E Shtunë, 31 Tetor 2026

A ka dialog mes nesh

Arte pamore / Një vështrim mbi ekspozitën e ndërkombëtare “Vangjush Mio” në Korçë dhe disa probleme që kjo ngjarje e përvitshme të mos katandiset në një garë të thatë dhe diletante. Dhe: A komunikojnë mes tyre kultura pritëse dhe kultura që sjellin artistët e huaj që ekspozojnë në Shqipëri?

Fasada e qendrës kulturore në Korçë është transformuar në një land-art. Aftësia e qeverisjes vendore për të krijuar një lloj atmosfere është e kuptueshme kur sheh edhe prezencën jo formale të kryebashkiakut Niko Peleshi pas të cilit gjallojnë punonjësit e kulturës që në këtë fundviti janë të zënë me shumë punë. Kjo atmosferë lidhet edhe me afrimin e festave tradicionale, po dhe me ekspozitën konkurs “Vangjush Mio” që tani duket më e konsoliduar dhe e përpunuar se më parë. Artistë dhe artdashës u ndodhën në çeljen e saj, të tjerë mbërritën nga larg dhe më afër Korçës.

U ndanë çmimet në pikturë, skulpturë dhe grafikë. Një ndër komisionierët njoftoi pa komente fituesit. Në galerinë “Guri Madhi” brenda qendrës “Vangjush Mio”, përfund mureve qëndronin veprat. Çdo autor përfaqësohej me një të tillë në pikturë ose skulpturë.

Sigurisht që më shumë hapësirë në ekspozitë zinin vendasit. Dashurinë për traditën aq të pasur të pejzazhit që buron prej Mios, Tushit, Dembos etj. ata e shprehin duke zbuluar tërësinë e hapësirave. Por hera-herës regjistrat që përbëjnë pikturën e tyre marrin trajta të reja për të takuar të panjohura. Shihet tendenca e një gjuhe tjetër, gjuhë e dalë prej traditës së parë. Ajo rebelohet për të mbërritur në tjetër cak jo shumë të qartë, por gjithsesi të frymëzuar. Kjo gjuhë jo shumë pasqyruese dhe imituese e natyrës tenton drejt simbolit, strukturave ngjyrore apo edhe kolazheve realiste-abstrakte. Edhe të rinjtë tentojnë drejt kësaj prirjeje, por janë pak.

Për të ardhur keq është se moria e autorëve është amorfe dhe nuk pjell dot ndonjë eksponent apo kapiten skuadre, pavarësisht atyre çmimeve “Vangjush Mio” që u ndanë. Dalja prej ritualit sundonjës të tipit “tablo për një sallon shitjeje” ka të ngjarë që të ndodhë në të ardhmen. Pa kuptuar, shumë piktorë kanë njehsuar dhe këmbyer dëshirat me klientët, gjë e cila kufizon “vetëshprehjen e lirë dhe të pastër”. Megjithatë përfaqësimi në këtë konkurs ka shkundur dremitjen duke përplasur ashpër vendasit me “të ardhurit”.

U vu re se në rastet kur imitimi është interesant, dalin në pah mbingopje kuptimesh dhe letrarizma jo fort piktorike, paçka se mjetet apo gjuha e përdorur është moderne. Shembulli i një gjuhe bashkëkohore u soll prej kolonisë së skulpturës së parkut, organizuar në fillim të verës së këtij viti po në Korçë. Në këto vepra të vendosura gjatë parkut të qytetit si dhe para qendrës “Vangjush Mio”, duket sikur Korça e pranon modernitetin në nivel urban, por për fat të keq më pak nëpër salla të mbyllura.

Prania e shumë artistëve, të eksperiencave dhe trevave të ndryshme është një rast fatlum për të këmbyer përvojat, në nivele praktike apo teorike. Ky dialog vlen të formalizohet përmes tryezave dhe bisedave veçanërisht të nevojshme në Korçë, por jo vetëm aty. Për të ardhur keq është kur sheh se shumë artistë janë të paaftë të gjejnë fjalë për veprën e tyre dhe mjaftohen vetëm me një buzëqeshje të sjellshme. Vetëm gëzimi i syrit nuk mjafton për të marrë kënaqësitë që bart një vepër e artit vizual. Kuptimet dhe nënkuptimet e veprës edhe kur ato janë tepër të lexueshme, është e udhës të përcillen me fjalë dhe koncepte. Edhe veprat fituese nuk kanë privilegjin të fitojnë komplimente verbale dhe të shpallura, madje as të publikuara dhe propaganduara.

