E Diel, 1 Nëntor 2026

Beqaj: Gjykata Kushtetuese e KLD janë të paligjshme

TIRANE - Sekretari për Programin në Partinë Socialiste, Ilir Beqaj sqaroi dje, në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, rrugën që do të ndjekë këtej e tutje programi i ri qeverisës. Sipas tij, “nëse deri tani kemi treguar se çfarë synojmë të bëjmë, se kush duam të jetë Shqipëria e vitit 2017-të, po punojmë për të përcaktuar se si do t’i realizojmë objektivat ambicioze që kemi përcaktuar”,- deklaroi Beqaj. “Synimi unë është që programi ynë të ketë një “bashkëpronësi” sa më të madhe me shumicën dërrmuese të shqiptarëve, edhe për filozofinë tonë, që vijmë për të qeverisur vendin dhe jo që të ndërrohet grupi, klani apo tarafi që do të sundojë shqiptarët”,- u shpreh sekretari socialist. I pyetur se përse është bërë publik me detaje programi, ndërkohë që mund të rrezikojë të “kopjohet” nga pala kundërshtare deri në fushatën elektorale të 2013-ës, Beqaj tha se: “nëse qeveria vendos të na kopjojë, le ta bëjë. Ne ia kemi lehtësuar punën me nismat ligjore që kemi prezantuar në Kuvend që nga nëntori e në vijim. Aty i ka. Le t’i votojë”.
Zoti Beqaj, sapo janë mbyllur tryezat e para të prezantimit të programit të PS-së. Cili është konkluzioni i deritanishëm? Cilat janë ato çështje të reja që janë shtuar rrugës, nga propozimet që ju keni marrë nga tryezat?
Ne kemi zhvilluar një cikël të plotë të organizimit të tryezave të grupeve të punës për hartimin e programit elektoral të Partisë Socialiste. Pas miratimit të programit bazë të PS-së në Kongresin e 5 nëntorit 2011 dhe pas ngritjes së 21 grupeve të punës në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të 2 dhjetorit 2011, në janar 2012 ne filluam një fazë të re të rrugës sonë të Programit. Në të gjitha grupet e punës janë të angazhuar rreth 400 persona, ekspertë të fushave të ndryshme, simpatizantë të PS-së, por edhe individë që kanë ofruar ndihmën e kontributin e tyre jashtë ndjesisë politike. Në tryezat e zhvilluara në periudhën shkurt – prill 2012 kanë marrë pjesë më shumë se 1 mijë persona. Në secilën tryezë është paraqitur problematika e sotme, janë evidentuar probleme që lidhen me kuadrin ligjor, zbatueshmërinë e ligjit, aspektet rregullatore të sektorëve të ndryshme, situata e burimeve njerëzore për çdo fushë, etj. Po ashtu është paraqitur edhe vizioni i PS-së bazuar në programin e saj bazë.
Ju keni deklaruar se duke filluar që nga muaji maj do të nisë një tur nëpër Shqipëri me tryeza, po për diskutimin e pikave të programit. A mos është e tepërt e gjithë kjo procedurë?
Nevoja për të pasur një proces sa më të gjerë konsultimesh në hartimin e programit është gjithnjë e domosdoshme. Ne kemi hyrë në një fazë të rrugës sonë të programit, që po punojmë për të përcaktuar si do të zbërthehen në nisma ligjore e projekte konkrete. Nëse deri tani kemi treguar se çfarë synojmë të bëjmë, se kush duam të jetë Shqipëria e vitit 2017-të, po punojmë për të përcaktuar se si do t’i realizojmë objektivat ambiciozë që kemi përcaktuar. Synimi unë është që programi ynë të ketë një “bashkëpronësi” sa më të madhe me shumicën dërrmuese të shqiptarëve, edhe për filozofinë tonë, që vijmë për të qeverisur vendin dhe jo që të ndërrohet grupi, klani apo tarafi që do të sundojë shqiptarët. Shqipëria vërtet është vend i vogël, por keqqeverisja e 20 viteve ka bërë që hallet të jenë jo vetëm të shumta, por edhe të larmishme. Mjafton të trajtosh çështjen e pronësisë dhe konstaton se problematikat janë të ndryshme për pjesë të ndryshme të vendit. Prandaj duhet t’i dëgjosh të gjithë e të diskutosh me ta. Ndryshe është shëndetësia në fshat e ndryshe në qytet, ndryshe në kryeqytet e ndryshe në qytet të largët, ndryshe bujqësia në sipërfaqet e mëdha të Myzeqesë e ndryshe blegtoria në Has, ndryshe akreditimi i shkollave të larta e ndryshe klasat kolektive në zonat malore. Prandaj procedura nuk është e tepërt. Madje sfida është, a do të jemi dot në gjendje të dëgjojmë hallin e çdokujt.
