E Diel, 1 Nëntor 2026

Beqaj: Mposhtim Verderin dhe kualifikohemi

Anorthosis i Arian Beqajt e ka një mundësi të artë për të kaluar fazën e grupeve në Ligën e Kampioneve. Skuadra qipriote pret sot në shtëpi Verder Bremenin, së cilës i mori barazimin në Gjermani, në debutimin historik të aktivitetit më prestigjioz të kontinentit. Rezultatet e mira në katër ndeshjet e para në Grupin B, kanë bërë që kampionët e ishullit të Afërditës të synojnë kualifikimin për më tej. I gatshëm për këtë sfidë do të jetë edhe Arjan Beqaj, i cili kishte pësuar një dëmtim në gishtat e dorës, në ndeshjen kundër Interit. Për kosovaren "Express", portieri i kombëtares shqiptare ka shprehur besimin se Anorthosis do ta fitojë këtë ndeshje vendimtare. "Si në çdo ndeshje, ne besojmë te fitorja. Verderi ka ekip të mirë dhe jemi të vetëdijshëm se do ta kemi mjaft vështirë. Megjithatë, ky është një rast i mirë për të triumfuar. Është ndeshje shumë e rëndësishme për ne, ndoshta vendimtarja për vazhdimësinë në Champions", deklaroi Beqaj. Nëse marrin tri pikët e plota, qipriotët sigurojnë matematikisht një vend mes 16 skuadrave më të mira evropiane (aktualisht kanë grumbulluar 5 pikë), sigurisht nëse Panathinaikos humbet ose barazon me Interin. "Që në fillim kemi besuar se mund ta kalojmë fazën e grupeve. Kjo është arsyeja përse kemi arritur deri këtu", përfundoi "gardiani".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›