Në ekspozitë bien në sy veprat e artistëve nga Tetova, Gostivari. Ata dhe të tjerë që mbërritën nga Tirana, Durrësi, Vlora, Pogradeci krijojnë një market të pasur plot motive, tendenca shpesh të kundërta prej vendasve. Ky diversitet u komentua dhe u vlerësua si qëllim për të përfituar prej njëri-tjetrit. Me kujdes dallon dhe lindjen e veprave hibride rezultat pikërisht i këtij dialogu interesant.

Edhe post-ekspozita vlen të jetë interesante. Për këtë u takon organizatorëve që të parashikojnë më tepër hapësira për diskutime, publikime, reklamime, në të mirë të gjetjes dhe të argumenteve estetike, mbi të cilat konkursi “Mio” duhet të zhvillohet më tej. Komisionierëve të ndarjes së çmimeve t’u kërkohen dhe prononcime teorike dhe kritike, me qëllim që “Mio” të mos katandiset në një garë të thatë dhe diletante.

Po ashtu, mungesa e katalogut të ekspozitës ul kredibilitetin që konkursi pretendon të ketë tash disa vjet.

Për fat të keq, nuk sheh njerëz të ardhur nga institucionet kombëtare të artit dhe kulturës si Ministria e Kulturës, Galeria Kombëtare apo Akademia e Shkencave të cilët e kanë më të lehtë të udhëtojnë përtej kontinentit, sesa të marrin rrugën për tek një cep i Shqipërisë së poshtme, cep që emërton kulturë në të mirë të Shqipërisë e më gjerë.

Rruga për të shkuar në Korçë duket ende problematike, por artistët e ardhur nga larg gjetën një qytet të zbukuruar si asnjëherë në këtë prag Krishtlindjesh dhe ndërrim vitesh.

Copëza impresionesh

Një rrugë plot ngjyra, egërsisht e zbukuruar, ndonëse e vjetër, krahas saj sheh lule të kuqërremta, të rënda si perdet korçare. Po aty dhe me tutje, nje pejzazh i zbehtë humbet nën shtërngimin e kornizës së artë. Mal i thatë dhe solid zbukurohet prej pemëve si një sixhade shumëngjyrëshe. Ja dhe frutat e gjalla mu në qendër të vëmendjes si tek tavolinat e Karavaxhios. Dy kanata të mbyllur për hapësirën që të çojnë në askundin e territ te zi. Diku, ballë kontenierit të lerosur nga mbeturinat, fëmija i varfër kërkon gëzimin në ndarjen e viteve. Afër saj makina llamarina shumëngjyrëshe e statike. Kthen kokën, e shikon aty më tutje copëza pamjesh të dashura nga rajoni, plot ngjyra imituese. Ja ku syri ndali, duke parë kuadrin si një pjesë suvaje e plot shenja X, O. Por kjo është veçse lojë fëmijësh dhe shumë realiste. Për çudi! Ja dhe një kthinë plot formate ku mundi i derdhur në to të stërvit përqendrimin në një pikë si një qendër, ku rrethvertiten figura lakuriqe si akrepat nxitues të fundvitit. Ndërkryerje ngjyrash pa ndonjë shkak të piktorit që s’dihet se si e ka humorin dhe gjendjen. Ka dhe sende të lëmuara dhe të ujdisura plot sqimë, por të kota.

Dhe ja, krejt ndryshe, një aventurë mbi letër, nxjerrë prej një prese grafike tetovare. Pejzazh i rrëmbyer prej fshatit, vjen në pamje të zbehtë, pa qiellin mbi të. Aty e pak më tej, një kartolinë si pikturë vulosur nga pulla shqiptare përbri të cilës fluturojnë dy engjëj kombëtarë.

Mes skulpturave vërdallosen vizitorët veshur në të zeza. Ata druhen se mos i rrëzojnë këto volume që ngjasin me trupa lakuriqe, të cilat kundërmojnë palëvizshmëri. Atje në cep, dy volume pa identitet, zihen mes tyre. Tashmë porta është afër dhe ti del në ajrin e ftohtë të natës korçare. Virtualiteti i shëtitores për tek katedralja, plot dritëza të reflektuara nëpër vitrina, të krijon idenë sikur po hyn drejt veprës së fundit të performuar me gjithçka që jeta ofron. Këtu, magët e pikturës ndahen porsi shpërthimi i një fishekzjarri, duke humbur dalëngadalë dritën e përkohshme të trupave të tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›