Beogradi e do miqësinë e të mëdhenjve, por dhe Kosovën
Parlamenti i Serbisë mbështeti nismën e qeverisë për të kërkuar në Kombet e Bashkuara bisedime të reja rreth Kosovës. Pas një debati që zgjati rreth 12 orë, vendimi për bisedime u miratua me 126 vota pro, 26 kundër dhe 2 abstenime. Debati rreth Kosovës u zhvillua në seancën e jashtëzakonshme të Parlamentit të Serbisë, pas vendimit të GJND-së, sipas së cilit shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelur ligjin ndërkombëtar. Presidenti i Serbisë, në fjalimin e tij, tha para ligjvënësve se konfrontimi do ta privonte Serbinë që të luftojë për interesat e veta dhe Kosovën. “Serbia, çfarëdo që të jetë dhe kushdo që ta qeverisë, duhet të ketë marrëdhënie më të mira me fuqitë e mëdha. çdo politikë tjetër e çon drejt shkatërrimit”, është shprehur Presidenti i Serbisë, në fjalimin e tij përmbyllës para votimit. Megjithatë, ai mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë e konsideron si “gur bredhës që mund të qëllojë shumë vende të botës dhe prandaj Serbia duhet të dëshmojë se është faktor stabiliteti dhe i paqes”. Dhe në përputhje me këtë mendim kontradiktor ai ka shfaqur optimizmin se ekziston mundësia që Serbia të mbrojë integritetin e vet në Kosovë. Ai u ka thënë ligjvënësve se “pa bashkësinë ndërkombëtare nuk mund të gjejmë një zgjidhje për çështjen e Kosovës. është e pamundur të bëhet kjo në rrethana të izolimit dhe të konfrontimit, sidomos me fuqitë më të mëdha” dhe në këtë kontekst ka përmendur para së gjithash SHBA-në, Rusinë, Indinë e Kinën. Por, nuk ka mundur t’i shmanget sloganit të tij shpesh të përmendur edhe në kontakte ndërkombëtare, se “nuk është zgjidhje që shqiptarët e Kosovës t’i fitojnë të gjitha, kurse populli serb dhe Serbia t’i humbin të gjitha”. Presidenti Tadiç ka rikujtuar se para se të fillonin negociatat për statusin e Kosovës, gjatë kohës së qeverisë së kaluar, kishte thënë se Kosova është më afër pavarësisë se sa autonomisë thelbësore. “Unë edhe më tutje mendoj se është po ajo situatë. Por kjo nuk do të thotë se ne kemi të drejtë të pushojmë së luftuari”, është shprehur Tadiç, duke vlerësuar se ky është “detyrimi ynë njerëzor, moral dhe Kushtetues”. Që nga foltorja e Parlamentit u ka dërguar porosi serbëve dhe joshqiptarëve në Kosovë se Serbia nuk heq dorë nga lufta për Kosovën. Në tekstin e rezolutës të miratuar nga ligjvënësit e të propozuar nga qeveria, theksohet se “Kuvendi Popullor konsideron të domosdoshme që përmes bisedimeve paqësore të arrihet një zgjidhje e qëndrueshme, e përhershme dhe e pranueshme reciprokisht për Kosovën, në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Serbisë, e cila do të bëjë të mundur pajtimin historik të popullit serb e shqiptar, si dhe paqen e stabilitetin në rajon”, thuhet në tekstin e rezolutës, në të cilën po ashtu thuhet se “Parlamenti mbështet qeverinë në procesin e parashtrimit të rezolutës në Asamblenë e Përgjithshme të KB-së, miratimi i së cilës do të hapte rrugë që përmes negociatave të arrihet zgjidhja me kompromis për Kosovën. “Zëri i Amerikës” vlerësoi se kërkesa për një rezolutë të tillë mund të rrezikojë objektivin e Beogradit për anëtarësim në Bashkimin Europian. Shtetet e Bashkuara dhe shumica e vendeve të BE-së e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe blloku prej 27 vendesh ka deklaruar se marrëdhëniet e mira mes Serbisë dhe Kosovës janë një kusht kryesor për anëtarësimin. Rezoluta parlamentare e miratuar, e pesta për Kosovën që nga viti 2005, hedh poshtë opinionin e dhënë javën e kaluar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Ajo i kërkon qeverisë të lobojë për negociata rreth një statusi të ri, duke propozuar një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Me një politikë të tillë, Beogradi ka dalë kundër shumicës së vendeve të Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara, të cilat e kanë njohur Kosovën. Gjatë diskutimeve në seancë parlamentare, ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç e shpjegoi kështu situatën: "Vendi ynë dhe institucionet e tij të zgjedhura në mënyrë demokratike në këtë moment ndodhen përballë një dileme, pra nëse duhet të vazhdojnë t’i përmbahemi rreptësisht sovranitetit dhe tërësisë tokësore të vendit, duke përdorur të gjitha mjetet ligjore, politike e diplomatike në këtë betejë". Zoti Jeremiç tha se aktiviteti diplomatik i Serbisë deri në hapjen e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara do të përqendrohet në pengimin sa të jetë e mundur, të njohjeve të mëtejshme të Kosovës. Beogradi ka bllokuar anëtarësimin e Prishtinës në organizatat rajonale dhe nuk lejon mallrat apo njerëzit me dokumente të Kosovës të hyjnë në territorin e Serbisë, që është rruga më e shkurtër për në tregjet e Bashkimit Europian. Në debatin parlamentar, partitë e opozitës kritikuan ashpër qeverinë se humbi dy vjet me këtë lloj diplomacie, e cila nuk arriti të sigurojë një opinion të Gjykatës Ndërkombëtare në favor të Serbisë. Tomisllav Nikoliç, i cili kryeson grupin më të madh opozitar, Partinë Progresive Serbe, la të kuptohet se pas vendimit të gjykatës, qeveria duhet të ndryshohet. "Ne kërkuam që deklarata e njëanshme e pavarësisë të shpallej një akt në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar. Por Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë tha se kjo nuk është në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar. Ne morëm atë që merituam. Dhe tani na duhet të vuajmë nga kjo. çdo gjë do të ndryshohet në Serbi përveç qeverisë, përveç njerëzve që janë përgjegjës. Ne të gjithë ndihemi të turpëruar, të poshtëruar, të mundur, vetëm qeveria vazhdon aty ku është," tha zoti Nikoliç. Pas disa orësh debate, Parlamenti i Serbisë mbështeti nismën e qeverisë për të kërkuar në Kombet e Bashkuara bisedime të reja rreth Kosovës.
#