E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beqaj: Nëse ka ofertë, do ta shqyrtoj

Portieri i kombëtares nuk është në dijeni për lajmin e hapur në mediat qipriote se e kërkon Olimpiakosi

Klubi i Olimpiakosit kërkon Arjan Beqajn, por portieri i kombëtares nuk ishte në dijeni të kësaj oferte. "Kam ardhur në Kretë për të kaluar festat e fundvitit,"- thotë fillimisht portieri kuqezi, që ende nuk e ka marrë veten nga dëmtimi, i cili e la pa u aktivizuar për një kohë të gjatë. Më pas, me një qetësi absolute, duke mos u sugjestionuar nga emrat, ai sqaron: "Unë, deri tani që po flasim, nuk kam asgjë konkrete. Nëse vjen ndonjë ofertë, qoftë edhe nga një klub i madh, siç është Olimpiakosi, do ta shqyrtoj mirë dhe pastaj do të kthej përgjigje. Tani për tani jam portier i Anorthosit, ekip me të cilin kam kontratë deri në vitin 2011. Jam mirë në Qipro dhe i vlerësuar nga të gjithë. Natyrisht, e di që edhe në Greqi më duan dhe më respektojnë. Kam kaluar një kohë të gjatë atje dhe kam përshtypje shumë të mira." Ajo që të bie në sy në këto thënie të portierit tonë të shquar është modestia dhe personaliteti i një njeriu të madh, i cili nuk befasohet nga emrat. Falë përvojës së fituar dhe famës së madhe, Beqaj nuk rrëmbehet nga euforia e çastit, por ai tregohet i sinqertë. Ndeshjet e tij në Athinë dhe në Qipro ndaj skuadrave më të mëdha të Greqisë, Olimpiakos dhe Panathinaikos, kanë qenë brilante, dhe oferta, që mund të bëjë një ekip i madh si Olimpiakos, nuk përbën ndonjë gjë të veçantë. Pikërisht në këto ndeshje, tifozët grekë janë çuditur, kur kanë parë një portier të këtij kalibri të madh, por në njëfarë mënyre ata edhe janë zhgënjyer, sepse nuk ia kanë ditur tamam vlerat e tij, teksa e kanë pasur për 9 vjet në gjirin e skuadrave të tyre OFI dhe Jonikos. Duke iu gëzuar lajmit, u futëm në sajtin e Olimpiakosit, për të mësuar ndonjë gjë të re rreth kësaj çështjeje, pasi portieri ynë ka treguar vlera të veçanta, por aty nuk kishte gjë. Kërkuam gjithandej, kur më në fund, në sajtin "gavros.gr", që është i tifozëve të Olimpiakosit (këta tifozë thirren me dashuri, me emrin gavros, që greqisht do të thotë peshk), kishte këtë material: "Edhe pse jemi me pushime, skenarët rreth kontratave të sportistëve kanë kohë që kanë filluar. Një prej tyre na vjen nga Qipro. Sipas informacionit të dhënë, duan që Olimpiakosi të tregojë interes për Arjan Beqajn, portierin e Anorthosit. Jo vetëm kaq, por theksojnë se nuk ka ndonjë ofertë në kryesinë e klubit, që i la pireotët jashtë Ligës së Kampioneve." Më tej komentet ishin nga më të ndryshmet: "Portier i mirë është Beqaj, nuk themi gjë". "E zuri Zotin në gjumë gjatë dy netëve që luajti si kundërshtar i Olimpiakosit." "Kuqebardhët kanë vënë objektiva më të larta dhe kështu duhet, në kohën që dinamika e skuadrës i përket Andoni Nikopolidhit." Beqaj, sigurisht që do të donte... si "i çmendur" të aktivizohet me Olimpiakosin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›