Beogradi nuk i kontrollon serbët e Kosovës
Ivanoviç sulmon të zgjedhurit legjitimë të komunave dhe ndërkombëtarët
Serbia nuk i kontrollon më serbët e Kosovës. Strukturat qeveritare të Beogradit kanë nisur prej ditësh një fushatë sulmi ndaj drejtuesve të zgjedhur me vota të lira të pushtetit lokal, duke mbrojtur pjesëtarët e strukturave paralele të zgjedhura nga votimet në kuadër të Serbisë, në të cilat ka votuar vetëm një pjesë shumë e vogël e popullsisë serbe në Kosovë. Pas dështimit të provokacionit nga ministri për Kosovën në qeverinë serbe, Goran Bogdanoviç, zëvendësi i tij, i cili realisht është një nga politikanët e njohur të serbëve të Kosovës së veriut, Oliver Ivanoviç, ka sulmuar serbët e Komunës së Shterpcës, në jug të Kosovës, të cilët kanë njohur kryetarin legjitim. Sekretari i Shtetit për Kosovën, në qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanoviç, duke marrë pjesë në një emision të mëngjesit të sotshëm të Radio-Televizionit të Serbisë, u ka bërë thirrje serbëve të Shterpcës që të “qetësojnë pasionet”. Sipas tij, “Jo funksionaliteti i institucioneve lokale serbe i ka dhënë ushqim Pieter Feithit dhe shqiptarëve të Kosovës në Prishtinë që të vazhdojnë strategjinë e forcimit të sovranitetit atje. Ivanoviç ka deklaruar se në Shterpcë është i pakontestueshëm legjitimiteti i përfaqësuesve të zgjedhur nga Beogradi, pavarësisht se i konteston Prishtina dhe u ka bërë thirrje të dyja palëve (serbe) që të qetësojnë pasionet në mënyrë që me biseda të ndërsjella të gjendet zgjidhja. Duke komentuar iniciativën e përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare dhe synimin e shqiptarëve që të integrojnë veriun e Kosovës në të, siç e ka quajtur ai, të ashtuquajturin shtet të pavarur, Ivanoviç është shprehur se “bëhet fjalë për aksion të rrezikshëm të Feithit”, i cili në këtë punë ka mbështetjen e qeverisë së Kosovës. Pavarësisht se deklaratat e Pieter Feithit tingëllojnë të vendosura, institucionet serbe nuk do të tërhiqen, ka thënë Ivanoviç. “Sikur Qeveria të donte të tërhiqte institucionet, ajo nuk do të organizonte zgjedhjet lokale në Kosovë në vitin 2008 dhe, siç e dini, Mitrovica luan rolin qendror”, ka thënë sekretari i Shtetit për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanoviç. Ndërkaq, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shkuar të dielën në Shtërpcë për t’i dhënë përkrahje kryetarit të ri të komunës, Bratislav Nikoliçi, i cili dy ditë më parë ka marrë nën kontroll zyrat në ndërtesën e komunës, të cilat shfrytëzoheshin nga udhëheqës të strukturave paralele serbe. I shoqëruar nga ministrat Ahmet Shala e Sadri Ferati, ai ka takuar në Brezovicë kryetarin e komunës me stafin e tij, ndërsa merrte pjesë edhe Sllobodan Petroviçkryetar i Partisë Liberale të Pavarur (SLS), partneri i vogël i koalicionit qeveritar, nga e cila vjen kryetari i Komunës së Shtërpcës. “Erdha sot me një grup të ministrave për t’i ofruar përkrahje kryetarit të komunës në të gjitha projektet e mira dhe për të shikuar perspektivën e privatizimit të Brezovicës”, ka thënë Thaçi. Edhe kryetari i komunës, Bratisllav Nikoliç, ka shprehur kënaqësinë për mbështetjen që i ka ofruar Kryeministri dhe ministrat. Ai ka thënë se prioritet i tij do të jetë privatizimi i Qendrës së Skijimit dhe çështja e ndërtimeve në zonën turistike. Shpresojmë se do të vazhdojmë bashkëpunimin dhe natyrisht gjithmonë do të na nevojitet përkrahja e qeverisë. Kemi shumë projekte për të cilat duhet të na ndihmojë dhe për këtë përkrahja e Prishtinës është shumë e rëndësishme”, ka thënë Nikoliç.
#