Ju tashmë keni prezantuar një pjesë të madhe të pikave të programit tuaj. A ka më premtime dhe pika të cilat janë ruajtur për t’u prezantuar gjatë fushatës elektorale?
Ne kemi prezantuar në programin e 5 nëntorit, vizionin tonë për rilindjen e Shqipërisë. Në këtë mënyrë kemi prezantuar objektivat tona kryesore: 1.- Punësim, jo rritje të papunësisë; 2.- Taksim i ndershëm, jo taksë e sheshtë; 3.- Mbështetje biznesit, jo keqtrajtim të biznesit; 4.- Shërbime publike sipas nevojës, jo sipas mundësisë për të paguar; 5.- Zhvillim rural, jo braktisje fshatit. Të gjitha sa më sipër do të konkretizohen në premtime konkrete, të kuptueshme, të prekshme, të arritshme për shqiptarët. Si do të rimëkëmbet ekonomia, kur të dhënat zyrtare të tremujorit të fundit tregojnë për ekonomi që ka ngecur; si do të ripërtërihet shoqëria kur varfëria është rritur, kur të pasiguruarit janë 1 milion vetë, kur vetëm 5 për qind e njerëzve zotërojnë më shumë se gjysmën e depozitave të shqiptarëve; si do të rivendoset demo-kracia kur sot kemi një Gjykatë Kushtetuese të paligjshme dhe zgjedhjet për Këshillin e Lartë të Drejtësisë janë po ashtu të paligjshme. Nuk po zgjatem tek pjesa e ribashkimit me Europën, pasi tashmë mazhoranca nuk ka më asnjë alibi për vonesën në rrugën e integrimit europian. Nuk do të ishte me vend të përsërisja atë çfarë tha në publik Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle para pak ditësh në Tiranë.
A s’mendoni se me këtë prezantim publik, të detajuar të programit i keni dhënë kundërshtarit tuaj një model që edhe mund të “kopjohet” dhe më pas t’ju “prishë punë” si parti që mendoni të vini në pushtet?
Së pari, shumica dërrmuese e shqiptarëve e kanë kuptuar që “kundërshtari” ynë politik nuk e ka mendjen tek qeverisja e vendit, te hallet e shqiptarëve, tek zbatimi i programit të qeverisë, te përmbushja e axhendës së integrimit europian. Për rrjedhojë, qeveria nuk e ka mendjen te shqiptarët e Shqipëria, por e ka tek sundimi e plaçkitja. Nëse nuk do të ishte kështu, atëherë do të kishim reagim ndaj vjedhjes së pasurisë kombëtare në minierat e kromit në Bulqizë, do të kishim reagim ndaj diplomave fiktive universitare që jepen sot nga kërpudhizimi i arsimit të lartë jopublik, do të kishim reagim ndaj ndërhyrjes së dhunshme të politikës edhe tek sporti. Ju solla vetëm tri shembuj të ditëve të fundit, por çdo ditë njihemi me më shumë skandale, sa është edhe mundësia e medias për t’i prezantuar, apo e opinionit për t’i ndjekur e analizuar. Së dyti, nëse qeveria vendos të na kopjojë, le ta bëjë. Ne ia kemi lehtësuar punën me nismat ligjore që kemi prezantuar në Kuvend që nga nëntori e në vijim. Aty i ka. Le t’i votojë.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›