ku u arrestuan mbi 30 shqiptarë nga Shkupi dhe rrethina, të cilët u dyshuan të përfshirë në vrasjen e pesëfishtë. Akuza e parë e MPB-së ishte se bëhet fjalë për vrasje të realizuar nga islamikë radikal, me qëllim të destabilizimit të vendit, mirëpo kjo akuzë më pas u tërhoq dhe nuk ishte bindëse.
 

Policia një ditë më pas liroi pjesën më të madhe të të ndaluarëve gjatë operacionit “Monstër”, ndërsa pesë persona, njëri prej të cilëve në arrati akuzohen për vrasjen dhe ndihmën e dhënë për realizimin e saj.
 

Ndërsa tre të ndaluarit janë në paraburgim si të dyshuar në vrasje, dy të dyshuarit kryesorë sipas MPB-së Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviç, gjenden në arrati dhe se ata dyshohen se janë vrasësit e drejtpërdrejt.
Përfaqësuesit ndërkombëtar në Maqedoni kanë kërkuar një proces transparent hetimor dhe shmangien e ndikimeve politike në mbylljen e rastit të vrasjes së pesëfishtë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›