E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beogradi fton shqiptarët e Luginës për mosbojkotim të regjistrimit

Nga Express më 08 shtator 2011 në ora 21:49

Autoritetet e Beogradit i kanë bërë thirrje shqiptarëve në Luginën e Preshevës që të mos bojkotojnë regjistrimin e popullsisë në Serbi të paraparë prej 1 deri më 15 tetor.

Nenad Gjurgjeviq, Drejtori i Drejtorisë për të drejtat e pakicave deklaroi se bojkoti i paralajmëruar është një katastrofë për shqiptarët e Luginës.

“Të gjitha dokumentet dhe rregullat për regjistrimin janë të përkthyera edhe në gjuhën shqipe dhe se Enti Shtetëror i Statistikave dhe institucionet e tjera ministrore do të sigurojnë një regjistrim transparent me pjesëmarrjen edhe të pakicave në ekipet e regjistruesve”, theksoi Gjurgjeviq, duke shtuar se në komunat me shqiptarë do të ketë edhe përfaqësues shqiptarë në ekipet e regjistruesve, sepse regjistrimi aty bëhet edhe në gjuhën shqipe.

Ai ka shtuar se vendimi për bojkot është katastrofal, pasi që me shifrat që do të dalin nga regjistrimi, shqiptarët e Luginës së Preshevës do të përfitojnë edhe aq të drejtat e tyre.

Kuvendi i këshilltarëve shqiptarë të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës vendosi javën e kaluar bojkotin e regjistrimit, për shkak të anashkalimit të tyre nga procesi parapërgaditur, mënyra e shtypjes së formularëve të regjistrimit dhe mospjesëmarrja e regjistruesve shqiptarë. Lidhur me këtë shqiptarët e këtij rajoni prej javës së ardhshme do të organizojnë protesta për shkak të pakënaqësisë me pozitën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. (INA)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›