E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gaddafin ende ka kush e mbron

Nigeri dhe Burkina Faso vazhdojnë që me këmbëngulje t’i demantojnë pohimet se ish-diktatori libian, Moammar el Gaddafi, ndodhet në rajonin Sahel. Por, pavarësisht thashethemeve, përmendja e rajonit Sahel si vendstrehim i mundur i Gaddafit nuk paraqet ndonjë rastësi. Përkundrazi. Nga Express më 09 shtator 2011 në ora 08:13

Moammar el Gaddafi ka shumë miq në Afrikë. Të gjithë i bleu falë bllokut të tij të trashë të çeqeve. Gaddafi ka investuar në zhvillimin dhe armatosjen e disa prej që fuqishmëve të pakët që ende sundojnë në Afrikë. Ky veprim i solli simpati, por edhe ndikim. Madje, në një takim të Unionit Afrikan, shefat afrikanë të shteteve e quajtën atë si “mbret të mbretërve”.

Nga milionat e naftës së Gaddafit në veçanti përfituan shtetet e varfra afrikane, si Nigeri, Burkina Faso apo Mali. Prandaj edhe nuk habitë fakti që spekulimet sipas të cilave Gaddafi ndodhet në ikje drejt këtij rajoni këtyre ditëve janë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare, pohon eksperti francez për islamin, Bruno Callies de Salies.

“I gjithë rajoni është i lidhur ngushtë me Gaddafin. Ish-dikatori ka investuar shumë në Sahel, në zhvillimin e rajonit, qoftë në ndërtimin e rrugëve, hoteleve, pendëve... Ai madje planifikoi edhe një kanal në Niger, që do të shkonte deri në Timbuktu. Kush e di, ndoshta ai edhe do të realizohet. Por për rajonin ai gjithsesi se do të paraqiste një rrezik, sepse prania e Gaddafit është e rrezikshme për stabilitetin e tij”, thekson de Salies.

Stërvitje për diktatorët afrikanë

Megjithatë, Gaddafi nuk ka ndarë vetëm monedha. Ai gjithashtu ka stërvitur udhëheqës të kryengritësve afrikanë nëpër qendrën e tij, gjegjësisht në të ashtuquajturën Qendër Revolucionare Botërore, që ndodhej afër Benghazit. Aty, tipat si Idriss Deby ose Charles Taylor ishin mësuar se si të përdornin kallashnikovët. Njëri nga ta sot sundon në Çad, e tjetri, ish-presidenti i Liberisë, aktualisht ndodhet në Hagë, ku po gjykohet për krimet e kryera gjatë luftës qytetare në Sierra Leone.

Si njëri prej miqve më të afërm të kolonelit Gaddafi konsiderohet edhe njeriu më i fuqishëm i Burkina Faso’s, Blaise Compaoré. Edeh dikur ishte stërvitur në Libi. Pa ndihmën e Gaddafit Compaoré nuk do të mund të merrte pushtetin e këtij vendi afrikan në vitin 1987, prandaj ai tani do të mund t’ia shprehte Gaddafit falënderimin e tij. Është e vërtetë që Burkina e ka pranuar Këshillin Transitor të Libisë, por duket se ajo njëkohësisht është e gatshme që t’i ofrojë strehim edhe mikut të vetë të vjetër, Gaddafit.

Ka nga ata në Sahel që këtë gjë e konsiderojnë të drejtë. Një kalimtar i rastit pohon se “rrëzimi i Gaddafit ishte gjë ishte e gabueshme. Ashtu nuk guxon të trajtohet një njeri aq i madh. Atij duhet t’i ofrohet siguri këtu te ne. Të gjithë presidentët e Afrikës Perëndimore kanë pasur vetëm dobi nga ai”.

Frika nga mercenarët

E pastaj, këtu janë edhe tuaregët, një fis ky nomadësh nga pjesa veriore e Sahel’it. Gaddafi i ka mbështetur ata së tepërmi gjatë luftës së tyre për pavarësi në Niger, posaçërisht me armatim, municion dhe logjistikë. Si pasojë ka shumë tuaregë që në Libi luftuan në anën e diktatorit. Mirëpo, tani ekziston rreziku se Gaddafi do të mund t’i mobilizojë edhe njëherë.

“Nga shumë lëvizje çlirimtare të tuaregëve janë krijuar banda të ndryshme kriminale. Kështu që Gaddafi do të mund të shfrytëzojë mbështetjen e tyre, megjithëse duket se lidhje e tij me ta është dobësuar”, vlerëson shefi i hetimeve në zyrën e Institutit për Politikë të Jashtme të Francës (IFRI), Philippe Hugon.

Beteja për pushtet në Libi e hedh disi nën hije rajonin Sahel. Mirëpo, ka shumë njerëz që frikësohen nga mercenarët afrikanë të Gaddafit dhe nga armatimi i shumtë që qarkullon në atë rajon. Megjithatë, duket se shtetet e Sahel’it nuk janë aq të vullnetshëm që të heqin dorë nga Gaddafi. Eshtë e vërtetë që Nigeri dhe Burkina Faso e kanë pranuar Gjykatën ndërkombëtare Penale, e cila është vënë në kërkim të Gaddafit.

Por, që të dy këto shtete i takojnë Unionit Afrikan, i cili nuk do të ekzistonte fare pa Gaddafin. Prandaj edhe nuk çuditë që Unioni Afrikan me vendet e tij anëtare sugjeron injorimin e vendimit ndërkombëtar për arrestimin dhe ekstradimin e Gaddafit. Krejt kjo në përputhje me atë thënien e vjetër: “Mos e kafsho dorën që të ushqen”. DW

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›