E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beogradi s'ka kompetenca për decentralizimin

Prishtinë - Asnjë kërkesë e Serbisë me të cilën synohet ndryshimi i kompetencave të Qeverisë së Kosovës dhe ICO-së në procesin e decentralizimit, nuk mund të pranohet, thonë zyrtarë qeveritarë kosovarë dhe ata të pranisë ndërkombëtare. Sipas tyre, Beogradi mund të bashkëpunojë, por jo edhe të marrë kompetenca në zbatimin e decentralizimit në Kosovë.

Duke iu përgjigjur një kërkese të Qeverisë së Serbisë, sipas së cilës kërkohet caktimi i një përfaqësuesi neutral ndërkombëtar që të marrë rolin e një ndërmjetësi mes Serbisë dhe Kosovës, në lidhje me zbatimin e decentralizimit, ministri i Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, Sadri Ferati, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë se, “asnjë kërkesë që ka të bëjë me ndryshimin e kompetencave të Qeverisë së Kosovës për zbatimin e decentralizimit, nuk mund të diskutohet fare”.

Kurse, roli i Beogradit, sipas tij, mund të jetë i pranueshëm vetëm në cilësinë e bashkëpunimit dhe marrjes së informacioneve, por jo edhe të ndryshimeve në dispozitat e Pakos së Ahtisaarit, ku flitet për decentralizimin. "Por, Pakoja e Ahtisaarit është e pandryshueshme dhe duhet të implementohet e tëra në gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, tha Ferati.

Procesi i decentralizimit zbatohet në Kosovë nga qeveria si dhe autoritetet lokale nën mbikëqyrjen e ICO-së. Shefi i Zyrës për informim në ICO, Andy McGuffie, tha se decentralizimi është një proces që i përket Qeverisë së Kosovës dhe mbështetet nga ICO-ja. “Ky proces është një mundësi e mirë për reforma gjithëpërfshirëse, nga të cilat do të përfitojnë të gjithë qytetarët e Kosovës”, tha McGuffie.

Lidhur me kërkesat e Beogradit për një përfaqësues neutral ndërkombëtar që do të përfshihej eventualisht në këtë proces, McGuffie tha se ICO nuk ka biseduar asnjëherë në lidhje me këtë proces me autoritetet e Beogradit. “Decentralizimi është duke u zhvilluar nën dhe nga autoritetet e Qeverisë së Kosovës dhe e ka mbështetjen e ICO-së”, tha ai. Ndryshe, Beogradi njeh dhe bashkëpunim me misionin e EULEX-it dhe atë të UNMIK-ut, por nuk e njeh ICO-në, për shkak se ICO ka në mandat mbikëqyrjen e zbatimit të Pakos së Ahtisaarit, dokument ky që nuk pranohet nga autoritetet serbe.

Ministri serb për Kosovën, Goran Bogdanovic, ka deklaruar se Beogradi nuk e pranon decentralizimin sipas Planit të Ahtisaarit, por do të pranonte të përfshihej në këtë proces marrë parasysh rëndësinë që ka për serbët e Kosovës, nëse do të caktohej një ndërmjetës neutral ndërkombëtar. Sidoqoftë, një kërkesë e tillë duket si fillim i ri i këtij procesi nga ana e autoriteteve vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë dhe si e tillë hidhet poshtë. (rel/start)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›