E Shtunë, 31 Tetor 2026

Memo-ja e SHBA, Reeker mbërrin sot në Tiranë

Rreth një javë më parë doli në dritë një letër konfidenciale e Departamentit të Shtetit drejtuar qeverisë shqiptare ku si kurrë më parë, bëhej thirrje për ndalim të retorikes nacionaliste. “Mos na detyroni t’ju dënojmë publikisht”- thuhej në Memo-n e DASH-it. Dhe, për këto arsye në Tiranë do të mbërrijë sot i dërguari i DASH-it, zëvendës ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë Philip Reeker, i cili pritet të zhvillojë takime me të gjithë krerët e shtetit, raporton shekulli.

Mësohet se axhenda e takimeve të diplomatit amerikan do të nisë me takimin me Ministrin e Jashtëm, Edmond Panariti, me të cilin pritet të ketë një diskutim të gjatë, një takim ky i kërkuar nga vetë zëvendës ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë. Reeker, gjithashtu do të takohet edhe me presidentin Bujar Nishani, kryeministrin Sali Berisha dhe kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama. Ndërkohë, mësohet se zhvillimet më të fundit në vend, si dhe zgjedhjet e 23 Qershorit, do të jenë në fokus të këtyre diskutimeve të zyrtarit të lartë amerikan, i cili pritet të japë një mesazh të rëndësishëm për politikën shqiptare.

Më herët zëvendës ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit është shprehur se Shtetet e Bashkuara të Amerikës presin që Shqipëria të zhvillojë zgjedhje të lira e demokratike në 23 Qershor. Sipas diplomatit amerikan, Shqipëria e ka rastin t’i dëshmojë jo vetëm bashkësisë ndërkombëtare, por edhe vetë qytetarëve të saj, se është në gjendje të zhvillojë zgjedhje demokratike dhe të lira. Gjithashtu, Reeker është shprehur se SHBA-të janë të shqetësuara për retorikën nacionaliste që dëgjohet nga politikanët në Shqipëri, dhe ka thënë se kjo retorikë devijon fokusin nga çështjet e rëndësishme./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›