E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përgatitjet për Vitin e Ri, asnjë hotel i lirë në Strugë e Ohër

Strugë-Ohër - Qytetet buzë liqenit, Struga dhe Ohri janë bërë gati për të pritur turistët që vijë për të pritur Vitin e ri. Çmimet normale që ofrojnë hotelet e këtyre qyteteve për natën e vitit të ri kanë bërë që edhe numri i rezervimeve të rritet. Sipas të përditshmes shqiptare në Maqedoni, Lajmi, numri më i madh i atyre që synojnë që këto festa ti kalojnë në Strugë e Ohër, tradicionalisht viteve të fundit, janë mysafirët nga Shqipëria, por nuk janë të pakta kërkesat edhe nga Serbia e Bullgaria. Përkrah kapaciteteve të akomodimit nëpër hotele, që tashmë gati janë zënë tërësisht, ose mbi 90%, vende të lira kërkohen edhe në sektorin privat.

Oferta turistike për festat e fundvitit, aranzhmani treditor gjysmë pansional, me darkën solemne të Vitit të Ri, me muzikë live, në Ohër, varion në 200-250 euro, citon Lajm. Ndërkaq, çmimet e po këtyre aranzhmaneve në Strugë, janë paksa më të ulëta, por pa ndonjë ndryshim të madh. Nuk mungojnë as kërkesat dhe ofertat për sektorin privat, ku çmimet sillen prej 5-50 euro për një shtrat, në dhomat ose apartamentet sipas kategorive turistike. Për mysafirët që vendosin të sistemohen në sektorin privat, hotelet mundësojnë që natën e vitit të Ri, ta kalojnë në ambientet e hoteleve, me çmime që sillen prej 200-300 denar për person.

Pritjet e Vitit të Ri, organizohen edhe nëpër kafebe dhe restorante private, ku çmimet sillen prej një mijë deri në tre mijë denar(10-50 euro). Lulzim Bakalli, shef i recepcionit të hotelit “Drim”, pohoi se kapacitetet e këtij hoteli gati janë zënë tërësisht nga mysafirët që janë bërë gati të përvitshëm. Këto ditë, pritet të shpallen edhe ofertat e hoteleve private në Strugë, të cilët do të organizojnë pritjen e Vitit të Ri, në ambientet e tyre në Strugë e rrethinë. Për mysafirët e këtyre festave të fundvitit, në hotelet ku pronarë janë shqiptarët, janë angazhuar këngëtar të estradës artistike shqiptare nga Maqedonia, Kosova e Shqipëria. Sa i përket qytetarëve të Strugës, disa vite me radhë, numri i madh i tyre, ndërrimin e mot moteve e kanë pritur në qendër të qytetit, në organizim të komunës së Strugës, ndërsa tani për tani, nuk ka ndonjë paralajmërim se do të ketë një organizim të tillë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›